Teatri Kombetar

Teatri Kombetar. FOTO- Denis Sllovinja

Prapaskenat e konkursit për zgjedhjen e Udhëheqësit Artistik të TKK-së, nga akuzat për vjedhje pikësh deri te tërheqjet e kandidatëve

Me akuza për vjedhje pikësh e mosbesim nga kandidatët është përcjellë konkursi për zgjedhjen e Udhëheqësit Artistik (UA) të Teatrit Kombëtar të Kosovës (TKK-së).

Regjisori Erson Zymberi, nuk është paraqitur të hënën e kaluar (23.05.2002) në intervistën me gojë për zgjedhjen e Udhëheqësit Aritstik të TKK-së. Ai ishte i vetmi kandidat, i cili sipas Këshillit Drejtues (KD) të TKK-së mori pikët e nevojshme nga testi me shkrim për të kaluar tutje. Tërheqja e tij nga gara për këtë pozitë, do ta lë edhe për një kohë Teatrin pa Udhëheqës Aritstik.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar edhe zyrtarisht për anulimin e konkursit dhe duhet të mendojë për hapjen e një konkursi të ri.

Dështimit të konkursit i kanë paraprirë edhe disa skandale, siç ishte konstatimi i Komisionit të Ankesave të MKRS-së se Këshilli Drejtues, kishte dhënë vlerësim të gabuar në disa pyetje të njërit prej kandidatëve, apo tërheqja e kandidatëve ende pa filluar testimi për konkursin. Por, edhe mos ftesa për KALLXO.com për të monitoruar rivlerësimin e testit të kandidatit.

Edhepse, KALLXO.com kishte marrë konfirmimin nga MKRS se mund të monitoronte procesin e konkursit për zgjedhjen e Udhëheqësit Aritstik të TKK-së.

Testimi i kandidatëve

Testimi me shkrim i kandidatëve që konkuruan në konkursi për zgjedhjen e Udhëheqësit Aritstik u mbajt më 19.04.2022 në TKK.

Pesë kandidatët konkuruan në konkurs: Arta Muçaj, Sokol Plakolli, Erson Zymberi, Elhame Kutllovci e Saranda Elshani. Dy të fundit, Kutllovci e Elshani nuk morën pjesë në testim. Ato paraprakisht kishin njoftuar për tërheqjen e tyre nga konkursi që e arsyetuan me mosbesim se vlerësimi do të bëhet në baza meritore.

Pas testimit të kandidatëve, Këshilli Drejtues i TKK-së, në mungesë të një anëtari vlerësoi se vetëm Erson Zymberi mori pikët e nevojshme që të ftohet për intervistën me gojë. Zymberi mori 54.70 pikë. Ndërkaq, Arta Muçaj, 42.40 pikë, kurse Sokol Plakolli 48.60 pikë.

Por, Sokol Plakolli nuk u pajtua me vlerësimin e KD-së.

Gjatë vlerësimit të testit të kandidatëve anëtarët e KD-së patën vështirësi në leximin e shkrimit të Plakollit. Kjo ndikoi edhe në pikët e dhëna në përgjigjet e Plakollit.

Me pretendimin për ‘vjedhje’ pikësh nga KD Plakolli u ankua në Komisionin e Ankesave për Nëpunësit e Shërbimit Publik në MKRS (komisioni i Ankesave).

Vendimi i Komisionit të Ankesave

Në tri raste Komisioni i Ankesave vërtetoi pretendimet e Plakollit, se përgjigjet e tij nuk ishin vlerësuar drejtë nga KD-ja.

“Gjatë shqyrtimit të testit të Plakollit kemi hasur që në disa përgjigje që Plakolli i ka dhënë të sakta, siç janë të parapara në legjislacionin primar dhe sekondar të fushës së teatrit e që KD-ja nuk i ka vlerësuar si plotësisht të sakta”, thuhen ndër të tjerash në vendimin e Komisionit të Ankesave të datës, 27.04. 2022.

