Lojera Fati, Kazino, Ilustrim

Planet e Qeverisë Haradinaj për zhvillimin e bixhozit e bastoreve

Qeveria po synon të heq barrën tatimore për lojërat e fatit, si stimuj për legalizimin e tyre. Kjo iniciativë përveç zhvillimit ekonomik do të sjellë edhe punësim. Ky vizion është pjesë e koncept-dokumentit për lojërat e fatit që është miratuar nga qeveria e Kosovës. Ky dokument i ka hapur rrugë hartimit të një projekt-ligji që do të rregullojë këtë fushë.

Biznesi i lojërave të fatit është i zhvilluar në Kosovë. Në bazë të statistikave të Administratës Tatimore të Kosovës aktualisht në Kosovë janë të regjistruara 23 biznese që janë të specializuara për hedhje të basteve në sporte të ndryshme, që së bashku kanë 124 lokale. Përveç tyre janë edhe 17 biznese, të cilat kanë 1,538 automate të licencuar dhe 43 rulete.

Përmes një koncept-dokumenti të miratuar në fund të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës dhe i iniciuar nga Ministria e Financave, shteti po synon që të fus në kontroll të gjitha lojërat e fatit që veprojnë në vend, duke e rishikuar dhe ndryshuar Ligjin mbi Lojërat e Fatit.

Ndër të tjerash përmes ndryshimit të legjislacionit për këtë sektor, qeveria po synon që të nxisë zhvillimin ekonomik dhe të krijojë vende të reja të punës.

Në këtë koncept dokument thuhet se ekipi punues i MF-së, vlerëson se ligji aktual në fuqi për lojërat e fatit përmban dispozita të cilat janë nxitëse për shmangien nga obligimet tatimore dhe janë pengesë për përmbushjen vullnetare të tatimeve.

“Me këtë ligj, Operatoret e lojërave të fatit përveç obligimit tatimor janë të detyruar të paguajnë akcizë mujore e po ashtu edhe taksë komunale, gjë që ndikon drejtpërdrejtë në nxitjen e operatoreve ekonomik në shmangien nga tatimi”, thuhet ndër të tjerash në këtë koncept-dokument.

Përveç kësaj, Qeveria synon të heq tërësisht taksën e akcizës.

“Uljen e ngarkesave administrative për bizneset- kohëzgjatja e validitetit të licencave dhe eliminimit i taksës së akcizës do të ul ndjeshëm ngarkesat administrative për bizneset”, thuhet në këtë vizion të qeverisë Haradinaj për lojërat e fatit.

Por, në koncept-dokumentin e Qeverisë së Kosovës thuhet se vizioni i tyre është që rritet  numri i vendeve të reja të punës, pasi fuqizimi i kapaciteteve operacionale të bizneseve të lojërave të fatit nënkupton rrite të nevojës për angazhime shtesë të fuqisë punëtore. Në opsionin e propozuar në këtë vizion të qeverisë, thuhet se do të ketë rritje të numrit të bizneseve të reja, që do të vije për shkak të përmirësimit të klimës së të bërit biznes.

E ky vizion synon që përmirësojë klimën e të bërit biznes do të sjell më shumë investime të huaja direkte në Kosovë në këtë sektor.

KALLXO.com ka tentuar të marr më shumë sqarime nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), se si po synohet specifikisht të futet në kontroll bixhozi, të rritet ekonomia dhe të krijohen vendet e reja të punës dhe nëse kjo do të ndikojë në shtimin e numrit të kazinove e bastoreve që operojnë në vend.

ATK-ja përmes postës elektronike ka thënë se “futja nën kontroll” e tyre nënkupton respektimin e plotë të dispozitave ligjore që e rregullojnë këtë fushë  nga ana e subjekteve të Lojërave të  Fatit në Kosovë.

