Foto: KOK

Për një himn me vargje

Rrethanat politike në të cilat u shpall Pavarësia e Kosovës, 11 vjet më parë, më 17 shkurt 2008, ia pamundësuan shtetit më të ri në Evropë që ta ketë himn me vargje, edhe pse ky simbol e posedon domethënien e tij shprehur me melodinë.

Me titullin “Evropa” dhe kompozim të Mendi Mengjiqit, Himni Shtetëror i Republikës së Kosovës ishte miratuar në një seancë të veçantë të Kuvendit, më 11 qershor të vitit 2008, me 72 vota për, 15 kundër dhe 5 abstenime.

Melodia e himnit e shoqëruar me vargje të kompozitorit Mengjiqi i flet atdhe-dashurisë, krenarisë e trimërisë. Por fjalët nuk janë intonuar asnjëherë në ceremoni të veçanta shtetërore, apo sportive, pasi kriterët politik të konkursit nuk e lejuan një gjë të tillë.

Megjithatë, a do të ishte e mundur që Kosova ta plotësonte himnin e saj edhe me vargje dhe si do të mirëpritej një gjë e tillë nga njerëz të fushave të ndryshme, edhe pse kanë kaluar 11 vjet nga shpallja e pavarësisë?

Për të marr një qëndrim për këtë çështje, Gazeta Jeta në Kosovë, ka kontaktuar përfaqësues të institucioneve të vendit, historianë, sportistë si dhe vetë kompozitorin Mendi Mengjiqi.

Kompozitori i himnit të Kosovës, Mendi Mengjiqi nuk ka pranuar të jap asnjë përgjigje, edhe pse ka vlerësuar respektin që sipas tij, i bëhet në çdo përvjetor të pavarësisë.

Ndërkohë, përvjetori i sivjetmë i pavarësisë, përveç sfidave politike, ekonomike e sociale, e gjen Kosovën me Ushtri, pasi Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), iu zgjerua mandati ushtarak me 14 dhjetor 2018.

FSK-ja, tashmë e shndërruar në Ushtri të vendit, thotë se e respekton dhe do të respektojë gjithmonë himnin e shtetit të Kosovës.

“Se çka duhet të përmbajë himni shtetërorë, këtë e vendosë udhëheqja  politike e vendit dhe institucionet kompetentete shtetërore”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes për Gazetën JnK.

Ndjesitë e sportistëve për një himn me vargje

Entuziaste për një himn me vargje që do të intonohej para çdo ndeshje sportive është shprehur Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK).

Elvira Dushku, sekretare e Përgjithshme e kësaj Federate, thotë se himni me tekst do të ishte i mirëseardhur për ta.

“Ne shpresojmë se në një të ardhme të afërt do ta kemi himnin me tekst, sepse edhe domethënia do të ishte krejt tjetër. Për ne, pra për basketbollistët dhe basketbollistet vetëm fakti i intonimit të himnit të Republikës së Kosovës do të thotë shumë, sepse ta jep ndjesinë e shtetit. Pra jemi të barabartë me të tjerët, një gjë që e kanë ëndërruar shumë gjenerata para nesh”, tha ajo për Gazetën JnK.

Sipas Dushkut, çdo basketbollist dhe basketbolliste ka emocione të veçanta gjatë intonimit të himnit të Republikës dhe nëse ndodh që himni të bëhet me tekst, “ajo do të ishte edhe më emocionale dhe më motivuese për të gjithë basketbollistët dhe basketbollistet”.

Ndërkaq, më e rezervuar për të treguar ndjesinë e një himni me tekst, është shfaqur Federata e Futbollit të Kosovës (FFK).

Bajram Shala, menaxher i FFK-së, ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë, se kjo nuk është çështje që u takon atyre dhe se futbollistët e Kosovës janë krenarë me simbolet aktuale të shtetit.

“E jona është me luajt futboll, djemtë janë jashtëzakonisht krenarë që e përfaqësojnë Kosovën edhe në këtë formë edhe me këtë himn ata ndihen shumë mirë, pavarësisht nëse ka apo jo tekst. Kështu që nuk mendoj që kish me qenë diçka qenësore për ekipin edhe diçka shumë me rëndësi”, ka theksuar ai.

Megjithatë, Shala shton se secilin vendim që e marrin ligjvënësit do ta respektojnë.

“Në parim secilin vendim që e marrin ligjvënësit tanë, ne e mirëpresim, por në çdo rast apo formë ne jemi të lumtur dhe krenarë që e përfaqësojmë Kosovën edhe me simbolet dhe himnin aktual”, ka përfunduar ai.

Ndryshimet kalojnë përmes Kuvendit të Kosovës

Një plotësim ose ndryshim i mundshëm i simboleve të shtetit do të duhej të shqyrtohej përmes Kuvendit të Kosovës.

Në nenin 6 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës janë të përkufizuara pikat për simbolet e shtetit.

