'Polarizimi' politik i Kuvendit të Kosovës

Komisioni Evropian javën e kaluar publikoi Raportin e Progresit për Kosovën, në të cilin ishin evidentuar edhe sfidat në funksionimin e mirëfilltë të punës së Kuvendit të Kosovës.

Mungesat e shpeshta të deputetëve, përfshirë bojkotin e pjesshëm, shpesh rezultuan në dështimin e arritjes së kuorumit për vendimmarrje dhe vonesa në veprimtarinë legjislative, janë gjetjet e theksuara në raportin e KE-së.

“Kuvendi vazhdoi të vepronte në një kontekst shumë të polarizuar politik. Së bashku me dobësitë e vazhdueshme në lidhje me rregullat e procedurës dhe planifikimin e seancave, kjo çoi në vonesa në veprimtarinë legjislative”, thuhet në këtë raport.

Lidhur me këto gjetje, Korab Sejdiu deputet i pavarur i Kuvendit të Kosovës, njëherësh anëtar i Komisionit për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete, ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se nuk u duhet një raport nga BE apo ndonjë institucion tjetër jashtë vendit, për t’u treguar gjendjen në të cilën jetojnë çdo ditë.

“Kuvendi është në kolaps total, falë kryesisht dy arsyeve. Fillimisht, keqmenaxhimi nga kryeparlamentari është evident, sepse në nivel personal, nuk e ka prioritet punën në Kuvend dhe funksionimin e tij kushtetues, dhe rrjedhimisht, ka shkatërruar punën e Kuvendit, ndoshta edhe qëllimisht, që ekzekutivi t’i ketë duart e lira për të shkatërruar vendin dhe jetën e qytetarëve”, tha deputeti.

Sipas Sejdiut arsyeja e dytë janë problemet që ndërlidhen “shumicën” parlamentare që në fakt, sipas tij, nuk është e tillë.

“Prandaj, në mungesë të vullnetit të opozitës, nuk mund të shtyjë përpara asnjë punë të Kuvendit.  Në fakt, vetëm mbështetja e qeverisë nga PSD, i ka mundësuar sa do pak qëndrimin në këmbë kësaj qeverie.  Prandaj, ky raport thjeshtë reflekton pasojat e këtyre dy anomalive me të cilat po ballafaqohet Kuvendi, dhe ne si deputetë”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, hulumtuesja Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) që monitoron punën e Kuvendit, ka thënë për Gazetën JnK, se problematikat e theksuara në Raportin për Kosovën këtë vit, lidhur me funksionimin e Kuvendit janë gjetjet pothuajse të njëjta që përsëriten tash e disa vite.

“Mungesa e kuorumit në punimet plenare gjatë vitit që shkoj dhe në këtë fillim vit si dhe organizmi jo i mirëfilltë i punës në Kuvend janë dy prej problematikave që në raportin e këtij viti janë më të theksuara”, vlerëson hulumtuesja.

“Çështjet e tjera si polarizimi mes pozitës e opozitës, mbikëqyrja e dobët parlamentare ndaj ekzekutivit, mungesa e konsultimeve me publikun gjatë procesit ligjbërës, mbikëqyrja e dobët ndaj institucioneve të pavarura janë theksuar për disa vite më radhë në Raportet për Kosovën, për të cilat Kuvendi nuk ka shënuar progres tash e disa vite”, shtoi më tej ajo.

Sipas Haxhiut, që nga fillimi i legjislaturës së gjashtë, e veçanërisht që nga fillimi i këtij viti e veçanërisht Kuvendi i Kosovës, nuk po arrin të funksionoj si duhet dhe vazhdimisht është duke u përballë me problematika të ndryshme, kryesisht të natyrës politike.

“Numri i madh i seancave të jashtëzakonshme të mbajtura për këtë periudhë (janar – maj) ka lënë anash zhvillimin e seancave plenare me një sërë pikash që kanë mbetur të papërfunduara që nga muaji tetor i vitit 2018”, bën të ditur monitoruesja e KDI-së.

Gjetjet dhe rekomandimet e Komisionit Europian për Kuvendin

Në raportin e Komisionit Europian, theksohet se vazhdimi i shkeljeve të shpeshta të rregullave të procedurës së Kuvendit ka ndikuar në përkeqësimin e tensioneve politike ndërmjet koalicionit qeverisës dhe opozitës.

