"Pas luftës, kush jemi ne?!" shfaqja që u dedikohet engjëjve që lufta ua këputi ëndrrat fëmijërore

Një nga dhembjet më të mëdha që ka lënë lufta e fundit në Kosovë është moszbardhja e fatit të të pagjeturve. Plaga rëndohet kur në mesin e të pagjeturve janë edhe 106 fëmijë, të cilëve lufta ua këputi ëndrrat fëmijërore.

Për të nderuar dhe rikthyer kujtimin për viktimat e luftës, fëmijëve të vrarë e të zhdukur, më 26 nëntor 2024, në AMC Hall në Mazgit të Obiliqit, është dhënë shfaqja “Pas luftës, kush jemi ne?!”.

Shfaqja e konceptuar me regji e koreografi të Robert Nuhës, solli një gërshetim të veçantë artistik të kërcimit, aktrimit dhe ritmeve muzikore, duke ndërlidhur dramatikisht rrëfimet e të mbijetuarve dhe të zhdukurve, të botës së përtejme dhe realitetit të sotëm.

“Nanë mos m’le”, “Nanë kapma dorën”, “Nanëë..”, “… dua pak bukë …”, përmes lojës së aktorëve, përcillnin thirrjet e engjëjve që godasin si shigjeta në ndërgjegjen shoqërore, për fatin e të pagjeturve dhe për drejtësi për viktimat e pafajshme. E krahas tyre, edhe për gjendjen emocionuese të të mbijetuarve dhe familjarëve të të vrarëve gjatë luftës.

Përmes elementeve skenike, interpretimit të aktorëve, muzikës, efekteve ndriçuese e interpretimit aktoresk, shfaqja, “Pas luftës, kush jemi ne?!” është një thirrje për ndërgjegjësim mbi rëndësinë e kujtesës individuale dhe kolektive.

Shfaqja që përloti të gjithë

Dhembja që përcolli shfaqja për fëmijët e vrarë dhe të zhdukurit gjatë luftës përloti publikun në sallë. Njëjtë sikurse edhe stafin e shfaqjes që nga fillimi i realizimit të saj.

Aktori Adem Karaga, tha pas shfaqjes se nuk ka qenë e lehtë për të që të interpretojë në një shfaqje e cila u dedikohet të të pagjeturve.

Ai tha se realizimi i shfaqjes që nga fillimi e deri në finalizim është përcjellë me shumë dhembje nga aktorët e shfaqjes.

Megjithatë, ai e sheh si privilegj që ishte pjesë e një grupi të mrekullueshëm.

“Procesi i realizimit të kësaj shfaqje na ka përcjell me shumë momente të dhimbshme. Për të qenë i sinqertë kjo periudhë na ka kaluar më shumë lot, dhimbje, ka qenë një laborator, një punishte e thellë e cila ishte diçka që ne u ballafaquam me vetveten, të kaluarën dhe besoj që do të na shërbej për të ardhmen”- tha Karaga për KALLXO.com.

Ndërsa, ideatori dhe producentit i kësaj shfaqje, Nysret Pllana tha për KALLXO.com, se Pas luftës, kush jemi ne?!” u dedikohet të zhdukurve dhe fëmijëve të vrarë në luftën e fundit në Kosovë, 1998/99.

Shfaqja, sipas tij, është edhe një porosi për politikën vendore e ndërkombëtare, që të mos barazohet viktima me kriminelin dhe që qartësisht e dëshmon se kush ka kryer krime në Kosovë gjatë luftës.

“Shfaqja është një vepër shumë dimensionale, një vepër artistike e cila i ka munguar skenës sonë, me një mesazh dhe porosi të qartë për të mos të lënë në harresë fatin e të pagjeturve dhe drejtësinë për viktimat. Para së gjithash suksesi i kësaj shfaqje është dëshmi e mirë e një pune ekipore”- ka thënë Pllana, për KALLXO.com

Gjurmët e fëmijëve të vrarë

Ndërkaq, koreografi Robert Nuha tha se shfaqja sjell në mënyrë artistike, në dimensione të shumta, përjetimet dhe kujtimin për viktimat e luftës dhe të të pagjeturit.

“Të pagjeturit dhe fëmijët  e vrarë në luftë- e gjithë tema sillet rreth kësaj tragjedie. Këto këpucë që janë vendosur në skenë janë gjymtyrët e tyre (fëmijëve) me qëllim që ne të bëjmë detyrën, që mos ta lëmë të shkoi dëm sakrifica e tyre”- ka thënë Nuha.

Koreografi Nuha ka thënë se shfaqja përcjellë porosi se kujtimi për fëmijët e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës duhet të marrë vëmendje më të madhe nga institucionet.

“Pas luftës, kush jemi ne?!”, sipas tij, është dëshmi se institucionet duhet të përkrahin krijuesit për realizimin e shfaqjeve të tilla.

Kjo shfaqje është realizuar nga Shoqata “Yjet që nuk vdesin” në bashkëpunim me Kompaninë “NOA- dans teatër”.

Shfaqja “Pas luftës, kush jemi ne!?” do të jepet më 28 nëntor 2024, në ora 20:00 në Teatrin Kombëtar në Tiranë dhe më 30 nëntor 2024, në ora 20:00 në Teatrin shqiptar në Shkup – Maqedoninë e Veriut.

Në 2019, Fondi për të drejtën Humanitare në Kosovë hapi një ekspozitë në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë në kujtim të 1,024 fëmijëve të vrarë dhe 109 që rezultojnë ende të zhdukur nga lufta në Kosovë. Ndërsa, 1,617 është numri i personave të zhdukur dhunshëm gjatë luftës në Kosovë.