Dorëshkrimi i dramës ‘Erveheja’ të Ahmet Qirezit. Foto: Facebook/ Arben Qirezi.

Përplasjet për autorësinë e dramës ‘Erveheja’

Arben Qirezi, djali i dramaturgut Ahmet Qirezi, i cili shkroi dramën “Erveheja” në viti 1966, ka drejtuar akuza ndaj Antigona Qenës dhe Mehmet Krajës, për tendencë tjetërsimi të autorësisë së kësaj drame.

E vënë në skenë në viti 1966, me autor Ahmet Qirezin dhe regji të Muharrem Qenës, shfaqja “Erveheja” pati një sukses të madh. Suksesi i saj vazhdon të komentohet edhe në ditët e sotme.

Qirezi pretendon se me shkrimet e tyre e mënyra tjera, Qena e Kraja po synojnë të krijojnë një opinion publik se Muharrem Qena ishte edhe autor e edhe regjisor i shfaqjes “Erveheja”.

Pretendimet e Qirezit janë mohuar nga Antigona Qena, vajza e regjisori Muharrem Qena. Ndërkaq, akademik Kraja nuk ka dashur t’i komentojë pretendimet e Qirezit.

Foto: Facebook/ Arben Qirezi.

Arben Qirezi ka potencuar për KALLXO.com se akuzat e tij drejtohen ndaj Antogona Qenës dhe akademik Mehmet Krajës, e jo ndaj familjës Qena në përgjithësi.

Sipas tij, Qena e Kraja në vazhdimësi ka treguar tendencë, qoftë përmes shkrimeve apo në mënyra tjera, për ta heshtur autorin e vërtetë të dramës “Erveheja”.

“Ka një tendencë të vazhdueshme nga Qena dhe Kraja, për t’u heshtur emri i autorit, dhe duke u heshtur emri i autorit, të krijohet një opinion publik se Muharrem Qena ishte edhe regjisor e edhe autor i ‘Ervehesë’, d.m.th. që kur flitet për të, të thuhet ‘shfaqja e Muharrem Qenës’. Në fakt, ish dashur të thuhej shfaqja e Ahmet Qirezit me regji të Muharrem Qenës. Gjithnjë sa herë flitet për shfaqjet përmendet edhe emri i autorit dhe regjisori. Këta e kanë krijuar një opinion në Kosovë, sidomos te njerëzit që nuk merren me teatër në mënyrë të qëllimshme”, ka thënë  Qirezi, për KALLXO.com.

Qirezi ka postuar edhe disa shkrime në Facebook ku i ka shpreh akuzat e tij, duke postuar edhe pjesë nga dorëshkrimi i dramës “Erveheja”. Postime që janë komentuar në mënyra të ndryshme.

Por, pohimet e Qirezit janë kundërshtuar nga Antigona Qena, vajza e regjisorit, Muharrem Qena.

“Absolutisht nuk është e vërtetë. Kjo me së miri dëshmohet në monografinë e aktores Melihate Ajeti, që nxora në botim në dhjetor të vitit të shkuar, ku kam prezantuar të gjitha shkrimet e kritikat mbi shfaqjen e ‘Ervehesë’”, ka thënë ajo.

Sipas saj, një akuzë e tillë sa është jo profesionale, e dhimbshme, rrënon miqësinë e bashkëpunimin e sinqertë në mes dramaturgut Qirezi dhe regjisorit Qena.

“Një akuzë e tillë sa është jo profesionale, është edhe e dhembshme, ngase rrënon miqësinë e bashkëpunimin e sinqertë në mes dramaturgut Qirezi dhe regjisorit Qena, të cilën unë mbaj në mend shumë mirë, me që isha prezentë në shumicën e provave të ‘Ervehesë’, dhe të gjithë aktorët po edhe Ahmet Qirezi i konsideroja si familjarë, por duhet qartazi vlerësuar punën e secilit dhe kuptuar një herë e përgjithmonë se suksesi i një shfaqjeje, nuk i takon një personi, por gjithë trupës që e realizuan së bashku”, ka thënë Qena, për KALLXO.com.

I kontaktuar nga KALLXO.com, akademik Mehmet Kraja, i cili pak ditë më parë postoi në profilin e tij në Facebook një shkrim për shfaqjen “Erveheja”, nuk ka dashur të flas për pretendimet e Qirezit.

Dorëshkrimi i dramës ‘Erveheja’ të Ahmet Qirezit. Foto: Facebook/ Arben Qirezi.

Drama “Erveheja” është shkruar nga Ahmet Qirezi, sipas poemës në vargje të Muhamet Kyçykut, po me të njëjtin titull.

Drama është botuar më 1966, dhe po atë vit edhe është inskenuar në skenën e Teatrit Kombëtare të Kosovës (atë botë, Teatri Popullor Krahinor) me regji të Muharrem Qenës.

Shfaqja pati një sukses të jashtëzakonshëm, sa që edhe në ditët tonë nga kritika teatrore konsiderohet si një prej shfaqjeve më të realizuara në këtë teatër.

Ahmet Qirezi, autor i dramës “Erveheja” ishte gazetar, aktor, dramaturg dhe kritik i dramës e i filmit. Nga mesi i viteve 1950-të u inkuadrua si aktor në Teatrin Kombëtar, dikur Teatri Popullor Krahinor të Kosovës, ku punoi plot 16 vjet.

Konsiderohet njëri prej autorëve që vuri themelet e dramës moderne shqipe. Ndërmjet viteve 1960-1969, Ahmet Qirezi shkroi këto dhe botoi dramat; “Vrasja e errët”, “Çipçijtë” “Nëna e vërtetë”, “Erveheja”,  “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” dhe “ Ngjyrat e jetës”.

Muharrem Qena ishte aktor, regjisor e autor dramash. Konsiderohet një prej regjisorëve më të spikatur të teatrit kosovar. Përveç “Ervehesë”, Qena ka bërë regjinë edhe të dhjetëra shfaqjeve të cilat lanë gjurmë në skenën teatrore në Kosovë.

Ai  ishe edhe një prej kantautorëve më të talentuar shqiptar. Të paharruara janë këngët e tij, “Oj Hanë”, “Kaçurrelja”, “Tetori”, etj.

Dorëshkrimi i dramës ‘Erveheja’ të Ahmet Qirezit. Foto: Facebook/ Arben Qirezi.