Plakolli: Grevën do ta vazhdoj deri të konfirmohet mosanulimi i konkursit

Regjisori Sokol Plakolli po vazhdon grevën e tij para Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për të kundërshtuar një anulim të mundshëm të konkursit për Udhëheqësin artistik të Teatrit Kombëtar.

Në një prononcim për KALLXO.com regjisori Plakolli ka thënë se hyri në grevë për faktin se akoma nuk po dihet fati i këtij konkursi.

“Nga viti 2019 kjo pozitë kyçe në TKK po mbahet e hapur dhe unë jam për të tretën herë në konkurs, herën e parë pas rekrutimit të suksesshëm i përzgjedhuri dha dorëheqje pa asnjë sqarim, herën e dytë konkursi u pezullua dy herë dhe pastaj u anulua pasi u ftuam për fazën e dytë të rekrutimit në test me shkrim për arsye krejt banale edhe kësaj here pasi u ftuam në test konkursi u pezullua dhe kjo mëton të jetë shkelje e të drejtave të njeriut, shkelje e rregullores së punës”, ka thënë ai.

Plakolli ka thënë se grevën do ta vazhdojë deri sa të sigurohet që nuk do të jetësohet shqetësimi i tij, pra anulimi i konkursit për Udhëheqësin artistik të TKK-së.

Dy ditë më parë Plakolli nisi grevën para objekti të MKRS-së, pasi që zëra për një anulim të mundshëm të këtij konkursi nisën të bëhen më të fuqishëm.

Në ditën e parë të grevës, ai u ‘surprizau’ edhe nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

“Vizita e ministrit në grevë ishte befasi e këndshme për mua sepse asnjëherë më parë nuk isha vizituar në grevë nga asnjë zyrtar i MKRS-së e lëre më nga ministri. Ministri erdhi u ul me mua në hapësirën e grevës dhe këtë vizitë e bëri në rrafshin njerëzor. As nuk i kërkova ndonjë zotim e as nuk më premtoi gjë, pos që më tha se është i hapur në çdo kohë për çdo gjë që ka nevojë”, ka thënë Plakolli.

Në anën tjetër as MKRS e as Këshilli Drejtues i TKK-së nuk kanë treguar se cilët janë hapat që po marrin lidhur me konkursin për zgjedhjen e udhëheqësit artistik të TKK-së.

Në përgjigjen e MKRS për KALLXO.com thuhet se kjo ministri ka emëruar Këshillin e ri të TKK dhe se në këtë fazë ministria nuk ndërmerr hapa të mëtutjeshëm për zgjedhjen e udhëheqësit të TKK, pasi që nuk është kompetente për menaxhimin e procesit të përzgjedhjes.

“Pas funksionalizimin të Këshillit Drejtues, Këshilli do të ndërmerr hapat për përzgjedhjen e udhëheqësit të TKK, ndërsa MKRS do të sigurohet që ky të jetë një proces transparent dhe meritor për funksionimin sa më të mirë të TKK-së”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së.

Ndërsa, Rebeka Qena, kryetare e Këshilli Drejtues të TKK-së ka thënë për Kallxo.com se vendimi për këtë çështje do të bëhet publik posa të krijohen rrethanat.

“Ju njoftoj që Këshilli Drejtues ka mbajtur takimin e parë konstitues. KD  do të bëjë publik vendimin rreth procesit për zgjedhjen e UD posa të jetë kjo e mundur”, ka thënë ajo.

Javë më parë MKRS dhe TKK njoftuan se shtynë për një javë intervistimin e kandidatëve që kishin aplikuar për konkursin për zgjedhjen e Udhëheqësit artistik të TKK-së.

Teatri Kombetar
Teatri Kombetar.
FOTO- Denis Sllovinja