Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

'Politika' e mbishkrimeve shoqërore kundër 'politikave' shtetërore

Përmes mbishkrimeve (grafiteve) nëpër pjesë të frekuentuara të qyteteve, shpesh ngritet zëri ndaj gjendjes politike, dhunës ndaj grave, krizës ekonomike, vdekjeve të pashpjegueshme politike dhe dukurive tjera negative.

Pas ngjarjeve që kanë bërë bujë në Kosovë, mëngjeset kanë zbardhur me dy-tre mbishkrime “revoltuese” në muret e lokaleve, të objekteve të vjetra, shesheve, universiteteve dhe institucioneve tjera.

Mbishkrimi i cili përcjell shumicën e mureve në Prishtinë është “Drejtësi për Astritin” me anë të të cilit kërkohet drejtësi për vdekjen e anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari, i cili vdiq në rrethana të pashpjegueshme në burgun e Prizrenit në vitin 2016.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tjetër mbishkrim që shoqëron muret e institucioneve është “Ku është Ukshin Hoti?” me anë të të cilit kërkohet zbardhja e rastit të zhdukjes misterioze të profesorit, aktivistit e politikanit Ukshin Hoti që nga viti 1999.

Ndërsa përpos këtyre hasim edhe parulla kundër dhunës ndaj grave si “Gra, revoltohuni”, “Përdhunuesit në burg”, “Patriarkati dhunon gratë” përmes të cilave tentohet të zhduket dukuria e vrasjes së grave, dhunimeve e të respektohet e drejta për pronë, e drejta në politikë.

Adelina Tërshani, aktiviste feministe dhe autore e disa mbishkrimeve në kryeqytet tregon se has në pengesa të shumta në realizimin e mbishkrimeve feministe nëpër muret e caktuara.

“Njerëzit që nuk pajtohen me parimet e feminizmit, zgjedhin të kritikojnë pikërisht këto mbishkrime përderisa nuk reagojnë kur kjo formë e shprehjes publike përdoret prej burrave”, tha Tërshani për KALLXO.com.

Ajo tha se kjo lloj revolte pason nga shtypja e vazhdueshme e të drejtave të grave në Kosovë, dhe se pavarësisht kritikave ajo do të vazhdoj ta përdor këtë formë të vjetër shprehëse.

Sipas saj, në Kosovë sistemi patriarkal nuk e do që asnjë hapsirë publike të përdoret prej grave, prandaj ato i dalim kundër kësaj tradite duke i përdorur këto hapsira për të përçuar mesazhe mbi të drejtat elementare të grave dhe vajzave. 

Tërshani tha se revolta përmes shkrimeve nëpër rrugë, muret e qytetit dhe insitucioneve ka treguar efektin e madh sepse njerëzit kujtohen për të drejtat e grave edhe në momentin kur thjeshtë kalojnë nëpër rrugët e qytetit. 

“Zhvendosja e debatit publik mbi këto shkrime, nëpër media sociale e forcon nevojën për diskutim dhe vetëdijësim të njerëzve mbi të drejtat e grave”, u shpreh aktivistja.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ndërsa, për ndikimin e parullave në shoqëri dhe faktorët e realizimit të tyre sociologu Shemsi Krasniqi, tha se mbishkrimet e tilla të realizuara në zona të frekuentuara nga qytetarët bartin mesazhe të rëndësishme që kanë të bëjnë me kulturën, moralin, drejtësinë, politikën por edhe ideologjinë. 

Sipas tij, kjo fushë ‘komunikimi publik’ ka të bëjë me atë që quhet art i rrugës, grafite urbane ose edhe art publik. 

Krasniqi tha se mesazhet e tilla nganjëherë janë të drejtëpërdrejta, e nganjëherë alegorike, ironike, kritikuese dhe satirizuese dhe se grupet që i vendosin ato mesazhe zakonisht janë grupe subkulturore, por shpeshherë edhe tifozeri politike, sportive, etj.

“Mesazhet që përmbajnë rëndom janë shprehje emocionale që lidhen me paknaqësinë aktuale dhe zakonisht janë revoltë ose protestë ndaj absurdit, padrejtësisë, diskriminimit, injoracës, degradimit, abuzimit. Pra, ky lloj arti është mjaft i fuqishëm si shprehje estetike dhe gjithashtu edhe mjaft efikas si aksion politik”, tha Krasniqi.

