Foto optimiste nga faqja në Facebook e Kryeministrit të Shqipërisë

Përtej Fotografisë dhe Skrapit

Këtë javë, për të tretin vit radhazi, qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, do të mbajnë takimin e përbashkët. Dy qeveritë, do kujdesen për imazhin që do transmetojnë nga ky takim, simbolikat kombëtare, shtrëngim duarsh e buzëqeshje për kamera, e në fund do nënshkruhen një mori marrëveshjesh. Pastaj, java tjetër do të filloj me punët e zakonshme të të dy qeverive, e marrëveshjet do mbeten në letër.

Shqipëria mbetet aleati më i natyrshëm i shtetit të Kosovës. Shqipëria ishte ndër vendet e pakta e cila hyri në marrëveshje bilaterale me Kosovën shumë vite para shpalljes së pavarësisë. Nga 11 marrëveshjet e nënshkruara nga UNMIK në emër të Kosovës, shtatë nga to ishin me Shqipërinë. Por, ashtu si edhe në punët e brendshme, edhe marrëveshjet ndërshtetërore kanë mbetur në masë të madhe vetëm në letër.

Kosova dhe Shqipëria janë vendet më të varfra të Ballkanit, me nivelin më të ulët të prodhimit dhe me deficit të lartë tregtar. Për shumë vite, tregtia në mes të dy vendeve karakterizohej nga tregtimi i lartë i skrapit – metaleve të papërpunuara. Të dhënat më të fundit të tregtisë nga Instituti i Statistikave të Republikës së Shqipërisë (INSTAT) dëshmojnë për një shkallë ende të lartë të eksporteve të metaleve në drejtim të Kosovës.

Po ashtu, të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për të njëjtën periudhë tregojnë se eksporti më i madh i Kosovës edhe më tej mbeten metalet bazë. Të dhënat për muajin prill 2016 tregojnë se tregtia në mes të dy vendeve është në nivel më të ulët se sa në periudhën e njëjtë të një viti më parë. Shkëmbimet në mes të dy vendeve për këtë periudhë janë për shtatë milionë euro më të ulëta.

Disa nga marrëveshjet e nënshkruara në mes të dy vendeve kanë marrë më shumë se një dekadë për tu realizuar. Shembull për këtë është marrëveshja për eliminimin e tatimit të dyfishtë. Për herë të parë një marrëveshje e tillë ishte nënshkruar më 2004, për tu ri-nënshkruar më 2014. Edhe pse tatimi i dyfishtë në masë të madhe është eliminuar, prapë se prapë bizneset kanë raportuar probleme dhe mungesë të njohurive sa i përket tatimit të dyfishtë.

Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në janar 2014 ishte nënshkruar marrëveshja për harmonizimin e procedurave për verifikimin e sigurisë dhe cilësisë së ushqimeve. Disa muaj pas kësaj marrëveshje, Shqipëria kishte bllokuar së paku dy herë produktet ushqimore që eksportoheshin nga Kosova, me arsyetimin se ato nuk plotësojnë standardet e cilësisë që aplikon Shqipëria. Në bazë të një analize të Institutit GAP, pas bllokadës së miellit më 2014, arsye për këto bllokada ishte përdorimi i metodologjive të ndryshme nga të dy vendet për matjen e cilësisë së produkteve ushqimore.

Në vitin 2013 u nënshkrua edhe marrëveshja për bashkëpunim në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, e cila ndër të tjera parashihte edhe eliminimin e romingut. Por edhe pas tri viteve nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, qytetarët e të dy vendeve paguajnë deri në katër herë tarifa më larta të romingut se sa për shembull konsumatorët evropian pjesë e “Eurotarifës”.

Por në mbledhjen e dy qeverive në Prizren, në janar 2014, u nënshkrua marrëveshja në mes të ministrave të transportit, e cila ndër të tjera parashihte edhe krijimin e “one-stop shop” në pika kufitare me qëllim të lehtësimin të procedurave biznesore, si dhe ndërmarrjen e hapave të përbashkët për gjetjen e financimit për ndërtimin e një linje hekurudhore. Asnjëra nga këto nuk është realizuar. Së fundmi, Qeveria e Shqipërisë ka hequr dorë nga projekti i ndërtimit të hekurudhës në të ardhmen e afërt.

Përveç nivelit të ulët të zbatueshmërisë së marrëveshjeve në nivel institucional, edhe nismat private mungojnë. Në 2015, sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës, ishin vetëm 20 biznese të regjistruara me kapital nga Shqipëria, kurse vetëm nëntë nga këto biznese janë anëtare edhe të Odës Ekonomike të Kosovës. Shtetas të Shqipërisë të regjistruar si punëtorë në Kosovë më 2014 ishin vetëm 24.

Ndërtimi i autostradës ka sjellë shkëmbim më të madh të turistëve, por nuk ka sjellë shkëmbim më të madh tregtar. Arsyet më të shpeshta që përmendeshin gjatë kohës së fillimit të punimeve të autostradës ishin se “prodhuesit e patateve në Vushtrri do ta kenë më të lehtë t’i eksportojnë prodhimet e tyre në Shqipëri”. Madje edhe Tim Judah, gazetari i “The Economist” në një shkrim për London School of Economist më 2009, parashihte ndryshim rrënjësor të sferave të influencës në Ballkan pas ndërtimit të “autostradës së kombit”, të cilën ai e quante “Albano-sphere”.

Arsyet për këtë integrim të ulët kanë të bëjnë me zhvillimin e ulët ekonomik të të dy vendeve. Edhe lidhjet më të mira rrugore, nuk do të arrijnë të rrisin shkëmbimet tregtare në rast se ekonomitë e të dy vendeve nuk rrisin prodhimtarinë. Përveç prodhimtarisë së ulët, tregtarët në Kosovë dhe Shqipëri kanë më shumë lidhje tregtare me vendet e treta se sa në mes tyre.

Përderisa tregtarët në Shqipëri shesin qumësht italian, tregtarët në Kosovë i krijojnë hapësirë më të madhe qumështit slloven. Hyrja në tregun kosovar të “Conad”, një zinxhir i supermarketeve me mallra me origjinë italiane, deri më tani është treguar dështim, duke mbyllur disa nga supermarketet, për shkak se konsumatori kosovar edhe më tej është i orientuar në produktet me origjinë turke, serbe, sllovene. Aftësia blerëse po ashtu luan rol të rëndësishëm në këtë aspekt.

Andaj, përveç skenografive madhështore, buzëqeshjeve para kamerave dhe nënshkrimit të marrëveshjeve të shumta, qeveritë e dy vendeve duhet të ndërmarrin hapa më konkrete në integrimin ekonomik mes tyre. E kjo bëhet vetëm duke vazhduar punën e përbashkët në nivel të grupeve punuese, të cilat do të zbatojnë në praktikë marrëveshjet e nënshkruara, si dhe duke forcuar ekonomitë e të dy vendeve, që më në fund të kemi çfarë të shkëmbejmë, përveç skrapit.