Për tri vite, shteti harxhoi mesatarisht 24.4 milionë euro vetëm për karburante

Për tri vite shteti harxhoi mesatarisht 24.4 milionë litra karburant. Në raport me çmimet mesatare vjetore për to, rezulton me mbi 23 milionë litra karburant. Nëse këto litra do të shpërndaheshin për komplet 365 ditë sa ka viti i bie se mesatarisht 21 mijë e 119 litra karburant janë shpenzuar në ditë.

Në vitin e kaluar, u shpenzuan hiç më pak se 8 milionë e 792 mijë euro për karburant për veturat për zyrtarët e shtetit. Në krahasim me vitin 2017-të, shpenzimet e karburantin për këtë qëllim pothuajse janë të ngjashme me një diferencë prej 70 mijë eurove më tepër.

Në vitin 2017-të, shpenzimet për karburant për vetura kishin vlerën e 8 milionë e 722 mijë euro.

Në anën tjetër në 2016-ën shpenzimet e derivateve ishin më të ulëta se në vitin 2017-të. Shpenzimet e kishin vlerën e 6 milionë e 891 mijë euro.

Përgjatë këtyre tri viteve zyrtarët e shtetit shpenzuan hiq më pak se 24 milionë e 405 mijë euro vetëm për këtë lloj shpenzimi.

Mesatarisht 8.1 milionë euro shpenzohen në vit vetëm për veturat e zyrtarëve të shtetit.

Rritja e shpenzimeve po duket po ndikohet edhe rritja e numrit të ministrave, zëvendësministrave, këshilltarëve etj., por edhe luhatja e çmimeve më shumë në favor të ngritjes së tyre së kësaj lënde djegëse.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) çmimet mesatare për një litër naftë dhe benzin, në vitin 2016-të silleshin në 0.93 centë dhe 0.98 centë, ndërsa çmimet e tyre u rriten në 1 euro e 5 centë për një litër benzin dhe 1 euro e 2 centë për një litër naftë.

Tutje të dhënat e ASK-së për muajin dhjetor të viti 2018-të, një litër naftë është blerë në Kosovë me çmime mesatarisht 1 euro e 17 centë dhe një litër benzin me 1 euro e 18 centë.

Bazuar në të dhënat mesatare, atëherë i bie se një litër karburant mesatarisht u ble me 96 centë në vitin 2016-të, çmimi i karburanti u rrit në 1 euro e 4 centë në vitin 2017 për të pasuar më pas në 1 euro 17 centë në dhjetor të vitit 2018-të.

Referuar të dhënave mesatare të çmimeve të karburantit në raport  me shumën e mjeteve të paguara i bie se për tre vjet u harxhuan mbi 23.1 milionë litra karburante. Me një mesatare prej 7.7 milionë litra çdo vit.

Çdo orë shteti harxhon mbi 854 litra karburante

Në vitin 2018-të, në bazë të shumës së paguar në raport me mesataren e çmimit në muajin dhjetor i bie se u blenë mesatarisht 7 milionë e 482 mijë e 553 litra. Në raport me vitin 2017-të, sasia e litrave të blerë është më e ulët për 944 mijë e 500 litra, por ngritja e çmimit si duket ka dhënë efektin e vet që vlera e pagesës është më e lartë se në vitin 2017-të.

Në vitin 2017-të mesatarisht u blen me paratë e shtetit 8 milionë e 427 mijë e 53 litra karburante ndërsa në vitin 2016-të  sasia mesatare e litrave të karburantit të djegura del të jetë 7 milionë e 215 mijë e 707 litra.

Nëse këto litra naftë do të harxhoheshin në 365 ditë të vitin përfshirë këtu edhe ditët e vikendit e pushimeve i bie se për çdo ditë 20 mijë 500 litra në vitin 2018-të, 23 mijë e 87 litra në vitin 2017-të, dhe 19 mijë e 769 litra në vitin 2016-të.

Nëse shkohet tutje rezulton se çdo orë u harxhuan mesatarisht 854 litra karburant në vitin e kaluar, 962 litra në vitin 2017-të dhe mbi 823 litra në vitin 2016-të.

Vizita ‘zyrtare’ në vendet bregdetare

Në shtatorin e vitit 2018-të, një veturë zyrtare e Republikës së Kosovës është parë në qytetin bregdetar në Ulqin të Malit të Zi.

Në një fotografi të cilën e kanë raportuar lexues të KALLXO.com, shihet vetura që thuhet se është parë në Ulqin të enjten e kaluar. KALLXO.com mësoi se arsyeja e gjendjes së kësaj veture në Ulqin ishte për shkak të një udhëtimi zyrtar të zëvendësministrit të Bujqësisë, Jeton Emini.

Në po të njëjtin muaj, një lexues ka dërguar në KALLXO.com video e fotografi në të cilat shihet një person duke vozitur një veturë zyrtare në rrugën drejt qytetit turistik në jugun e Shqipërisë, Sarandë.

Në bazë të tabelave të regjistrimit, vetura duket se i përket njërën nga komunave të rajonit të Prishtinës (Prishtinë, Lipjan, Podujevë, Drenas, Fushë Kosovë, Obiliq apo Graçanicë). Lexuesi tha se kjo veturë është xhiruar në rrugën drejt Sarandës, afër të quajtur “Syri i Kaltër”.

Në muajin gusht, bashkëshortja Osman Ismajlit, komandant i stacionit të Policisë në Rahovec, siç shihet në disa video që kishin arritur në adresë të KALLXO.com udhëton shpesh me veturë zyrtare të Policisë.

Por nuk janë lënë anash edhe ‘gara’ në rrugë me veturë zyrtare.

Por jo vetëm në vendet përkrah detit, së fundmi në vitin 2019 të është parë një veturë në banjën termale të Elbasanit.

Një veturë zyrtare e Republikës së Kosovës me targat (3Z 208 16) ishte parë të hënën e kësaj jave në Elbasan të Shqipërisë, përkatësisht në qendrën rehabilituese të këtij qyteti.

KALLXO.com kishte sjell fotografi ekskluzive të dërguara nga një lexues i Kallxo.com në të cilën shihej vetura zyrtare në parkingun e kësaj banjë, ndërkaq Ministria e Administratës Publike, ka bërë të ditur për KALLXO.com se kodi identifikues (3Z-…-16 ) i përket Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.