Sipas Komisionit të Ankesave këto janë përgjigjet e Plakolli të cilat KD-ja nuk i ka vlerësuar drejtë:

 

 

Komisioni i Ankesave e miratoi pjesërisht ankesën e Plakollit dhe kërkoi rivlerësimin e testit të tij nga KD-ja i TKK-së. Komisioni i rekomandoi KD-së se nëse nuk mund ta lexojë shkrimin e Plakollit ta ftojë kandidatin në takim dhe të marrë përgjigjet direkete nga ai.

Rivlerësimi i testit të Plakollit

Rivlerësimi i testit të Plakollit është bërë më 29 prill 2022 në TKK. KALLXO.com nuk u ftua për monitorimin e rivlerësimit, edhe pse kishte miratimin e MKRS dhe KD-së së TKK-së për monitorim të gjithë procesit të konkursit për zgjedhjen e Udhëheqësit Aritstik të TKK-së.

As KD i TKK-së e as MKRS nuk kanë dhënë përgjigje pse KALLXO.com nuk është ftuar, e as njoftuar për monitorimin e rivlerësimit.

Pas rivlerësimit, që u bë nga 7 anëtarët e KD-së së TKK-së, Plakolli mori, 46. 39 pikë. Plakolli nuk u pajtua as me rivlerësimin dhe përsëri u ankua në MKRS. Kësaj radhe Komisioni i Ankesave konsideroi se vendimin për këtë çështje e kishte dhënë më 27.04.2022.

Pas këtij vendimi KD, mori vendim për vazhdimin e konkursit me intervistimin e të vetmit kandidat që kishe marrë pikët e nevojshme nga testimi me shkrim.

Ndërsa, Plakolli nisi një protestë për të kërkuar drejtësi, pasi sipas tij, ia ‘janë vjedhur pikët nga KD-ja’.

“Arsyeja e protestës që po zhvilloj tash e tre ditë në Sheshin ‘Skënderbeu’ në mes Parlamentit dhe Teatrit Kombëtar ka të bëjë me vjedhjen dhe keqpërdorimin e pikëve në konkursin publik për Udhëheqës Aritstik të TKK së nga ana e KD të TKK së. Për pikët që më janë vjedhur do të ushtrojë edhe kallëzim penal si dhe do të kërkojë rivlerësim publik”, tha ia për KALLXo.com.

Tërheqja e Zymberit dhe anulimi i konkursit

Të hënën që shkoi, më 23.05.2022, KD i TKK-së kishte caktuar intervistën me gojë të Erson Zymberit. Ai ishte i vetmi që mori pikët e nevojshme për intervistim.

Por, Zymberi, afër dy orë para kohës së intervistës njoftoi KD-në dhe MKSR-në se kishte vendosur të tërhiqet nga konkursi.

I kontaktuar nga KALLXO.com Zymberi tha se tërhiqej për arsye personale.

“Për arsye personale jam tërhequr nga gara, nuk kam arsye tjetër”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Ndërsa, MKRS i tha KALLXO.com se është njoftuar zyrtarisht nga kandidati se tërheqja e tij është bërë për arsye personale.

“Ne nuk kemi konstatuar asnjë shkak të tjetër objektiv apo ligjor për këtë vendim të kandidatit i cili është në vullnetin e tij/saj që të vazhdojë apo jo me fazat e konkurimit për këtë pozitë”, thuhet në përgjigjen e MKRS, për KALLXO.com. Në këto kushte, MKRS thotë se do të ketë përsëritje të konkursit për pozitën: Udhëheqës Artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Nga qershori i vitit 2019 TKK është pa Udhëheqës Aritstik. Ky është konkursi i tretë për Udhëheqës Aritstik që anulohet nga MKRS.

Sipas ligjit për Teatrot, Udhëheqësi Artistik zgjedhet me konkurs publik nga Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar.