Populistë dhe Fashistë: Rendi i Ri Botëror Pas Brexit?

“Unë jam nacionalist. Jam për këtë vend”, thotë Lee ndërsa intervistohet nga BBC para dyqanit të një polaku në Leeds të Anglisë – një rajon ku referendumi për Brexit shënoi një përkrahje të lehtë për të qëndruar në BE.

Më pas, ai me krenari e quan veten fashist, ndërsa gazetari i ngre me delikatesë mëngën ku shfaqet një tatuazh i kryqit të thyer nazist.

Ky nuk është tatuazhi i vetëm i Lee. Në qafë ka të vizatuar fjalën “England” dhe fytyra e tij mban vraga plagësh që duken si kujtime përleshjesh të mëparshme.

“Duhet të rimarrim vendin tonë… ky nuk është racizëm”, thekson ai mes një shikimi të egër. Por Svastika në krah, vetëdeklarimi si fashist, madje edhe vetë fytyra e tij nuk shkojnë mirë me këtë pretendim të fundit.

Lee nuk është i vetmi në ishull që ushqen pikëpamje ksenofobe. Flamujt e Anglisë me Kryqin e Shën Gjonit po valëviten më shumë e më dukshëm në pullazet e shtëpive dhe nga dritaret e makinave.

Emigrantët nga Evropa Lindore, shtetas të BE-së, tani po përballen me përtallje e ofendime nga më patriotët ndër anglezët.

“Akoma këtu? Nuk jeni shporrur ende? Shpejt e ke radhën ti! Ik vetë, mos prit të të nxjerrim ne me shkelma!” – janë vetëm disa nga larmia e sharjeve dhe kërcënimeve, me të cilat po përballen emigrantët më të rinj evropianë në Angli.

Edhe emigrantët më të vjetër, pakistanezë, indianë dhe xhamajkanë, ndonëse nuk janë në qendër të këtij hovi ksenofobik dhe nuk u thuhet të largohen, pohojnë se një ndjesi jomiqësore ndjehet në ajrin e “Anglisë së Çliruar”.

Shprehi të tilla racizmi dhe ekstremizmi do të kishin qenë të pamendueshme vetëm pak ditë më parë, kur referendumi për qëndrimin apo largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian ende nuk kishte dhënë rezultatin fitues për daljen nga familja shumështetëshe e ringritur nga rrënojat e Luftës II Botërore.

Por Britania pas 24 qershorit, apo çka mbetet nga ajo, është shumë më e ndryshme dhe nuk do të jetë më kurrë e njëjta si ajo deri në 23 qershor, kur britanikët votuan në masën 52% për të dalë nga Bashkimi Evropian, përkundër 48% që zgjodhën të qëndronin.

Histeria me flamujt e një separatizmi teorik, dikujt mund t’i kujtojë shprehitë e nacionalistëve amerikanë të jugut, të cilët valëvitin flamurin e Konfederatës (i para Luftës Civile 1861-65).

Flamuri i Anglisë krahas atij të Mbretërisë së Bashkuar| Foto: Wikimedia Commons

Mbretëria e Përçarë

Britania e Madhe apo Mbretëria e Bashkuar ndryshon disi nga modeli nacionalist/separatist i ish-kolonive të tyre.

Kur vjen puna te flamujt me kryq, Skocia ka gjithashtu të vetin – atë me Kryqin diagonal të Shën Andreas.

“Opsioni i referendumit të dytë [për pavarësi nga Britania] duhet të jetë në tryezë dhe është në tryezë”, tha Nicola Sturgeon, Kryeministrja (Ministrja e Parë) e Skocisë, menjëherë pas rezultateve të Brexit.

Sturgeon tha se ishte “demokratikisht e papranueshme” që Skocia të përballej me mundësinë e nxjerrjes nga BE-ja kundër vullnetit të saj.

Skocia, e cila ka prirje të qarta pro-evropiane, mbajti një referendum për pavarësi në vitin 2014, kur shumica e qytetarëve të saj zgjodhën të qëndrojnë në Britani, me një epërsi të vogël prej 55.3%.

Por pas referendumit të 23 qershorit, kur shumica e britanikëve (anglezët në veçanti) zgjodhën ta lëshojnë BE-në, rezultati skocez do të ishte i ndryshëm nga ai i para dy viteve, dhe himni jo-zyrtar “Scotland the Brave”, do të bëhej melodia zyrtare e vendit më të ri të pavarur.

Irlanda e Veriut, ndërkaq, mund të zgjedhë ndër dy flamuj të ndryshëm me kryq, atë me kryq horizontal i njohur si Flamuri Ulster dhe atë me Kryqin diagonal të Shën Patrikut.

Kujtimet e luftës për pavarësi deri në vitin 1860 përmes Ushtrisë Republikane Irlandeze (IRA), të cilat kulmuan me akte terrorizmi dhe vrasjesh civilësh si nga revolucionarët dhe lojalistët, janë ende të freskëta.

Por mbetje të organizatës dikur-terroriste sot janë të përfaqësuara zyrtarisht dhe mbajnë poste publike në politikën britanike.

Vendi është aktualisht në dilemë se çka duhet të bëjë, por gjasat prirjet separatiste janë dukshëm në rritje, nëse thjesht dëgjohen deklaratat e politikanëve lokalë.

Gjithashtu, duke qenë se vendasve u lejohet të mbajnë dyshtetësi, atë britanike dhe atë irlandeze, është shënuar një rritje e menjëhershme e aplikimit për pasaporta të Republikës së Irlandës.

Rezultati i votës së Brexit mund të jetë i tillë sa t’i japë fundin realitetit të brishtë të Mbretërisë së Bashkuar, i cili u jetësua pas shekujsh luftimesh të përgjakshme në 1707 dhe modifikimin e fundit e pësoi në vitin 1801, kur 5/6 e Irlandës fitoi pavarësinë.

Nëse Skocia dezerton, atëherë anti-evropianët britanikë mund t’i kenë dhënë dërrmën një herë e mirë Britanisë së Madhe: Kaq mund e gjak e llahtar i kotë, për një disfatë paqësore pa nder dhe pa lavdi.

https://www.youtube.com/watch?v=PSH0eRKq1lE

Një luftë klasash

Demografia e atyre që votuan në Britani flet shumë për rezultatin. Ndërsa të rinjtë e arsimuar dolën në numra më të vegjël për të votuar, pjesa tjetër e grupmoshave më pleqnore ishin më të zellshme.

Kjo vlen të theksohet sepse demografia e votuesve për “pavarësinë britanike nga BE” ishin në masë madhe të paarsimuar, të moshuar dhe nacionalistë.

Sipas rezultateve demografike, rezultoi se shumica e atyre me arsim të lartë votuan për të qëndruar në BE, shumica e atyre pa kualifikime të mirëfillta profesionale (pra jo-profesionistë të mirëfilltë) votuan të largohen, dhe ata me të ardhura më të ulëta (pra më të varfrit) gjithashtu votuan në shumicë për t’u larguar nga BE.

Nga ana tjetër, 61% e personave mbi 65 vjeç dhe 56% e personave nga 50-64 vjeç votuan për t’u larguar nga BE; ndërsa 56% e personave 25-49 vjeç dhe 75% e personave 18-24 vjeç votuan për të qëndruar në BE.

Gjithashtu, të gjitha nga 30 rajonet ku votuesit e konsideronin veten “anglezë” votuan për daljen nga Bashkimi Evropian.

Këto shifra përfaqësojnë një luftë klasash: më të rinjtë, më të arsimuarit, më profesionistët dhe më të pasurit zgjodhën BE-në, ndërsa më të vjetrit, më injorantët, jo-profesionistët, të varfrit dhe nacionalistët zgjodhën “Britaninë (lexo: Anglinë) e Pavarur”.

Premtimet e klikës konservatore angleze të drejtuar nga Boris Johnson, Michael Gove dhe Nigel Farage kishin të bënin kryesisht me ekonominë – paratë që i dërgoheshin BE-së të cilat duheshin investuar në shëndetësinë vendase – dhe ndaljen e emigracionit.

Por, vetë liderët populistë pranuan menjëherë pas rezultateve të votës se transferimi i fondeve nuk do të ishte aq i thjeshtë sa i ishte premtuar, dhe se emigrantët evropianë do të kishin mundësi të importoheshin edhe për disa kohë.

Pas paralajmërimit zyrtar të Kryeministrit David Cameron për dorëheqje në vjeshtë, konservatori separatist Boris Johnson pritet të jetë zëvendësuesi.

“Nuk po qeshni tani apo jo?” – Farage i tha Parlamentit Evropian të martën. Me një pamje triumfuese ai lëshoi një batare ofendimesh. Kësaj radhe europarlamentarët iu përgjigjën me qeshje dhe përtallje.

Prej kësaj pike, populizmi dhe proteksionizmi ka gjasa që vetëm të vijnë e të thellohen në atë që dikur njihej si Mbretëria e Bashkuar, sot më e përçarë se kurrë.

Dallimet politike, klasore dhe shoqërore rrezikojnë të thellohen edhe më tej, duke tronditur vetë bërthamën e stilit britanik të jetesës, ku çaji i sallonit mondan londinez dhe qulli i punëtorisë ‘cockney’ vështirë se do të mund të bashkëjetojnë në harmoni.

Ndërkaq, ithtarët e kampit anti-BE, të pavetëdijshëm për dëmin e shkaktuar dhe përshkallëzimet e kobshme që mund të vijnë, janë dyndur rrugëve dhe medieve sociale në histeri të çlirët racizmi e ksenofobie.

Britania sot është aq e përçarë saqë vendasit po përdorin një aplikacion të ri mobile për takime romantike, “Remainder”, ku vetëm ata që votuan që Britania të qëndrojë në BE, pra vetëm 48% e popullatës, mund të njihen dhe të çiftohen ekskluzivisht brenda tyre.

Kjo përçarje, e cila tashmë është bërë edhe seksuale, nuk është një problem ekskluzivisht britanik, por i ka të gjitha premisat për t’u zhvilluar edhe në vende të tjera të Evropës.

Simboli i neofashizmit | Foto: Wikimedia Commons
Simboli i neofashizmit | Foto: Wikimedia Commons

Ekstremi i djathtë marshon

Spektakli që sapo ka filluar në ishull, pritet të intensifikohet, madje edhe të përhapet nga ana tjetër e detit, në Kontinentin e Vjetër, i cili teksa njërin sy e mban nga zhvillimet ishullore, me tjetrin vëzhgon me ankth populistët e vet neofashistë.

Frika është e argumentuar.

Austria, një vend evropian i qetë, pedant dhe relativisht i dashur, për pak sa nuk zgjodhi president, Norbert Hofer, një kandidat të Partisë së Çlirimit nga e djathta ekstreme.

Alexander Van der Bellen, i cili në maj të këtij viti u bë Presidenti i vendit të vilave të bardha, shnicelit dhe çokollatave “Mozart”, fitoi me vetëm 50.3% të votave kundrejt 49.7% të rivalit.

Nëse Hofer i ekstremit të djathtë do të kishte fituar, kjo do të ishte hera e parë që nga viti 1945 që Evropa do të votonte një kryetar shteti nga e djathta ekstreme.

Sipas The Economist, “një huqje kaq e afërt, nga një politikan që në të shkuarën do të ishte shpërfillur si kandidat periferik, është një shenjë e [ndryshimit] të kohëve”.

Problemi është se kur flitet për Austrinë, njerëzit kujtojnë Vjenën dhe rezortet e skive, ashtu sikurse flasin për Britaninë, ata mendojnë për Londrën dhe shëtitjet e bukura me tren.

Nuk kanë qenë kurrë në Maidstone Kent, fjala që bie, një zonë përfaqësuese e “pjesës tjetër të vendit”, ku njerëzit janë të pashkolluar, vishen keq dhe i thonë pa ironi një emigranti 24 –vjeçar nga Shqipëria me njohuri mesatare të gjuhës angleze: “You speak proper English” (Ti flet anglisht siç duhet) – me një dialekt ku gjysma e fjalëve përtypen ndër hungërima.

Të tilla janë një pjesë e mirë e vendeve në Evropë, ku ‘harbutët’ mund të kenë një mirëqenie më të lakmueshme e të jenë disi më të sjellshëm se ata të Ballkanit, por janë prapë se parë, ‘harbutë’.

Përgjatë Evropës Plakë, populistët e së djathtës po marshojnë drejt një triumfi: FPO në Austri, Fronti Kombëtar në Francë dhe Jobbik në Hungari.

Pa folur për nazistët zeshkanë të Agimit të Artë në Greqi. Këta të fundit janë një rast udhërrëfyes për populizmin e së djathtës ekstreme, i cili gjendet në përgjigjen e pyetjes: Si mund të jetë dikush edhe nazist edhe zeshkan?

Përgjigja: Shumë e thjeshtë. Mjafton të jesh edhe populist.

Nga kjo shpjegohen kokërruarit neofashistë rusë, fashistët brunë dhe me flokë të zeza të lëpira të jugut të Italisë, apo të djathtët nordikë dymetroshë dhe me sy blu.

Nuk ka të bëjë me racën, por me populizmin ndaj injorantëve të cilët u thuhet kurdoherë se ata janë kombi i përzgjedhur dhe se duhet t’u bëjnë ballë dyndjeve të refugjatëve, apo më keq hordhive të myslimanëve.

Neonazistë gjermanë të viteve '90 | Foto: Wikimedia Commons
Neonazistë gjermanë të viteve ’90 | Foto: Wikimedia Commons

Çfarë është BE-ja?

Kjo është pyetja më e mirë që votuesit britanikë i bënë vetes.

Mjerisht, diçka e tillë ndodhi vetëm pas shpalljes së rezultatit për të dalë nga Klubi Evropian, kur Google Analytics tregoi se kjo pyetje zinte vendin e dytë në kërkimet e britanikëve në motorin e kërkimit.

Vota e Brexit flet edhe për një Britani të plakur, kur më të vjetrit lejohen të vendosin për fatin e më të rinjve, sepse, ata gjithnjë e më shumë përfaqësojnë shumicën. I njëjti skenar vlen pak a shumë edhe për pjesën tjetër të Evropës.

Ndërsa pleqtë e Kontinentit të Vjetër kanë nevojë për importim të rinjsh pjellorë, kryesisht nga Afrika, për të mbajtur gjallë ekonomitë dhe sistemet e tyre të lëkundura të pensioneve, modeli Britanik përfaqëson një recetë disfate, në një farë mase, të pakthyeshme.

Përballja mes nevojave dhe sfidave të vërteta dhe populizmit në rritje, është e vërtetë dhe shqetësuese.

Nuk ka rëndësi nëse paundi britanik (“funta” në Kosovë) ra në një nivel rekord të para 31 viteve, dhe se kompanitë më të mëdha britanike humbën rreth 40 miliardë paund të vlerës së tyre në bursa.

Populistët gjithnjë mund t’i vënë fajin “sistemit të korruptuar global-neoimperialist” dhe “Evropës kolonialiste”.

Çfarë është Evropa, atëherë, dhe si hyn në këtë histori?

Kur në vitet 2007-2008 u materializua ajo që njihet si “Kriza Greke”, një ide që u kundërshtua me tmerr ishte ajo e daljes së Greqisë nga Eurozona.

Në fakt, BE-ja ka shpenzuar gati një dekadë për të shmangur daljen e Greqisë nga unioni monetar, dhe ndonëse shpjegimet zakonisht vërtiten rreth analizave të ndërlikuara financiare për humbjet e kreditorëve, arsyeja mund të jetë më e thjeshtë.

Të sjellësh ndër mend eksodin e një anëtari të Eurozonës do të thotë të nënvlerësosh kapitalin politik dhe ekonomik që ngjizi lindjen e valutës në vitin 1999, çka është edhe projekti më ambicioz i Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore.

Valuta e përbashkët nuk u hodh thjesht për të lehtësuar tregtinë mes vendeve anëtare; ajo ka të bëjë me bashkimin e vendeve që kanë kaluar një pjesë të mirë të shekullit XX duke u masakruar qytetarët e njëri-tjetrit.

Vendet që e kanë bazuar krijimin e pasurisë te tregtia me fqinjët – si Gjermani për shembull – kanë më pak të ngjarë që të dërgojnë tanket përtej kufijve.

Tani, imagjinoni daljen e një anëtari kyç nga vetë ngjizja politike e Bashkimit Evropian dhe dëmin që i sjell kjo projektit të brishtë për paqe në kontinent e më tej.

Kjo është një goditje e pastër në zemrën e projektit evropian, një dërrmim i shtyllave që mbajnë ngrehinën e Bashkimit Evropian, jo thjesht një problem serioz financiar, siç është rasti i Greqisë.

Në thelb, BE-ja përveç një konglomerati vlerash deri-diku abstrakte dhe interesash më realiste, përfaqëson një premtim për të mos u vrarë brenda llojit.

Sipas përcaktimit zyrtar, Bashkimi Evropian është një bashkim politik dhe ekonomik i 28 shteteve anëtare, të cilat janë “kryesisht të vendosura në Evropë”, i themeluar fillimisht në vitin 1958.

Programi i zgjerimit të BE-së me shtete më periferike, ku hyjnë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor mbështetet mbi dijen historike se luftërat shpesh kanë ardhur nga vende jo brenda Evropës tradicionale, por edhe nga ato si tonat, apo posaçërisht nga vendet tona.

Dhe siç thotë edhe shprehja pa autor: “Historia e përsërit veten”.

Evropianët këtë e kanë kuptuar, por mesa duket, jo të gjithë evropianët.

Foto: Pixabay
Foto: Pixabay

Ballkani problematik dhe Kosova e brishtë

Mëngjesin e 23 qershorit, reagimi i parë nga qeveria kosovare për Brexit ishte një publikim i zëvendësministrit të Jashtëm, Petrit Selimi, në Twitter. Nuk ishte një mesazh zyrtar, por një GIF i Vladimir Putin që vallëzonte plot hare.

Komenti në karikaturën e lëvizshme shkruante: “Filmim i vërtetë i Vladimir Putin këtë mëngjes”. Sa keq mund të ishte puna?

Rreth 9 milionë ushtarakë dhe 7 milionë civilë vdiqën në Luftën e Parë Botërore, e cila nisi nga një incident në Ballkan.

Ndaj Ballkani dhe Kosova – kjo e fundit një projekt i Perëndimit – janë në qendër të vëmendjes evropiane kur fjala vjen të paqja dhe stabiliteti.

Miliarda e miliarda euro janë shpenzuar për ta bërë Ballkanin një rajon ‘normal’, programe për fuqizimin e sundimit të ligjit, të demokracisë, mjedisit dhe marrëdhënieve ndërmjet vendeve.

Premtimi ka qenë kurdoherë ai bërjes pjesë të Familjes së madhe Evropiane dhe përfitimeve që vijnë nga kjo. Kjo e fundit është sot në pikëpyetje, duke qenë se pas votës së Brexit, Evropa ka halle më të mëdha, nga ato të natyrës ekzistenciale.

Plani i zgjerimit ka gjasa të futet në listat e projekteve që presin, dhe vetë Kosova, një projekt-shtet me sovranitet tepër të lëkundur, nuk dihet ku do të përfundojë në këtë agjendë.

Të mos harrohet se qeverisjet autokrate shkojnë e vijnë në Ballkan dhe disa prej tyre lulëzojnë edhe sot. Është vetëm presioni – duhet pranuar, në një farë mase populist – i Evropës që në një farë mase ka arritur t’u vërë fre.

Pa të njëjtin presion, demokracitë e brishta ballkanike mund të shndërroheshin brenda një nate, në regjime të mirëfillta autoritare, dhe Kosova mund të mos bënte përjashtim.

Nëse projekti evropian fillon e vyshket me shpejtësinë të cilës shumë ekspertë i druhen, shpresat janë të pakta dhe skenarë të kobshëm mund të materializohen.

Por dikush mund të përmendë dashurinë e Kosovarëve për Amerikën dhe faktin që Shqipëria është tashmë në NATO – krahas vendeve të tjera në Ballkan.

Por një karagjoz racist, mizogjen, delirant i paparashikueshëm që përgatitet të bëhet President i i Shteteve të Bashkuara në anën tjetër të globit, nuk përbën rast për t’u gëzuar.

Dondal Trump nuk është i vetëm në ekstremizmin e tij populsit, ndërsa Trump-ë të tjerë, neofashistë, apo thjesht fashistë, presin të nxjerrin kokën nga bataku për të marrë pushtetin në shtetet përkatëse nëpër Evropë.

Një rrënim i projektit evropian do të thotë që Kontinenti i Vjetër dhe vendet tashmë satelite mund t’u kthehen kufijve strikt kombëtarë të pas luftërave botërore, me Rusinë në njërën anë dhe të tjerët në tjetrën.

Mund të ketë sërish ‘blloqe’ dhe sërish surpriza të pakëndshme. Ky është një skenar apokaliptik, i pagjasë, mund të thonë disa. Por Brexit mund të ketë shtyrë një levë me reagim të ngadaltë dhe të pakthyeshëm, proces i cili mbetet për t’u soditur dhe provuar në lëkurë.

Një shaka e inflacionuar kosovare dhe e treguar njëlloj nga të gjitha vendet e Ballkanit thotë: “Kur t’i vijë koha Kosovës për të hyrë në BE nuk do të ketë më Bashkim Evropian”. Sot ka gjasa që shakaja të bëhet realitet.

Por pyetja e vërtetë dhe serioze nuk është çka mund t’i ketë ndodhur BE-së në atë kohë që sot ngjan më e afërt se dje, por se çfarë do të ndodhë me Ballkanin dhe Kosovën.

Foto: Twitter i Petrit Selimit
Foto: Twitter i Petrit Selimit