“1. Flamuri, stema dhe himni janë simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës të cilat pasqyrojnë karakterin shumetnik të saj. 2. Pamja, mënyra e përdorimit dhe mbrojtja e flamurit dhe të simboleve të tjera shtetërore rregullohen me ligj. Mënyra e përdorimit dhe e mbrojtjes së simboleve kombëtare rregullohet me ligj”, thuhet në aktin më të lartë juridik të shtetit.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nait Hasani, tha për Gazetën JnK, se ka mundësi që himni i vendit të bëhet me tekst.

“Është prezantuar fillimisht njëfarë lloj teksti që mund ta ketë himni. Ka mundësi që himni të bëhet me tekst. Por, këtu duhet të jenë të bashkuar kompozitorët që e kanë hartuar, duhet ta përshtatin edhe tekstin me mesazhin që duhet të përcillet himni, domethënë melodia të kthehet në tekst. Këto iniciativa kalojnë përmes Kuvendit, pasi është miratuar dhe është pjesë e Kushtetutës, prandaj duhet të bëhen ndryshime kushtetuese për këtë çështje”, u shpreh ai.

Deputeti Hasani theksoi se individualisht, do ta përkrahte një tekst motivues si pjesë e himnit shtetëror.

Ndërkaq, Ismajl Kurteshi deputet i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), njëherësh kryetar i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, tha për Gazetën JnK, se simbolet e shtetit të Kosovës janë të imponuara.

“Për simbolet në përgjithësi, e dini qëndrimin tonë. Lëvizja Vetëvendosje konsideron që këto simbole janë të imponuara, nuk janë simbole që janë përcaktuar prej qytetarëve të Kosovës. Prandaj Lëvizja Vetëvendosje angazhohet që kurdo që vjen momenti që të krijojë kushte që qytetarët e Kosovës të përcaktohen vet për simbolet e tyre kombëtare, cilat do të jenë ato”, u shpreh deputeti.

Kurteshi shtoi se do të votonte për një himn me tekst.

“Personalisht do të votoja për himnin me tekst. Është shumë me rëndësi që për simbolet e veta me u përcaktu vetë qytetarët. Kurse ndryshimi kushtetues për këtë çështje nuk mendoj që do të jetë problem, pasi që të jenë përcaktuar qytetarët”, përfundoi deputeti.

Simboli shtetëror përballë rrethanave historike dhe politike

Për të pasqyruar sakrificat dhe sfidat e shtet-ndërtimit në simbole shtetërore, historianët e njohur vendor vlerësojnë se ndikim kanë edhe rrethanat historike e politike.

Shkrimtari dhe historiani i njohur, Jusuf Buxhovi është shfaqur i mllefosur me politikanët e Kosovës.

“Për pyetjen tuaj kam vetëm një përgjigje ironike: Nuk i duhet kurrfarë teksti himnit në rrethanat kur shteti i Kosovës po vihet në pazar, pra të shkatërrohet. nga politikanët që kanë për detyrë ta mbrojnë atë”, tha Buxhovi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ndërsa, profesori universitar dhe historiani Jahja Drançolli, himnin dhe flamurin e Kosovës i ka quajtur raste ‘sui generis’.

“Është një zgjedhje solomonike që është bërë himni pa tekst, si të thuash një himn ‘sui generis’. Mirëpo edhe flamuri është ‘sui generis’, për arsye se nuk kemi simbolika të tilla, nuk kemi flamuj me harta, kjo diçka jashtë kuadrit, jashtë heraldikës. Heraldika është një shkencë që i studion flamujt, simbolet shtetërore dhe në këtë kontekst sikurse flamuri na del edhe himni pa tekst që normal i përgjigjet shkëlqyeshëm flamurit”, tha Drançolli për Gazetën JnK.

Sipas historianit, nëse bëhet teksti i himnit, gjithsesi duhet të ndërrohet edhe flamuri.

Sa i përket rrethanave historike që do të duhej të përshtateshin me melodinë e himnit, Drançolli thekson se dihet lufta e gjatë e popullit shqiptar, por edhe pjesëtarëve të tjerë që kanë jetuar në Kosovë, sidomos prej vitit 1912 e këndej.

“Kjo luftë e gjatë ka kulmuar me çlirimin në vitin 1999, mirëpo çlirimi është bashkërenduar me forcat e  NATO-s dhe me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe tash kemi njëfarë kolazhi, ndërhyrjet e popullit për ta çliruar vendin dhe ndihmën e aleatëve që kanë qenë në anën e një populli që ka vuajtur rreth së paku 100 vjet”, sqaron profesori universitar për Gazetën Jeta në Kosovë.

Në këtë kontekst, sipas Drançollit duhet gjetur njëfarë bashkërendimi midis vendorëve dhe Evropës, çështje kjo që shihet edhe në ngjyrat e flamurit dhe përmes së cilave hartohet edhe teksti i himnit.

Pasi Kosova është shtet multientik, historiani shton se ky është një element se edhe popujt e tjerë që kanë luftuar në periudha të ndryshme, do të duhej të ishin pjesë e vargjeve të himnit.

Republika e Kosovës 11 vjet pas shpalljes së Pavarësisë, është njohur nga 116 shtete të ndryshme të botës.