Burgu i Sigurisë së Lartë - Foto: KALLXO.com

Prioritetet mbi sigurinë për një qeveri të ardhshme

Kur ishte hera e fundit që mund ta furnizonit vetën tuaj me gjëra ushqimore për një muaj, me vlerën e një page tuaj? Kur ka qenë hera e fundit që keni blerë mish në ndonjë dyqan lokal dhe jeni ndjerë të sigurtë se mishi i blerë nuk do ta dëmtojë shëndetin tuaj apo të familjes suaj? Po flasim per mishin që nuk është importuar nga skaji tjetër i planetit, që nuk është ngrirë dhe shkrirë për disa herë derisa ka arritur në tavolinën tuaj. Se nuk është prodhuar duke përdorur metoda, për të cilat është vërtetuar se shkaktojnë kancerin?

Kur e keni marrë për herë të fundit prindin tuaj të moshuar ose fëmijën tuaj për ta bërë një shetitje gjatë kohës së dimrit, të bindur se ajri, qoftë i ndotur nga trafiku masiv, djegia e qymyrit shtëpiak ose nga termocentralet me qymyr, nuk po ju sëmurin seriozisht? Kur ishit i sëmurë dhe keni besuar se qendra juaj e kujdesit shëndetësor do të kujdeset për ju? Kur keni qenë herën e fundit të kërcënuar fizikisht, ose abuzuar apo edhe jeni ndjerë sikur të kishit diku për të shkuar, dhe do ndjeheshit i sigurt?

Tani jemi njëzet vjet pas luftës, 11 vjet që nga pavarësia, dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, megjithë këmbënguljen dhe rezistencën e tyre kulturore, nuk janë përballur me asgjë tjetër përveç neglizhencës për nevojat e tyre themelore njerëzore, duke vënë në pikëpyetje aftësinë e tyre për të udhëhequr një jetë më produktive, më të kënaqshme.

Dhe, nuk është fshehtësi ajo që bëhet nga njerëzit që nuk mund të jenë produtivë dhe nuk po bëjnë një jetë të kënaqshme. Njerëz të tillë janë të dënuar të bëhen qytetarë joaktivë, të cilët nuk mund të marrin pjesë, edhe nëse duan, në vendimmarrje.

Ata bëhen qytetarë të cenueshëm, të lënë pranë aparateve të tyre dhe bëhën pre e lehtë për këdo që ka një axhendë në mendjen e tij. Republika e Kosovës ka nënshkruar një kontratë sociale me qytetarët e saj, dhe në këmbim të taksave dhe detyrimeve të tyre, ajo ka premtuar se do t’i plotësojë nevojat e tyre. Realiteti është shumë i frikshëm dhe krejtësisht i kundërt. Ky është kërcënimi më i madh i sigurisë kombëtare, një popull, jetim, identiteti i të cilit vihet në pikëpyetje prej një neglizhence disavjeçare.

Kosovarët po përballen me mbi një dekadë paqëndrueshmërie politike (zgjedhje të shumta të parakohshme; mandate të papërfunduara; administrata që asnjëherë nuk bëjnë dorëzime të duhura tek administratat pasuese) ku ligjërimi publik shumë i politizuar ka zhvendosur larg fokusin nga kërcënimet e vërteta të sigurisë dhe rreziqet për jetën e kosovarëve, duke krijuar një situatë ku deri më sot, asnjë platformë nuk është krijuar ndonjëherë për të adresuar nevojat e sigurisë së kosovarëve.

Kjo, pa dashje, ka minuar sigurinë kombëtare, pasi që, siguria tani dhe veçanërisht për një shtet aq të vogël sa Kosova, përfshin më shumë sesa atë sigurinë e vështirë tradicionale, duke kaluar përgjatë disa sektorëve të tjerë që nuk kanë të bëjnë me sigurinë, siç janë shëndetësia, ekonomia, arsimi, infrastruktura, mjedisi dhe, mes tjerash, sektorët e planifikimit hapësinor. Mungesa e vizionit, udhëheqjes dhe planifikimit të qartë në këtë fushë e ka bërë Kosovën dhe njerëzit që jetojnë aty, të cenueshëm.

