Teatri Kombëtar/ FOTO-Urim Krasniqi

Premtimet e ministres Dumoshi për pavarësimin financiar të institucioneve të kulturës

Nga viti i ardhshëm institucionet kulturore në vartësi të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të kenë kodet e tyre buxhetore.

Përveç pavarësisë financiare, funksionalizimin e kodeve, këto institucione do të kenë edhe statutet e tyre dhe rregullim të përhershëm të marrëdhënies së punës për performuesit dhe profesionistët e fushave specifike të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore.

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka mbledhur të dje (e mërkurë, 04.11.20200) në MKRS-së drejtuesit e institucioneve kulturore të cilëve u ka kumtuar lajmin për kodet buxhetore.

Por, ministrja nuk ka dhënë ndonjë datë apo afat se kur gjatë 2021 do të funksionalizohen kodet.

Takimi i ministres Dumoshi me drejtuesit e institucioneve. Foto: MKRS

Përmes një komunikate, MKRS ka bërë të ditur se gjatë takimit, ministrja Dumoshi u ka thënë drejtuesve të institucioneve se nga viti ardhshëm institucionet e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore do të kenë kodet e tyre buxhetore.

“Më lejoni t’ju informoj se kam zhvilluar takim me drejtuesit e Ministrisë së Financave dhe Transfereve që institucionet e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore të pajisjen me kode buxhetore. Krahas kësaj dhe në përputhje me aktet ligjore në fuqi, do të angazhohemi që të hartohen statutet e institucioneve, si dhe rregullimin e përhershëm të marrëdhënies së punës për performuesit dhe profesionistët e fushave specifike të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore”, ka thënë ministrja Dumoshi, gjatë takimit, citon komunikata.

Që nga pas lufta institucione kulturore kombëtar kanë funksionuar pa kode buxhetor, ndërsa nga 2018, u ishin mbyllur edhe xhirollogaritë në bankat komerciale.

Të gjendur në një situatë të tillë institucionet kulturore u përballen me mjaft problemet në realizimin e programeve vjetore.

Andaj, për drejtuesit e institucioneve kulturore bërja me kode buxhetore i hapë rrugë zgjidhjes së shumë problemeve që po përballen institucionet e kulturës.

Kreshnik Musolli, ushtrues i detyrës së drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, në një prononcim për Kallxo.com ka thënë se që nga viti 2018 janë duke pritur kodet buxhetore, kur edhe janë mbyllur xhirollogaritë në banka.

“Që nga ajo kohë kemi pas shumë komplikime e vonesa të mëdha për çdo lloj të pagesave për projektet tona. Në momentin që institucioni ynë do të bëhet me kod të veçantë buxhetor, do të pavarësohemi nga aspekti financiar dhe me këtë rast do të përshpejtohen të gjitha procedurat, pasi që do të menaxhojmë vet me buxhetin tonë”, ka thënë Musolli.

FOTO : Baleti Kombëtar i Kosovës

Ndërsa, Enver Rexha, drejtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës, ka thënë për Kallxo.com se përveç kodit, duhet të miratohen edhe dy – tri akte normative për të mundësuar funksionalizimin normal të institucionit që ai drejton.

“Për të na mundësuar një funksionim normal dhe mundësi për zhvillimin e veprimtarisë sonë na duhen edhe dy – tri akte normative. Sidomos zgjidhja e problemit të procedurat për mënyrën e furnizimit me materialet që duhet, sidomos për punë në terren”, ka thënë Rexha, për Kallxo.com.

Që nga pas lufta institucione kulturore në vartësi të MKRS kanë funksionuar pa kode buxhetore dhe me shumë probleme sa i përket alokimit të buxhetit të ndarë për to.

Në mungesë të kodeve buxhetor dhe politikave financiare të zbatuara nga MKRS, nga pas lufta institucionet kulturore buxhetin e tyre e kanë realizuar sikurse të jenë OJQ.

Për të mbuluar shpenzimet për projektet e planifikuara, institucionet kulturore buxhetin arrinin ta merrnin vetëm pasi paraprakisht dërgonin kërkesën- dosjen më të dhëna të hollësishme për projektet, veç e veç.

Nga vera e 2018, mënyra e financimit të institucioneve u komplikua edhe më shumë kur u detyruan të mbyllnin xhirollogaritë e institucioneve në bankat financiare.

Aktualisht institucionet që presin funksionalizimin e kodeve buxhetore janë: Teatri Kombëtar, Baleti Kombëtar, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve, “Shota”, Instituti i Kosovës pë Mbrojtjen e Monumenteve, Galeria Kombëtare e Kosovës, Muzeu Kombëtar, Qendra Kinematografike, Filharmonia e Kosovës, Instituti Arkeologjik i Kosovës.