Partitë fillojnë fushatën pa programe të definuara qeverisëse

Të mërkurën në Kosovë filloi zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet e 6 tetorit, e bashkë me të u shtuan premtimet e subjekteve politike para qytetarëve, edhe pse të njëjtat kanë filluar qysh pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj më 19 korrik 2019.

Disa në Prishtinë, e të tjerë në Mitrovicë e Suharekë, në të cilat lokacione partitë politike dhe koalicionet parazgjedhore vendosën t’i mbajnë tubimet për hapjen zyrtare të fushatës, që do të zgjasë 10 ditë rresht.

Investime në arsim dhe shëndetësi, reforma pensionale, sigurime sociale, shtesa për fëmijë, vende të reja pune, rritje ekonomike, vetting në sistemin e drejtësisë, ishin vetëm disa nga premtimet që e dominuan diskursin politik në ditën e parë të fushatës.

Përveç premtimeve, një pjesë e konsiderueshme e fjalimeve të politikanëve shfaqte kritikat ndaj qeverisjeve të kaluara apo rivalëve politikë, duke anashkaluar kështu prezantimin e një programi të mirëfilltë qeverisës për katër vitet e ardhshme.

Ndërkohë, njohës të çështjeve politike në vend vlerësojnë se jo të gjitha partitë po i shpalosin programet e tyre qeverisëse për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Donika Emini nga Platforma “CiviKos” thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se partitë politike janë më konkrete sesa herëve të kaluara.

“Duket që ka një presion të përgjithshëm që shtynë partitë që të jenë më konkrete, sidomos në çështjet që ndërlidhen me zhvillimin ekonomik. Mirëpo, kjo nuk do të thotë që këto premtime janë të realizueshme, kjo sidomos me dyfishimin në zhvillim ekonomik ose edhe çkapjen e menjëhershme të shtetit – gjë që do të marrë kohë shumë më tepër”, tha ajo.

Në anën tjetër, sipas Eminit, vërehet një hezitim i partive politike të flasin konkretisht për qëndrimet e tyre në raport me dialogun me Serbinë dhe procesin e integrimit të Kosovës në BE dhe NATO – këto të dyja ishin premtimet kryesore në zgjedhjet e kaluara.

“Kjo është indikator që partitë nuk kanë as prioritet e as plan të punojnë në drejtime të cilat janë më komplekse në politikën e jashtme.

Emini shton se liberalizimi i vizave nuk duket terren i lehtë për partitë politike për shkak të problemeve me shtetet anëtare për të proceduar tutje, andaj siç thotë ajo, ka hezitim nga partitë që të përmendet kjo çështje.

“Përderisa po presim që të kemi në dorë programet e partive, vërehet qartë që ka tendenca për fokusim në çështje që ndërlidhen me çkapjen e shtetit dhe luftimin e korrupsionit – kjo edhe nga partitë që kanë luajtur rol kyç në kapjen e shtetit. Andaj, kjo ndikon në uljen e kredibilitetit të partive dhe programeve të tyre”, vlerëson ajo.

Ndërkaq, Jetmir Bakija nga Demokraci Plus (D+), thotë se për qytetarë jomilitantë partiakë si me rëndësi në fushatë zgjedhore janë programet partiake dhe planet e tyre për të ardhmen e vendit, pasi e kërkojnë pushtetin.

Sipas tij, edhe pse të gjitha partitë e hapën fushatën duke folur për program, jo të gjitha publikuan program të detajuar dhe të shkruar.

“Vetëm LDK dhe LVV dje kanë filluar me një program zgjedhor të detajuar dhe të artikuluar në letër. LDK e shpalosi dje në ueb-faqe dhe fjalimi i kandidates ishte mbi atë plan, LVV vazhdoi me programin zgjedhor që nga hera e kaluar pasi kanë vlerësuar se është ende aktual dhe kandidati i tyre u përqendrua në atë”, tha Bakija për Gazetën Jeta në Kosovë.

“AAK e hapi fushatën me 100 prioritetet që ishin publikuar edhe më herët në faqen e kandidatit të tyre për kryeministër, por nuk ka të publikuar në ueb-faqe ndonjë plan më të detajuar se si do të arrihen ato prioritete. PDK, edhe pse ka folur mjaft për luftën që do ta bëjë kundër korrupsionit dhe ka ofruar disa ide, ato nuk janë përpiluar në një program zgjedhor ku mund të ketë qasje publiku”, shtoi Bakija.

Ndërkohë, në tubimet e partive politike gjatë fushatës, edhe për këto zgjedhjeve ka nisur bartja e organizuar e njerëzve nga komuna të ndryshme.

Lidhur me këtë, Jetmir Bakija (D+) thotë se qëllimi i fushatës zgjedhore është të mbahen tubime për të plasuar programin tek njerëzit e vendbanimeve të ndryshme.

“Andaj, nuk mendoj se është praktikë e mirë të sillen në mënyrë të organizuar njerëz nga qytetet të tjera. Nuk duhet të jetë primare numri i pjesëmarrësve në këto ngjarje për shkak se numri bëhet më rëndësi në ditë të zgjedhjeve”, vlerësoi ai për Gazetën JnK.

Kurse, Donika Emini vlerëson se një gjë e tillë është e natyrshme.