Siguria Kombëtare e Republikës së Kosovës, pasi ky koncept ka evoluar, kërkon jo vetëm mbrojtjen e Republikës së Kosovës si shtet, nga kërcënimet e jashtme, por edhe mbrojtjen e njerëzve të saj nga rreziqet e brendshme dhe kërcënimet që ndikojnë tek ta çdo ditë. Kosova e ka bërë një vlerësim të gjithanshëm institucional të sigurisë, i cili i ka ranguar kërcënimet dhe rreziqet e sigurisë për qytetarët e saj dhe ka përcaktuar një listë specifike gjithëpërfshirëse të masave që duhet të merren nga të gjitha institucionet, në mënyrë që të adresohen ato. Deri më tani, shumica e këtyre masave nuk janë zbatuar.

Për shembull, ky vlerësim i renditë katastrofat natyrore, siç janë përmbytjet dhe tërmetet, si një kërcënim i parë i brendshëm për kosovarët, me probabilitet dhe me pasoja të mëdha, e ndjekur nga katastrofat industriale, ndotja e mjedisit dhe të tjerët. Ne jemi një vend i prirur ndaj tërmeteve dhe përmbytjeve, ky është një fakt. Megjithatë, ne nuk kemi bërë asgjë që ka rezultuar në një sistem efikas të menaxhimit të urgjencës që do të përgjigjej në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe efikase ndaj fatkeqësive natyrore dhe do të shpëtonte jetë. 

Pikërisht këtu bie në sy edhe infrastruktura kritike, dhe fakti që shumica prej nesh, me shumë harresë, mund të jetojë në shtegun e një dige që me gjithë ndershmërinë e duhur, askush nuk e di se kur u kontrollua për herë të fundit nëse është e qëndrueshme mjaftueshëm apo e mirëmbajtur si duhet. Në raste të tilla, ne kryesisht ballafaqohemi me argumente midis institucioneve të paharmonizuara, se nën përgjegjësinë e kujt bie kontrollimi dhe mirëmbajtja e saj.

Në fund të ditës, dhe ky është vetëm një shembull i rreziqeve të infrastrukturës kritike që nuk po menaxhohen siç duhet, nëse njëra prej këtyre digave shkatërrohet, mijëra jetë do të humbasin, sepse atëherë, ne veçse kemi një reagim krejtësisht të papërshtatshëm emergjent.

Në vitin 2014, duke e ditur se Plani i Reagimit Kombëtar (PRK) nuk funksionon, dhe si rezultat na mungon qartësia për rolet dhe misionet, si dhe aftësitë e institucioneve (të gjitha të përcaktuara në SSSR), një rekomandim i SSSR ishte të hartojë një PRK të ri, dhe më pas të ngriten të gjitha aftësitë institucionale njerëzore dhe teknike, si dhe strukturat e komunikimit për t’iu përgjigjur me efikasitet katastrofave kombëtare, duke filluar nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (AME).

Deri më tani, asnjë rekomandim nuk është implementuar në këtë fushë. AME ka aftësi zero për t’iu përgjigjur, nuk ka një sistem funksional, as nuk ka aftësi në njerëz apo në teknikë.

Sa për dijeninë tuaj, kamionët e zjarrfikësve të Kosovës datojnë që nga vitet 1950, tubat e ujit nuk janë kompatibil me vetë kamionët, madje radiolidhjet midis institucioneve të ndryshme që përgjigjen nuk janë kompatibile, dhe deri më sot, na mungojnë aftësitë kombëtare ajrore për reagim emergjent.

Sa i përket Sistemit të Paralajmërimit të Hershëm, ose platformave të zvogëlimit të rrezikut nga katastrofat, ato nuk ekzistojnë. Pra, në rastet, kur goditemi nga përmbytjet ose ndonjë tërmet, ne jemi ne forcat tona, vetëm, në mëshirën e vullnetit të kujtdo që dëshiron të ndihmojë, apo edhe një ndërhyrje shumë të kushtueshme të ushtrisë/FSK-së tonë, në zona ku ata në të vërtetë mund të mos kenë ndonjë rol.

Ajo që e rëndon më shumë këtë çështje është se shumica e ndërtesave të apartamenteve të pasluftës në Kosovë – dhe të tilla ka shumë në zonat urbane pranë njëra-tjetrës – nuk janë ndërtuar për t’i bërë ballë tërmeteve. Deri më tani, Kosova nuk ka një kod ndërtimi dhe nuk ka kontrolle të rëndësishme inspektorati për të siguruar që këto ndërtesa nuk janë prej kartoni dhe të cilat do të shemben me tu goditur nga tërmeti i parë.