“Grupi punues ka përmbyllur procedurat e parapara për hartimin e Koncept Dokumentit dhe me këtë ka përfunduar ‘misionin’ e tij. Për draftimin e kuadrit të ri ligjor  duhet themeluar Grup punues që do të jetë përgjegjës për të”, thuhet në përgjigjen e ATK-së për KALLXO.com.

KALLXO.com e ka pyetur ATK-në nëse në këtë koncept-dokument, do të përfshihet edhe mundësia për ndalimin e veprimtarisë së lojërave të fatit që veprojnë kundërligjshëm.

Ndërkaq, Administrata Tatimore e Kosovës thotë se këto çështje do të përcaktohen përmes kuadrit të ri ligjor.

Iniciativa për lojërat e fatit, në “llupën” e kritikave

Vizioni i qeverisë Haradinaj për lojërat e fatit kritikohet nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Sami Kurteshi.

“Parimisht, unë deri më sot nuk kam dëgjuar apo lexuar që ndonjë vend të motivojë ‘industrinë e bixhozit’ si një levë me rëndësi për rritjen e punësimit, mirëqenies dhe krijimit të mbivlerës. Sigurisht kjo qeveri është superinteligjente, mos me thënë gjeniale”, është shprehur Kurteshi.

Ndërsa, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa pati thënë që Qeveria do ta bëjë Kosovën lavatriçe me këtë iniciativë.

“Qeveria me koncept dokumentin për lojëra e fatit do ta bëjë Kosovën lavatriqe të parave të pista nga droga e prostitucioni; nga fajdeja, tenderët dhe ekonomia informale. Vitin që vjen pritet se në shtëpi do të vijnë burrat me xhepa bosh, pa para me të cilat e provojnë fatin e tyre dhe fëmijët e përlotur të cilët, në vend të ushqimit, afër shkollave të tyre luajnë lojëra të fatit”, ka shkruar Mustafa në Facebook më 30 dhjetor 2018.

Në anën tjetër, kryeministri i vendit Ramush Haradinaj e thotë të kundërtën e asaj që kabineti i tij e ka miratuar si vizionin të ri për lojërat e fatit.

“Unë i kisha heq krejt këto lojëra të fatit nuk i kisha lënë fare në vendbanime. Kam qenë shumë i sulmuar kohëve të fundit për këtë çështje”, u shpreh me 11 janar të këtij viti, kreu i ekzekutivit.

Ndërkaq, ministri i Financave Bedri Hamza, deklaroi se dokumenti është obligativ.

“Ky dokument buron nga obligimet që i ka marrë qeveria e kaluar nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit. Nuk është diçka që është nisur nga qeveria aktuale, por nga qeveria e kaluar. Koncept dokumenti bazuar në rregulloren e punës vetëm e ka hap rrugën për ta bërë draftimin e një projektligji që ka procedurat e veta dhe afat 60 ditë”, tha Hamza.

Sipas ministrit Hamza, qëllimi i projektligjit është që kjo fushë të rregullohet e jo të krijohet punësim duke hapur më shumë bastore, “por të formalizohet sektori duke ndikuar në formalizmin e fuqisë punëtore”.

Ndryshe nga Kosova, Qeveria e Shqipërisë së fundi ka marr vendim që të mbyllë të gjitha pikat e industrive me lojëra të fatit, një fenomen i cili në shtetin shqiptar është mjaft i përhapur.

Sa biznese të lojërave të fatit operojnë në Kosovë?

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka bërë të ditur për KALLXO.com se  numri i bizneseve gjithsej të licencuara për të gjitha veprimtarit e lojërave të fatit janë 48 biznese.

Sipas ATK-së, bizneset me veprimtari të basteve gjithsej 23,  kurse njësi të bastorëve të licencuara janë 293 njësi të basteve.

“Bizneset me veprimtari të automateve gjithsej janë 17 subjekte, kurse numri i lokaleve me automate 124 lokale, si dhe numri total i automateve të licencuar është 1538 automate dhe 43 rulete. Bizneset me veprimtari bingo gjithsej numri i subjekteve është 8 subjekte”, thuhet në përgjigjen e tyre.