Haradinaj në takim me zëvendësministrat | Foto: ZKM

Partitë politike zotohen për zvogëlim të numrit të ministrive

Ndërkohë që Kosova po bëhet gati për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, janë ngritur një sërë pyetjesh në lidhje me numrin e madh të ministrive qeveritare, dhe nëse një zvogëlim i këtyre ministrive do të rrisë efikasitetin dhe luftimin e shpenzimeve të panevojshme në buxhetin e shtetit.

Fillimi i fushatës zyrtare të zgjedhjeve ditën e mërkurë i gjeti disa nga partitë kryesore politike të Kosovës teksa zotohen për zvogëlimin e numrit të ministrive që e përbëjnë ekzekutivin e vendit, me qëllim që të shmangin shpenzimet shtesë. Qeveria e Kosovës aktualisht përbëhet nga 21 ministri, dhe këtë fakt kritikët e kanë përshkruar si një shtim të panevojshëm të ministrive që krijon vetëm shpenzime shtesë që dëmtojnë buxhetin e Kosovës.

Një kritikë e tillë gjeti mbështetje në mesin e partive opozitare nga mandati i kaluar parlamentar. Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Kryeministër, Albin Kurti, ka premtuar se në një qeveri të udhëhequr prej tij, numri i ministrive nuk do të tejkalonte numrin prej 12, ndërsa secila ministri do të kishte vetëm një zëvendësministër.

Qeveria në largim, e përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, PDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, NISMA dhe Aleanca Kosova e Re, AKR, është kritikuar gjerësisht për rritjen e numrit të zv/ministrave në një total që tejkaloi numrin prej 80 sosh.

Një ditë para dorëheqjes së tij, Kryeministri në largim Ramush Haradinaj emëroi edhe dy zëvendësministra të tjerë. Ky veprim është kritikuar jo vetëm nga partitë opozitare, por edhe nga shoqëria civile si një formë e keqpërdorimit të pushtetit, me qëllim të akomodimit të militantëve të partisë brenda institucioneve shtetërore. Secili nga zv/ministrat punësoi gjithashtu anëtarë të stafit, nga këshilltarët deri tek asistentët dhe shoferët, duke shkaktuar shpenzime të mëtejshme në buxhetin e Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, gjithashtu ka dhënë një premtim se do ta zvogëlojë në mënyrë drastike numrin e ministrive brenda qeverisë së Kosovës. Programi i tyre politik, i përshkruar në manifestin e tyre politik për zgjedhjet e ardhshme, thotë se një qeveri e LDK-së do të përbehej gjithashtu me 12 ministri, deri në dy zëvendësministra për secilën.

Koalicioni qeverisës PDK-LDK, i cili ishte në fuqi mes viteve 2015 dhe 2017, punësoi 44 zv/ministra, gati dyfishin e numrit të parashikuar sipas programit të ri, ndërsa kjo qeveri gjithashtu u përball me kritika për dështimin në riorganizimin e strukturës së ekzekutivit kosovar, diçka që të dy palët kishin premtuar më parë.

Nuk janë vetëm partitë opozitare nga mandati i mëparshëm që bëjnë thirrje për ndryshime. Koalicioni ndërmjet AAK-së dhe Partisë Socialdemokrate, PSD, po ashtu ka dalë me propozimin për zvogëlimin e ministrive në 15 sosh. Besnik Tahiri nga AAK-së gjithashtu ka propozuar se asnjë politikan nuk duhet të shërbejë si ‘zëvendës kryeministër’ pa qenë gjithashtu përgjegjës për një ministri.

Ish-partnerët e AAK-së në koalicionin e mëparshëm qeverisës, PDK, NISMA dhe AKR kanë vendosur të heshtin në lidhje me këtë çështje, duke mos shpalosur ndonjë plan të tyre për të zvogëluar numrin e ministrive.

Qeveria në largim kishte propozuar një projektligj qeveritar që parashikonte zvoglimin e departamenteve qeveritare. Sidoqoftë, për shkak të dorëheqjes së Haradinaj, plani mbetet vetëm në letër, dhe nuk mund të paraqitet para Kuvendit për miratim.

Për Mexhide Demollin, drejtoreshë ekzekutive e ‘Levizja Fol’, një OJQ për qeverisje të mirë dhe anti-korrupsion, nisma të tilla janë të mirëseardhura, dhe riorganizimi i qeverisë mund të sjellë më shumë efikasitet. “Gjatë vitit 2018 ne kemi monitoruar programin e punës së Qeverisë së Kosovës dhe vetëm 64 përqind e programit është realizuar,” deklaroi ajo për Prishtina Insight. “Kjo na bëri të kuptojmë se edhe pse qeveria kishte shumë departamente, programi i paraparë nuk u realizua asnjëherë.”

Asnjë nga palët që avokojnë për ndryshim nuk është deklaruar në mënyrë të qartë se cilat ministri do të mbyllen, e as afatin kohor se kur do të bëhet tranzicioni dhe shkrierja e ministrive.

Sidoqoftë, për Demollin, Ministria e Integrimit Evropian mund të bëhet një departament brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme ose në Zyrën e Kryeministrit, ndërsa Ministria e Diasporës mund të integrohet në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ajo gjithashtu sugjeron që Ministria e Zhvillimit Rajonal mund të përfshihet në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, ndërsa Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë mund të bëhet pjesë e Ministrisë së Arsimit.

“Ekziston mundësia që të ketë një ristrukturim dhe shkrirje të ministrive dhe për ta bërë këtë vetëm vullneti politik është i nevojshëm,” shtoi ajo.

Një OJQ tjetër, Demokracia Plus, u ka kërkuar të gjithë kandidatëve që po garojnë për pozitën e kryeministrit që ta nënshkruajnë një zotim për t’iu përmbajtur shtatë “angazhimeve të qeverisjes së mirë”, e para prej të cilave është zotimi që kufizon secilën qeveri në maksimum 15 ministri. Ndërkohë që një numër i programeve të partive janë në përputhje me këtë zotim, i vetmi kandidat i cili e ka nënshkruar këtë zotim deri më tani është lideri i  Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Ndërsa partitë politike janë të njohura për premtimet e tyre astronomike, sipas Demollit plani për të riorganizuar organin ekzekutiv pas zgjedhjeve të tetorit është realist dhe varet vetëm nga vullneti i partive politike. “Mendoj se brenda një viti plani i riorganizimit mund të realizohet, por vetëm nëse palët që kërkojnë këtë plan janë të angazhuara dhe ofrojnë një plan konkret se si ta bëjnë atë,” tha ajo.