Pas rezultateve të zgjedhjeve, ky është rrugëtimi deri në krijimin e Qeverisë së re

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, një muaj pas zgjedhjeve nacionale ka shpallur rezultatet finale.

Megjithatë, partitë fituese ende nuk mund të fillojnë procedurat për formimin e Qeverisë së re deri në certifikimin e këtyre rezultateve.

Kjo pasi që subjektet politike dhe kandidatët për deputetë mund të paraqesin ankesat e tyre lidhur me rezultatet finale.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, fillimisht ankesat mund të paraqiten në PZAP dhe në rast se ky institucion hedhë poshtë ndonjë ankesë, pala e pakënaqur mund të ankohet në Gjykatën Supreme.

“Ne gjithashtu duhet të presim vendimmarrjen e tyre, të veprojmë në përputhje me këto vendime, nëse e obligojnë KQZ-në, në mënyrë që pastaj të mund të procedojmë për certifikimin e rezultateve përfundimtare. Në fund, pasi KQZ-ja merr vendim për certifikimin e rezultateve e njofton Presidentin e Republikës së Kosovës lidhur me rezultatin e këtyre zgjedhjeve”, ka shtuar Elezi për KALLXO.com

Në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, në nenin 105, paragrafin 3 thuhet “Për të gjitha ankesat e marra nga PZAP-i vendoset jo më vonë se 72 orë nga momenti i pranimit të ankesave në zyrat qendrore të PZAP-it”.

Ndërsa Mulë Desku, sekretar i PZAP-it thotë për KALLXO.com tregoi çfarë ndodhë nëse ka ankesa në vendimet e PZAP-it.

“Rruga për certifikimin e zgjedhjeve është prej momentit kur i ka shpallur KQZ-ja rezultatet, 24 orë palët kanë të drejtë me parashtrua ankesë në PZAP, 72 orë ka PZAP mi shqyrtu ankesat prej momentit të pranimit dhe pas këtij afati palët e pakënaqura kanë të drejtë të shkojnë në Gjykatën Supreme mu anku, pastaj edhe ajo ka 72 orë me vendos”, ka thënë Desku.

Desku ka shtuar se e gjithë kjo procedurë mund të zgjasë rreth 8 ditë deri në certifikimin e zgjedhjeve.

“Kejt këto mund të marrin kohë 8 ditë por nëse Gjykata Supreme nuk ka ndonjë ankesë mund të certifikohen 1 ose 2 ditë më herët”, ka shtuar Desku.

Në nenin 106 paragrafin 1 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, shpjegohet se “KQZ-ja certifikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotime dhe qendrat e numërimit si dhe kur të gjitha ankesat që u përkasin votimit dhe numërimit të vendosura nga PZAP-i dhe çdo apel ndaj vendimeve të PZAP-it lidhur me to të jetë vendosur nga Gjykata Supreme e Kosovës”.

Ndërkohë, Kushtetuta e Kosovës, neni 66 paragrafi i parë thotë se “Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë(30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve”.

Kurse për zgjedhjen e Qeverisë thotë se “Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për ta formuar Qeverinë”.

Në rezultatet finale të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 6 tetorit e të publikuara sot nga KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka dalur subjekti më i votuar në këto zgjedhje me 220,811 vota ose 26.159% apo 32 deputetë.

Pasuar nga LDK me 205,458 vota apo 24.458% me 29 deputetë. Kurse partia e tretë ka dalur PDK-ja me 178,645 vota apo 21.163% apo 25 deputetë, duke u bërë për parti opozitare pas disa vitesh.

Koalicioni AAK-PSD ka marrë 96,883 vota apo 11,477% apo 14 deputetë. Lista Serbe ka marrë 10 deputetë apo 57,015 vota apo 6,754%.

Ndërsa, Koalicioni Nisma – AKR – PD nuk ka arritur ta kalojë pragun zgjedhor. Ky koalicion grumbulloi vetëm 42,072 vota apo 4,984%.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbajtën pas dorëheqjes së kryeminstrit në detyrë, Ramush Haradinaj, pasi u ftua për intervistim nga Gjykata Speciale dhe nga shpërbërja e Kuvendit.