Për ta bërë sa më të qartë pikëvështrimin tim, le të marrim si shembull një incident të përditshëm, pra një aksident me makinë. Në raste të tilla, ora e parë që nga përplasja quhet “ora e artë” pasi kjo orë (kohë) konsiderohet koha më kritike për trajtimin e urgjencës me sukses. Gjatë “orës së artë” është shumë e rëndësishme të keni një shërbim adekuat paramedikal, i cili ekziston në ligjin për emergjencat, por jo edhe në praktikë.

Kosova nuk ka një fushë edukative për paramedikët në Universitetin e Kosovës, as në universitete private, dhe as nuk ka ndonjë trajnim specifik për paramedikë. Për më keq, Kosova nuk ka aftësi evakuimi mjekësor ajror, në mënyrë që individët që kanë pësuar një dëmtim traumatik të mund të kenë një shans mbijetese. Duke e ditur një gjë të tillë,  nënkupton të dish edhe faktin se mungesa e aftësive të tilla po i kushton me jetë kosovarëve, në baza ditore.

Unë në të vërtetë isha udhëheqëse e ekipit shtetëror për aftësitë ajrore për reagime emergjente dhe dosja me rezultatet e punës ndërministrore si dhe procesi përcjellës për marrjen e helikopterëve ishte në Zyrën e Kryeministrit, porse në mungesëe të dorëzimit, askush nuk e di se çfarë ndodhi me atë dosje.

Fatkeqësisht, cikli që po vë në rrezik jetën e kosovarëve është një cikël vicioz. Fillon me mungesën e masave parandaluese dhe sistemeve për rreziqet dhe kërcënimet me të cilat përballen dhe vazhdon me aftësi të papërshtatshme të reagimit, duke përfunduar me një sistem të kujdesit shëndetësor i cili është i përgatitur në mënyrë jo adekuate për t’u marrë me një numër masiv lëndimesh, ose trajtim të sëmundjeve të caktuara, të cilat pa ndonjë parandalim dhe diagnostikim të hershëm, janë të pamundura për t’u trajtuar në vendin tonë, dhe, si rrjedhojë, shumë vonë për t’u trajtuar me sukses jashtë vendit.

Ndotja e mjedisit është një kërcënim tjetër i përmendur, i cili kombinuar me sigurinë në ushqim, është shkaku i degradimit të vazhdueshëm shëndetësor të kosovarëve. Kushtet e ajrit që thithim, veçanërisht gjatë stinës së dimrit, janë të tmerrshme. Nëse ia shtojmë edhe faktin se artikujt ushqimorë dhe sendet e kujdesit personal që përdorim na bëjnë neve të ekspozuar ndaj ndotësve dhe toksinave, pasoja këto të cilat mund ti ndiejmë akoma.

E gjithë kjo, në një vend që ka një sistem të paaftë të kujdesit shëndetësor për të kryer diagnostifikimin apo investimin me kohë në lidhje me ndërgjegjësimin ndaj kujdesit shëndetësor (pasi nuk kemi aftësi buxhetore për të ndërtuar qendra të avancuara kërkimore ose për të trajtuar çdo sëmundje, do t’ia vlente nëse dalim me diçka që do ta bënte parandalimin e sëmundjeve).

Ne, kosovarët, paguajmë taksa të mëdha nga buxhetet tona të vogla (shumica e familjeve mund të përballojnë gjëra ushqimore të vlefshme sa një pagë e tyre mujore), megjithatë, si kthim, ne përballemi me një situatë të pasigurt të sistemeve të gabuara dhe qeverive të papërgjegjshme, për nevojat tona.

Si përmbledhje, ajri ynë është helm, ushqimi dhe produktet personale përfshijnë pesticide, herbicide, fungicide, plehra, estrogjen sintetik dhe natyral, paraben, fenoksietanol, phthalates, BPA, kadmium, plumb dhe merkur (të gjithë të dëmshëm).