Sipas tij, mbishkrimet e tilla janë shembuj tipik të thirrjes për vendosjen e drejtësisë, lloj i aktivizmit qytetar që krahas formave tjera të aktivizmit edhe kjo e ka efektin e vet.

 “Institucionet nuk është se nuk i pranojnë, sepse këto janë njëfare zëri i padukshëm i qytetarit, por që troket ndërgjegjen e qeveritarit”, u shpreh Krasniqi.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ai tha se edhe në qoftëse nuk merren parasysh zyrtarisht, gjithmonë kanë efekt në aspektin moral ose në atë të ndërgjegjes ose vetëdijesimit. 

Edhe regjisori Ben Apolloni thotë se parullat nëpër qytet janë mënyrë e shprehjes së revoltës.

Sipas tij, revolta e tillë është efikase sepse në këtë formë tregohet qytetari aktive se gjendja në të cilën gjendet Kosova nuk ështe e kënaqshme dhe duhet të ndryshojë. 

Apolloni thotë se një shtet normal mbishkrimet e tilla do të duhej të i merren parasysh nga institucionet por që në Kosovë fatkeqësisht nuk përfillen.

“Sepse nuk jane politikanët që e kuptojnë demokracinë, që e respektojnë opinionin”, u shpreh ai.

Ilir Muharremi, kritik arti tha se mbishkrimet e tij janë art urban pa marrë parasysh nga kush bëhen, artistë apo aktivistë bëhen me vetëm një qëllim, ndryshimi i gjendjes politike e shoqërore përmes formave artistike.

Sipas tij, këto mesazhe që zakonisht ngjyrosen me ngjyrë të zezë janë thirrje kundër padrejtësisë, akuza për korrupsion dhe shprehje të frikës për të ardhmen si “Unë votoj, ti voton, ai/ajo voton. Ne votojmë, ju votoni, ata përfitojnë”, “A ofendohesh ti nga papunësia?”, një shenjë e radioaktivitetit, e shoqëruar me fjalët “Zonë Radioaktive”.

“Është art estetik, i protestës që prek bindjet e figurat e njerëzve. Ata kanë për qëllim vetëdijësimin përmes këtyre formave. Por politikanët tonë nuk kanë njohuri për artin për atë as nuk dijnë ta kuptojnë”, tregoi kritiku i artit.

Muharremi tha se arti modern është art i protestës, estetik dhe para se gjithash art i demokracisë i cili në asnjë formë nuk duhet të kufizohet.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Përpos kundërshtimeve ndaj dukurive negative në shoqëri, mbishkrimet e  tilla përdoren edhe nga aktivistë të partive për të kundërshtuar politikën e partive tjera.                                         

Para disa ditësh Partia Socialdemokrate në mënyrë ironike kishte vendosur fotografinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në kontejnerët të cilët ndodhen në lagjen Pejton me mbishkrimin anash “Recycle Bin” si mbishkrim kundërshtues ndaj politikës së ish-kryeministrit Albin Kurti.

Gjatë këtij aksioni, anëtari i PSD-së, Drilon Pireva kishte thënë se përmes këtij aktiviteti po tregojnë se ndryshimi është politikë e re dhe nuk është mjeshtri e riciklimit.

“Riciklimi i mbeturinave është ekonomizim dhe ruan ambientin, mirëpo riciklimi i politikës dhe politikanëve është ruajtje e gjendjes së vjetër e cila sot na shpërfaqet si ndryshim”, kishte thënë Pireva.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Grafitet si formë komunikimi përgjatë viteve janë përdorur si mjet i rezistencës por me kalimin e viteve ato janë përdorur për qëllime të ndryshme.

Shumëllojshmëria dhe sasia e mbishkrimeve tregojnë se konsiderohet pjesë e trashëgimisë gjuhësore të konfliktit.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Spanjë mbishkrimi i shenjave “V” në mure pas bombardimeve të RAF (Forcat Ajrore Mbretërore)  nënkuptonte mbështetjen e forcave aleate, ndërsa gjatë Luftës Civile aktivistët anti-franko shkruajtën shkronjën “P” si një thirrje për të protestuar, duke përdorur mbishkrimet si një mjet komunikimi për të përhapur informacionin e censuruar.