Foto: Facebook

Pasqyrat financiare ‘false’ të Hortikulturës

Nga viti 2014 deri në vitin 2016, raportet financiare të Ndërmarrjes Publike “Hortikultura” janë audituar nga tre auditorë të jashtëm të ndryshëm. Përkatësisht në vitin 2014, janë audituar nga “Audit Check”, në vitin 2015 nga “Baker Tilly Kosovo”, ndërsa në vitin 2016 raportet financiare janë audituar nga “Audit & Conto”.

Në vitin 2017, auditimi i raporteve financiare të “Hortikulturës” është bërë nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA). ZKA-ja ka hartuar një raport prej 34 faqeve, në të cilin janë dhënë 19 rekomandime dhe secila prej gjetjeve është dhënë me detaje e madje është shkruar edhe rreziku që shkaktojnë ato parregullsi.

Ndërsa raportet e hartuara nga auditorët e jashtëm kanë vetëm disa faqe, nuk kanë rekomandime, as gjetje. Në këto raporte është i shkruar vetëm nga një opinion i shkurtër i Auditorit sa i përket Pasqyrave Financiare.

Ndërmarrja Publike ‘Hortikultura’ në të cilën është aksionar Komuna e Prishtinës nuk ka paraqitur një pasqyrë të vërtetë financiare për vitin 2017. Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur një varg shkeljesh brenda kësaj ndërmarrje, duke përfshirë keq menaxhim të parasë publike. Të gjitha këto kanë qenë bazë për një opinion të kundërt nga Auditori.

“Pasqyrat vjetore financiare për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2017 nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë, në të gjitha aspektet materiale”, thuhet në raportin e Auditorit për këtë ndërmarrje publike që deri në vitin 2017 ishte audituar nga Auditor të jashtëm privat.

Auditori ka gjetur se kjo ndërmarrje i ka ndërruar numrat e financave për t’i barazuar numrat në kontabilitet. Fitimet e mbajtura reale ishin për 28 mijë e 418 euro më të ulëta se sa ato që janë prezantuar në Pasqyrat Financiare Vjetore.

“Shuma e fitimeve të mbajtura e prezantuar në PFV-të e vitit 2017, krahasuar me shumën e prezantuar në PFV-të e vitit 2016 ishte mbivlerësuar për 5,408€. Ndërsa, në shënimet kontabël saldo e kësaj llogarie ishte 172,299€ respektivisht 28,418€ më pak se sa vlera e prezantuar në PFV. Një mbivlerësim i tillë ishte bërë me qëllim të barazimit të pasqyrës së pozitës financiare”, thuhet në raportin e Auditimit për vitin 2017.

Raportet e mangëta nga auditorët e jashtëm

Në opinionin e raportit të auditimit për vitin 2014, të realizuar nga “Audit Check” është thënë që Pasqyrat Financiare janë prezantuar drejtë nga Ndërrmarrja Publike “Hortikultura”.

“Në mendimin tonë, Pasqyrat Financiare të kompanisë “Hortikultura” prezantojnë në mënyrë të drejtë, pozicionin financiar të kompanisë më 31 dhjetor 2014 si dhe performancën financiare të saj, ndryshimet në ekuitet për vitin që përfundon në këtë datë”, thuhet në opinion.

I njëjti opinion është dhënë edhe në vitin 2015, nga auditori tjetër i jashtëm “Baker Tilly Kosovo”.

“Në opinionin tonë, pasqyrat financiare paraqesin drejtë, në të gjitha aspektet materiale, pozicionin financiar të “Hortikultura”, më 31 dhjetor 2015, performancën financiare të saj dhe rrjedhën e parasë së gatshme për vitin që ka përfunduar në atë datë në pajtueshmëri me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme”, potencohet në opinion.

Por në vitin 2015 është përmendur se “Hortikultura” që nga shtatori i vitit 2014 nuk ka pasur bord të drejtorëve pasi që nuk janë përzgjedhur nga Kuvendi Komunal i Prishtinës dhe si rrjedhojë kompania nuk qeverisej në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike në Kosovë.

Raporti i vitit 2016, i realizuar nga “Audit & Conto” ka një opinion më të gjatë se dy raportet e dy auditorëve të jashtëm të vitit 2014 dhe 2015.

Por edhe në opinionin e vitit 2016 thuhet që pasqyrat financiare paraqesin në mënyrë të drejtë, në të gjitha aspektet materiale.

Ndërsa baza për opinionin rezervë të Auditorit në vitin 2016 ka theksuar problemet me pasqyrat financiare, mbivlerësim të shpenzimeve dhe nënvlerësim i pasurive.

“Vlera neto e pronës, impianteve dhe pajimeve është 60,526 euro. Prona impiantet dhe pajimet janë rritur me 1 janar 2016 për shumën 21,526€ për gabimet në regjistrimet dhe prezantimet në vitet e mëparshme. Si pasojë, vlera neto e pronës, impianteve dhe pajimeve me 31 dhjetor 2015 është nënvlerësuar për 21,526 euro, po ashtu shpenzimet e zhvlerësimit janë të mbivlerësuara dhe nuk përputhen me shpenzimin real i cili do duhet të ishte prezantuar”, thuhej në opinionin rezervë.

Parregullsitë në prokurim

Ndërmarrjet Publike me rastin e blerjeve të mallrave dhe shërbimeve kanë për obligim që të respektojnë të gjitha procedurat e Ligjit të Prokurimit Publik (LPP). Për furnizime me material higjenik, ndërmarrja në vitin 2017 nuk kishte zhvilluar procedura të prokurimit, mirëpo furnizimet ishin realizuar pa kontratë.

Kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së planifikimit të duhur. Më tej, blerjet e bëra duke mos u mbështetur në kontratë dhe pa proces formal të pranimit nuk japin siguri për ndodhjen dhe saktësinë e shpenzimeve.

“Kryesuesi i Bordit duhet të siguroj që blerjet e mallrave dhe shërbimeve bëhen në harmoni të plotë me Ligjin e Prokurimit Publik në mënyrë që të shmanget diskriminimi apo favorizimi i operatorëve ekonomik dhe të sigurohet shfrytëzimi efikas i fondeve publike”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Sa i përket tenderëve, në vitin 2017 janë gjetur parregullsi edhe gjatë hapjes së një tenderi në ndërmarrjen publike “Hortikultuara”.

Me vendimin e datës 11.08.2017 për Komisionin e hapjes së ofertave për Furnizim me Fara të Luleve, Troset dhe Substrat, ishin caktuar 3 anëtarë të komisionit për hapjen e ofertave për tenderin përkatës. Gjatë ekzaminimit, Auditori ka vërejtur se në procesverbalin e hapjes së ofertave ishte nënshkruar vetëm njëri nga anëtarët e komisionit si dhe nga vet zyrtari i prokurimit, i cili nuk ishte i caktuar në komisionin për hapjen e ofertave.

“Kryesuesi i Bordit duhet të siguroj që në procesin e hapjes së tenderëve të jenë të përfshirë personat përgjegjës dhe të caktuar me anë të vendimit. Në rast të pamundësisë së zbatimit të vendimit, duhet t’i reflektoj ndryshimet përmes shfuqizimit dhe aprovimit të vendimit tjetër”, potencohet në raportin e auditimit.

Zyrtarët e lartë me kontrata të skaduara

Gjatë testimeve të Auditorit është gjetur se kontratat e katër zyrtarëve të lartë të Ndërmarrjes Publike “Hortikultura”, Kryeshefit Ekzekutive, Zyrtarit Kryesor Financiar dhe të Thesarit, Sekretarit Korporativ dhe Auditorit të Brendshëm nga viti 2015 u kishte skaduar kontrata dhe ata vazhdojnë të ushtrojnë punën e tyre. Mos ripërtërija e kontratave të këtyre zyrtarëve ka ndodhur për shkak të mungesës së Bordit të Drejtorëve.

“Kryesuesi i Bordit duhet të siguroj që zyrtarët e lartë të Ndërmarrjes kanë kontrata të marrëdhënies së punës për të siguruar funksionimin e mirëfilltë të Ndërmarrjes”, thuhet në raport.

Përveç katër zyrtarëve të lartë të Ndërmarrjes të cilëve u kishte skaduar kontrata nga viti 2015, edhe zyrtari i prokurimit ka qenë pa kontratë të marrëdhënies së punës.

Zyrtari i Prokurimit nuk ka kontratë që nga viti 2010, por vetëm një vendim i cili nuk ka afate kohore. Po ashtu në vendim thuhet, se ky vendim është bazë për lidhjen e kontratës, mirëpo akti i themelimit të marrëveshjes kontraktuale nuk ka ndodhur. Kjo për shkak se menaxhmenti i Ndërmarrjes e ka konsideruar të mjaftueshëm vetëm vendimin.

“Kryesuesi i Bordit të siguroj që secili i punësuar në ndërmarrje të ketë kontratë të punës në pajtim me kërkesat ligjore dhe procedurale në fuqi”, ka rekomanduar Auditori.

Mos prezantim i saktë i detyrimeve  

Po ashtu është vërejtur se llogaritë e pagueshme të prezantuara në PFV ishin nënvlerësuar për 1,322 euro, ndërsa obligimet rrjedhëse në vlerë 766 euro nuk ishin prezantuar fare në PFV.

Me tej edhe pse në PFV obligimet për tatime dhe kontribute ishin prezantuar saktë, në shënimet kontabël këto obligime ekzistojnë në vlerë prej 30,253 euro. Po ashtu, në shënimet kontabël figurojnë obligime ndaj punëtorëve në vlerë prej 8,081 euro, mirëpo realisht ndërmarrja gjatë vitit kishte paguar të gjitha obligimet ndaj punëtorëve.

“Kryesuesi i Bordit duhet të siguroj që janë marrë veprimet e nevojshme për t’i korrigjuar shënimet kontabël dhe të siguroj prezantim të saktë në PFV”, thuhet në rekomandim.

Po ashtu “Hortikultura” nuk kishte arritur të përmbushte me kohë obligimet ndaj furnitorit në vlerë prej 2,590 euro. Për shkak të vonesës në pagesë prej tre muaj, furnitori kishte aplikuar procedurën përmbarimore me qëllim të inkasimit të mjeteve.

Kjo i ka shkaktuar ndërmarrjes shpenzime shtesë të përmbarimit në vlerë prej 500 euro. Shpjegimet e menaxhmentit ishin se kjo ka ndodhur si rezultat i mungesës së mjeteve financiare.

“Kryesuesi i Bordit duhet të merr masa të menjëhershme për pagesën e faturave duke i bërë pagesat e faturave brenda afateve ligjore, me qëllim që tu shmanget shpenzimeve shtesë”, vazhdon rekomandimi i Auditorit.