Besimi ynë në sistemin e drejtësisë bazohet vetëm nga dështimi për të adresuar ankesat tona duke kërkuar drejtësi. Ta keni parasysh, gratë vazhdojnë të vriten edhe kur ato thërrasin policinë dhe i paralajmërojnë ata se do të vriten. Mënyra se si reagojmë ndaj dhunës në familje atëherë kur raportohet është edhe më alarmante sesa vetë krimi. Siguria jonë njerëzore është aq e ulët saqë  niveli i stresit është në rritje të madhe dhe shëndeti mendor po bëhet një çështje më e madhe dita ditës. Ta njohësh dikë në rrethinën tuaj, të sëmurë nga kanceri, tani është një standard në Kosovë, jo ndonjë përjashtim.

Pra, çfarë do të arrijmë ne me zgjedhje përballë të gjitha këtyre kërcënimeve të përditshme?

Është e qartë, tani nuk është koha për vetëkënaqësi, por për të kërkuar përgjegjësi për investimet/taksat tona, dhe për të siguruar që institucionet tona do të marrin masa që do të adresojnë nevojat e sigurisë njerëzore të kosovarëve, siç janë:

  • Një konsolidim përfundimtar i sektorit të sigurisë, në një kuptim gjithëpërfshirës, duke adresuar sfidat e rëndësishme me të cilat përballet aktualisht me kornizën strategjike, aftësitë institucionale dhe komunikimin ndërinstitucional, bashkëpunimin dhe koordinimin.

Për të rritur ndjeshëm nivelin e Sigurisë Shtetërore dhe Sigurinë e banorëve të Kosovës, çdo qeveri e ardhshme e Kosovës duhet të marrë masa për të siguruar institucione të forta dhe të vetëqëndrueshme të sigurisë, duke përfshirë edhe ato institucione jotradicionale që kanë të bëjnë me sigurinë. Më konkretisht, Kosova duhet:

  1. Të hartojë Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, në përputhje me proceset e mëparshme të rishikimit strategjik të sigurisë në fushën e sigurisë kombëtare.
  2. Kosova të bëjë një rishikim të sektorit të sigurisë kombëtare, çdo katër vjet, për tu dhënë mundësi kapaciteteve të azhurnuara shtetërore që t’u përgjigjen kërcënimeve dhe rreziqeve të sigurisë kombëtare dhe njerëzore.
  3. Rishikimi dhe hartimi i Planit të Reagimit Kombëtar për të siguruar që ky plan ofron një udhëzues dhe koordinim të qartë midis të gjithë sektorit të sigurisë dhe institucioneve të tjera, duke rritur efikasitetin në përgjigjen ndaj urgjencave kombëtare.
  4. Të krijojë një Sistem Kombëtar të Menaxhimit të Emergjencave që harmonizon në mënyrë vertikale dhe horizontale të gjithë aktorët kombëtarë dhe aftësitë e tyre, në një çështje emergjencash kombëtare.
  5. Të zhvillojë, financojë dhe të vendosë Sistemin e Paralajmërimit të Hershëm

Për shkak se siguria kombëtare për Kosovën përfshin sigurinë njerëzore, dhe për këtë arsye sektorët e tjerë, të cilët tradicionalisht nuk janë të lidhur me sigurinë kombëtare, buxheti i alokuar për marrjen e masave të tilla nuk do të thotë domosdoshmërisht vetëm një buxhet specifik për FSK-në, Ministrinë e Punëve të Brendshme/Policinë ose Agjenicë për Menaxhimin e Urgjencave. Masa e lartpërmendur do të përfshijë institucione të tjera, dhe buxheti i caktuar për masa të tilla duhet të adresojë secilin rol të institucioneve dhe nevojat  aftësuese.

Si e tillë, çdo masë e ndërmarrë për të adresuar kërcënimet dhe rreziqet e sigurisë me karakter kombëtar, ose për ta bërë më të mirë aparatin e sigurisë kombëtare duhet, me siguri, të jetë gjithëpërfshirëse dhe ndër-institucionale.

Besa Kabashi Ramaj është Menagjere Kryesore Operative në Kolegjin Heimerer, një institucion i arsimit të lartë të shkencave shëndetësore. Në të kaluarën, ajo ka punuar si këshilltare e Ministrit për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe më vonë si Këshilltare për Siguri e Kryeministrit të Kosovës, ku ka marrë pjesë në grupin punues për krijimin e aftësive ajrore kombëtare për reagim emergjent. Ajo ka Master për Publicështje Publike dhe Ndërkombëtare/Studime të Sigurisë dhe Inteligjencës nga Universiteti i Pittsburgh.