Përgjaken rrugët e Kosovës, 4 persona të vdekur gjatë këtij muaji

Aksidentet e ndodhura ditëve të fundit kanë përgjakur shumë rrugë në vend, kështu duke shënuar çdo ditë nga një rast të ri me lëndime në jetën e njerëzve.

Rasti më i fundit me fatalitet ishte në fshatin Zhur të Prizrenit, ku humbën jetën tre persona të familjes Sope.

Ndërsa, sot ka ndodhur një tjetër aksident në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, ku janë lënduar dy persona të tjerë.

Rastet të tilla të aksidenteve janë bërë me dije edhe në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, ku vetëm gjatë ditës së djeshme kanë ndodhur 30 aksidente, 12 prej tyre me të lënduar dhe një me fatalitet.

Sipas Policisë së Kosovës, gjatë muajit shkurt deri më tani kanë vdekur katër persona.

“Në vitin 2018 në muajin shkurt 5 persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku. Ndërsa në shkurt 2019 deri tani, kanë ndodhur 2 aksidente fatale me 4 persona të vdekur. Rasti i vdekjes së foshnjës ditë me parë dhe rasti tragjik dje që humbën jetën 3 persona”, tha për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

Ndërsa, eksperti i komunikacionit, Shemsedin Hajdari tha për KALLXO.com se numri i madh i aksidenteve në këtë kohë është për shkak të mos përshtatjeve të kushteve atmosferike nga ana e vozitësve.

“Është me rëndësi edhe respektimi i rregullave, respektimi i shpejtësisë, kushteve atmosferike, kohët kur duhet të ngasim, shembull kur ka shi apo borë, mjegull apo kur ka ngricë nuk duhet të ngasim shumë shpejtë edhe pse jemi në autostradë, por duhet të bëhet përshtatja e shpejtësisë sipas kohës apo kushteve atmosferike, duhet të kemi shumë më shumë kujdes”, tha Hajdari.

Ai shtoi se rastet janë mjaftë brengosëse, por sipas tij aksidente po ndodhin për shkak të mungesës së edukimit.

“Sa i përket rasteve të cilat po ndodhin në kohët e fundit janë mjaftë brengosëse dhe na bënë me dije se këto probleme janë për shkak se mungesës së edukimit. Përveç masave ndëshkuese është masa preventive, masat edukative nuk janë çështjet e dënimeve, shumica e rasteve mungon edhe edukimi”, tha Hajdari për KALLXO.com

Në anën tjetër, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha po ashtu u ka bërë thirrje vozitësve të automjeteve të kenë kujdes më të shtuar.

“Apelojmë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që drejtimin e automjetit ta përshtatin me kushtet në rrugë, të respektojnë shenjat e trafikut rrugor si dhe të jenë shumë vigjilent. Kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik është i domosdoshëm për të shmangur aksidentet dhe në këtë mënyrë të krijohet një siguri më e madhe në trafikun rrugor, sepse rastet tragjike të humbjes së jetëve njerëzore ne trafik mbeten shqetësuese”, tha Hoxha për KALLXO.com.

Ndryshe, sipas të dhënave të Policisë, gjatë vitit 2018 kanë ndodhur 100 aksidente me fatalitet, në të cilat kanë vdekur 128 persona.