“Për më tepër, një sërë seancash plenare nuk janë përfunduar, duke rezultuar në një numër të madh të pikave të rendit të ditës”, theksohet në raportin e KE-së.

Sipas raportit, nga 91 ligjet e miratuara gjatë periudhës raportuese, vetëm dy janë miratuar me procedurë të shpejtë.

“Megjithatë, në përgjithësi ende ekziston mungesa e debatit substancial ose konsultimi me palët e interesuara mbi projektligjet”, vijon raporti.

Komisioni Evropian ka përmendur edhe  ndryshimet në konfigurimin politik të Kuvendit.

“Në mars të vitit 2018, deputetët e Listës Serbe tërhoqën mbështetjen e tyre për koalicionin qeverisës, duke rezultuar në humbjen e shumicës parlamentare të qeverisë. Në maj të vitit 2018, një grup i ri i Partisë Socialdemokrate (PSD) u krijua nga 12 deputetë të cilët ishin më parë në Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes”, thuhet në raport.

KE thekson se Kosova ka një kuotë të detyrueshme prej 30 për qind të vendeve (ulëseve) të Kuvendit të rezervuara për gratë.

“Në legjislaturën e tanishme, 38 nga 120 anëtarët e Kuvendit janë gra, duke përfshirë dy nga pesë nënkryetarët”, thuhet në raport.

KE ndër të tjerash ka konstatuar se mbikëqyrja parlamentare e ekzekutivit mbetet e dobët.

“Ministrat shpesh dështuan t’i raportojnë Kuvendit dhe qeveria shpesh nuk arriti t’i përgjigjet pyetjeve parlamentare në kohën e duhur. Komisionet parlamentare vazhduan konsultimet me palët e interesuara, por nevojiten përmirësime sa i përket njoftimit të hershëm dhe ndjekjes. Administrata e Kuvendit duhet të krijojë ekspertizë të specializuar për t’i dhënë mbështetje më efektive parlamentarëve dhe komisioneve të Kuvendit”, thuhet në raport.

Në Raportin e Progresit 2019, theksohet se Kuvendi dështoi të caktojë anëtarët e bordit profesional për disa institucione të pavarura në kohën e duhur ose në bazë të meritës.

KE ka rekomanduar se Kuvendi duhet të kthehet në seancat e rregullta plenare dhe të respektojë afatet kohore të seancave të planifikuara, në përputhje me rregullat e procedurës.

Me gjithë problemet, Komisioni Europian ka bërë të ditur se Kuvendi ishte në gjendje të siguronte shumicën e votave për disa çështje të rëndësishme strategjike për Kosovën, siç ishte ratifikimi i marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi dhe miratimin e disa reformave legjislative të lidhura me Bashkimin Evropian.

Ndërkaq, deputeti Korab Sejdiu vlerëson se aktualisht, Kuvendi ka një funksionim jo-normal dhe zgjidhja e vetme, sipas tij janë zgjedhjet dhe formimi i një legjislature të re, me shpresë që kjo ta kthejë legjislativin në binarë.

“Duhet theksuar se Komisioni për Legjislacion ka kryer pothuajse gjysmën e punës së Kuvendit – dhe atë falë deputetëve të opozitës, si komision funksional në pjesën dërmuese të ligjeve që kanë kaluar në Kuvend. Prandaj, pa punën e opozitës në këtë Komision dhe në Kuvend në përgjithësi, jo vetëm Kuvendi, por edhe agjenda evropiane e Kosovës do të ngecte në tërësi”, tha ai për Gazetën JnK.

Ndërsa, Agnesa Haxhiu nga KDI thotë se edhe pse është afruar përfundimi i sesionit pranveror të punës së Kuvendit, ende nuk është miratuar plan – programi i punës për vitin 2019.

“Bazuar në programin legjislativ të Qeverisë për Kuvendin, Kuvendi do të ketë për shqyrtim 134 projektligje, që do të jetë shumë sfidë që të përmbushet një agjendë e tillë për shkak të bllokadës në të cilën gjende”, tha ajo për Gazetën JnK.

Haxhiu ka bërë të ditur se që nga fillimi i sesionit të ri pranveror, Kuvendi i Kosovës i ka miratuar  25 ligje apo ka përmbushur 18 për qind të agjendës legjislative deri më tani, ndërkaq në procedurë të shqyrtimit janë edhe 41 projektligje.