‘Përbirja’ e bastioneve të LDK-së nga Lëvizja Vetëvendosje

Në zgjedhjet parlamentare të së dielës, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë fituese, e madje duke e përmbysur rezultatin në shumicën e komunave të Kosovës.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje është duke prirë në 24 komuna të vendit.

Gjilani, Fushë Kosova, Podujeva dhe Peja, janë njohur si komuna në të cilat Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka elektoratin e saj.

Me Gjilanin, Fushë Kosovën dhe Pejën udhëheqin kryetarë që vinë nga kjo parti. Ndërsa për herë të parë nga paslufta më 29 nëntor, LDK-ja humbi në Podujevë, po nga LVV-ja.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, LVV-ja në disa prej këtyre komunave radhitej e treta e në rastin më të mirë edhe e dyta, ndërsa nuk printe në asnjë prej tyre.

Në zgjedhjet e vitit 2017, Vetëvendosje kishte arritur të fitonte në Gjilan dhe Fushë Kosovë, ndërsa në Podujevë ishte e dyta, kurse në Pejë ishte tek e treta.

Në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit 2019, Vetëvendosje kishte fituar vetëm në Gjilan, ndërsa në Pejë, Podujevë, e Fushë Kosovë vazhdonte të printe LDK-ja, ndonëse diferenca mes LDK dhe LVV po ngushtohej nga zgjedhjet në zgjedhje.

E në zgjedhjet e fundit të mbajtuara të dielën e kaluar (14 shkurt), Lëvizja Vetëvendosje arriti që bindshëm të rrëzoj rezultatin në këto Komuna, dhe jo vetëm. Në Gjilan kjo parti mori 63,24% të votave, ndërsa LDK-ja vetëm 16.3% të votave.

Në Pejë LVV-ja mori 49,14% të votave, ndërsa LDK-ja vetëm 18.39% të votave.

Në Fushë Kosovë LVV-ja mori 55.57% të votave, ndërsa LDK 18.85 %.

Kurse në Podujevë LVV-ja mori 59.44% të votave kurse LDK-ja vetëm 24.14% të votave.

Analisti politik Ramush Tahiri, ndryshimet elektorale prej zgjedhjeve në zgjedhje, si dhe tani fitoren e bindshme të LVV-së, e sheh si përmbysje të bastioneve.

“Ka ndodhur përmbysje dhe nuk ka më asnjë bastion politik të vjetër që kanë qenë më herët. Nuk ka bastione popullore, ka një lum të votuesve të ri të cilët janë pro Lëvizjes Vetëvendosje”, tha ai.

Tahiri për KALLXO.com ka thënë se shuarja e bastioneve politike në vend, është element pozitiv që po ndodhë gjatë procesit zgjedhor.

“Sepse është demokratike. Tregojnë se votuesit e ri janë të përcaktuar në frymën e re, ose në atë që përfaqëson Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa votuesit e vjetër janë të zhgënjyer me ata që kanë votuar deri më sot”, shtoi ai.

Tahiri, pret që potencialisht një rezultat i tillë të përsëritet edhe në zgjedhjet lokale të cilat do mbahen këtë vit.

“Bile edhe më shumë. Sepse është trend. Nëse është shprehur në zgjedhjet e përgjithshme, në zgjedhjet lokale shprehet edhe më shumë”, tha ai.

Analisti politik, Shkëlzen Maliqi, këto ndryshime i ka parë si rirreshtim të skenës politike në Kosovë.

“Ky proces po zgjatë që sa kohë. Nuk është hera e parë që shuhen bastionet. Edhe në zgjedhjet lokale e kemi pasur në Podujevë para disa muajve, humbjen bindëse të LDK-së që e ka pasur bastion kryesor, por tash kjo po zgjerohet edhe në parti të tjera edhe në bastione për shkak që skena politike po rirreshtohet”, tha ai.

Sipas tij, partitë e vjetra janë duke rënë për shkak që nuk po reformohen.

“Andaj po humbin elektoratin. Njerëzit janë lodhur me ta pasi nuk po reformohen e kanë mbetur struktura konservatore, që nuk i përcjellin zhvillimet, që nuk janë përshtatur me mediat e reja që kanë ndikim”, tha ai.

Maliqi, vlerëson se ngritja e Vetëvendosjes është bërë në saje të strategjisë së saj populliste.

“Ka edhe anën pozitive, por edhe negative, sepse rritja kaq e shpejtë e Lëvizjes Vetëvendosje është edhe falë strategjisë popullsite. Unë uroj që LVV-ja të ketë sukses në narrativin që e ka ndërtuar se do të bëjë çkapjen e shtetet, vettingun, e të tjera, sepse këto janë procese që duan plane konkrete”, theksoi ai.

Si Tahiri ashtu edhe Maliqi, paralajmërojnë që edhe në zgjedhjet lokale LV-ja mund të fitoj si në këto qendrore.

“Ky cunam që ka ndodhur, mund të ndodh edhe në zgjedhjet lokale. Partitë politike në Kosovë duhet të reformohen për t’i parë gabimet që i kanë bërë deri më tani”, theksoi Maliqi.