Partitë kosovare kërkojnë shpërndarje të Kuvendit, por askush s'e thërret seancën

Partitë politike kosovare nuk po arrijnë të dakordohen për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme për të shpërndarë Kuvendin e Kosovës, ndonëse në çdo deklarim thonë se janë të gatshëm.

Procedura për të shpërndarë Kuvendin, në rrethanat aktuale, është lehtë e arritshme.

Neni 82 i Kushtetutës së Kosovës e ka përcaktuar saktë mënyrën se si Kuvendi mund të kryejë procesin e shpërndarjes.

“Kuvendi shpërndahet në këto raste: Nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve, shpërndarja bëhet me dekret të Presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet në pikën 1 të nenin 82 të Kushtetutës së Kosovës.

Pra, duhen 80 vota të deputetëve që të vendosin për të ndërprerë punën dhe shpërndarë legjislativin.

Po ashtu, Kushtetuta e Kosovës e përcakton edhe mënyrën se si mund të thirret një seancë. Duhen të paktën 40 deputetë të bëhen bashkë për të ftuar një seancë të jashtëzakonshme.

Mirëpo ndonëse kanë kaluar 12 ditë që prej dorëheqjes së Ramush Haradianjt nga posti i kryeministrit dhe po aq ditë prej që partitë politike në Kosovë kanë deklaruar njëzëri se duan zgjedhje, asnjë veprim i mëtutjeshëm nuk është marrë.

Partitë politike janë duke pritur ftesën e Hashim Thaçit për takim konsultativ. Ftesë që është premtuar që nga java e kaluar dhe nuk është bërë ende.

Ishte Lëvizja Vetëvendosje, grupi i parë parlamentar që deklaroi se do të mblidhen për të votuar shpërndarjen e Kuvendit.

Mirëpo, kanë kaluar disa ditë dhe asnjë grup parlamentar nuk ka nisur procedurat e thirrjes së një seancë të jashtëzakonshme që në rend të ditës do ta kishte shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj të martën deklaroi se ata janë të gatshëm t’i japin nënshkrimet në çdo moment.

“Nisma është e gatshme, qysh tash me i dhanë nënshkrimet me një dakordim për datën e zgjedhjeve. Ju e dini që Parlamenti nuk shpërndahet pa 80 vota, andaj duhet një dakordim të forcave politike brenda parlamentit për të shpërbërë Kuvendin”, tha Limaj gjatë një konferencë për media, pas takimit që kishte mbajtur me Ramush Haradinaj dhe Behgjet Pacollin.

Ndërsa, shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti sot gjatë ditës është deklaruar se LDK do të kërkojë seancë të jashtëzakonshme për shpërndarjen e Kuvendit.

“Në mungesë të një iniciative të tillë nga Presidenti, ne do të kërkojmë thirrjen e seancës për shpërbërje të Kuvendit, siç parashihet me nenin 83, pika b, e Rregullores të Punës të Kuvendit”, ka shkruar Hoti sot në profilin e tij në Facebook.

Mirëpo, as Lëvizja Vetëvendosje, e cila e kishte propozuar fillimisht idenë e shpërndarjes, thotë se ende nuk ka marrë iniciativë për këtë.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! që në javën e kaluar paralajmëroi që nëse shohim që presidenti do të luaj lojën e PDK-së për zhagitje përmes rolit të tij simbolik drejt shkuarjes në zgjedhje atëherë ne do të fillojmë konsultat me subjektet për të thirrur seancë që do ta shpërndante Kuvendit e që pastaj janë obligimet kushtetuese që parashohin datën e zgjedhjeve”, ka thënë për KALLXO.com, zyra për informim e LVV-së.

Në anën tjetër, edhe kryeministri në largim, u shpreh dje se janë të gatshëm për të shfrytëzuar mundësinë e shpërndarjes së Kuvendit përmes votave të deputetëve.

“Mendoj që ka një bazë të mirë që partitë politike, me dakordim të plotë me e shpërbë Parlamentin dhe të shkohet në zgjedhje. Të mos humbet kohë, të ketë një koordinim të veprimeve në nivel të grupeve parlamentare, mes AAK-së, Nismës dhe gjithë deputetëve të tjerë dhe kështu të gjithë bashkë të votojmë një mocion për shpërbërjesh e Kuvendit”, u shprehë Haradinaj gjatë ditës së djeshme.

Për vet-shpërndarjen ishte deklaruar edhe Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli. Ai para dy ditësh në një intervistë dhënë për Televizionin Publik, u kishte bërë thirrje kolegëve deputetë që të shkojnë në kuvend për të votuar shpërndarjen e Kuvendit

“Edhe në cilësinë e kryetarit të PDK-së edhe në cilësinë e kryetarit të Kuvendit, i kisha thirrë kolegët e mi të partive politike, të mblidhemi në zyrat e Kuvendit, edhe pse proceduralisht duhet të shkojmë te presidenti, mirëpo gjithsesi në fund të fundit duhet të ndodhë vet-shpërbërja e parlamentit dhe të shkojmë në zgjedhje”, kishte thënë Veseli më 29 korrik në një intervistë për Televizionin Publik të Kosovës.

Mirëpo asnjë parti politike dhe asnjë deputet nuk ka marrë iniciativën e thirrjes së seance të jashtëzakonshme plenare për këtë kërkesë.

Ata po e presin presidentin, derisa ai po vazhdon heshtjen.

Presidenti Hashim Thaçi, ndonëse javën e kaluar njoftoi se këtë javë do t’i ftoj partitë politike në konsulta, ai ende nuk i ka takuar partitë politike më të mëdha vendore.

Të martën, presidenti i takoi përfaqësuesit e partive politike jo shumicë.

https://kallxo.com/thaci-takohet-me-perfaqesues-te-partive-jo-shumice-per-situaten-politike/

 

Zyra e Presidentit nuk është përgjigjur në pyetjet e KALLXO.com se kur do t’i ftoj në takim përfaqësuesit e partive politike.

Ata nuk kanë kthyer përgjigje që nga dita e martë.

Të mërkurën në mëngjes, presidenti priti në takim kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.

Pas takimit, i pari i shtetit tha se është i gatshëm që t’i shpallë zgjedhjet menjëherë, ndonëse deri më tani nuk ka ndërmarrë ndonjë hap konkret për këtë.

https://kallxo.com/thaci-jam-i-gatshem-ti-shpalle-menjehere-zgjedhjet/

.