“Është në trend luftimi për numrin e shikueshmërisë të programeve të media sociale dhe numri i mbështetësve nëpër tubime. Kjo është strategji për të tërhequr votuesit e papërcaktuar – krijimi  i ndjenjës që një parti e caktuar është ajo që fiton shumicës dhe ‘të gjithë’ po e përcjellin atë parti”, thotë ajo për Gazetën JnK.

Çka duhet të ofrojë fushata 10-ditëshe?

Analistë politikë vlerësojnë se fushata elektorale këto ditë në Kosovë duhet të ofrojë plane konkrete që janë të zbatueshme dhe të arritshme për një mandat qeverisës.

Sipas Donika Eminit, kjo do të mbante edhe pritshmëritë në nivel të duhur dhe racional.

“Çdo premtim që çkapja e shtetit dhe luftimi i korrupsionit do të ndodhë brenda një mandati do të duket i parealizueshëm dhe i paarritshëm si i tillë në sytë e qytetarit. Çdo premtim do të duhet të ketë edhe një plan kohor të realizueshmërisë si dhe hapat konkretë se çfarë qasje do të ketë qeveria e re”, thotë ajo për Gazetën JnK.

Në anën tjetër, Jeton Bakija thekson se në këto 10 ditë fushatë votuesve duhet t’u ofrohet programi i qartë dhe plane konkrete për realizimin e prioriteteve në program.

“Qytetarët janë mjaft skeptikë në parti politike për sa i përket realizimit të premtimeve zgjedhore andaj partitë duhet të ofrojnë plane bindëse, të qarta dhe të realizueshme si dhe duhet të tregojnë ku do t’i marrin fondet për realizimin e tyre. Pothuajse çdo gjë tjetër është humbje kohe në fushatë”, tha ai për Gazetën JnK.

Zotimet e Vjosa Osmanit karshi qytetarëve

Me prioritet investimin në rini dhe përmirësimin e gjendjes në arsim, shëndetësi, gjyqësor dhe ekonomi, Lidhja Demokratike Kosovës (LDK), dje  ka mbajtur tubimin qendror në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet.

Kandidatja e LDK-së për kryeministre të Kosovës, Vjosa Osmani tha se më 6 tetor Kosova do të çlirohet nga keqqeverisja që i ka prishur raportet më Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Atë ditë do të çlirohemi nga ata që rrënuan besimin në institucionet e vendit nga ata që e vunë në lojë miqësinë tonë të shenjtë e jetike me ShBA-të dhe Bashkimin Europian . Ne sot dalim përpara jush me një program politik dhe qeverisës modern, ne dalim përpara jush me një ekip njerëzish të përkushtuar vizionar dhe të ndershëm”, ka thënë ajo.

Edhe Osmani, ashtu si edhe kundër kandidatet e saj, u premtoi qytetarëve liberalizimin e vizave.

“Qeveria do ta shpërthejë izolimin e Republikës se Kosovës që e kemi si pasojë e politikanëve kryeneçë e keqbërës. Republika e Kosovës nuk ka nevojë për një qeveri megalomane siç ka qenë e ashtuquajtura qeveri e vendimeve të mëdha e cila për fatin e keq të Kosovës do të kujtohet vetëm si qeveri e skandaleve”, ka thënë Osmani.

Osmani para qindra qytetarëve që ishin mbledhur tha se në planin e saj qeverisës LDK-ja do të punojë në dekriminalizimin e drejtësisë, në sigurinë publike si dhe në krijimin e lehtësirave për të bërë biznes në Kosovë.

“Qeveria e LDK-së, do të ndërmarrë hapa të shpejtë për dekriminalizimin e sistemit të drejtësisë dhe sigurisë, duke përfshirë vetingun dhe krijimin e institucioneve të veçanta për hetim të pasurisë. Do të punojmë për institucione të pavarura të drejtësisë, do të punojmë që të përmirësohet siguria në rrugë, që bizneset të punojnë lirshëm”, tha ajo.

Kandidatja e LDK-së për kryeministre të Kosovës, Vjosa Osmani,  u zotua se do të përmirësojë gjendjen në arsim, në mënyrë që të rinjtë të mos e braktisin vendin.

“Në do të punojmë që Kosova të ketë një sistem të pavarur arsimor, që ta ketë nxënësin në qendër të procesit edukativ, që brezi ynë i ri ta shohë të ardhmen në Kosovë, e jo ikjen si zgjidhje, investimi në rini është prioritet i yni”, ka thënë ajo.

Osmani tha se investimet e LDK-së nuk do të shkojnë në asfalt, por në shëndetësi më të mirë për qytetarët.

“Shëndetësinë do ta trajtojmë si emergjencë kombëtare sepse shëndeti i qytetarëve tanë, është mbi të gjitha, mbi politikën dhe mbi profitet. Fokusi i investimit publik do të kalojë nga asfalti, ku e vjedhin, në shëndetësi aty ku e duan qytetarët tanë”, tha ajo.

Premtimet e Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, në Mitrovicë tha se tani është momenti i fundit për ta shpëtuar vendin nga politikanët e pangopur e të paditur.

Kurti premtoi investime milionëshe në sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë.

“Investimet kapitale në arsim do të rriten për 160 milionë euro për katër vitet e ardhshme. Erdhi dita për arsimin, do të bëjmë sistem shëndetësor të kompletuar me pajisje moderne medicinale dhe që shëron të sëmuret me rritje investimesh prej 120 milionë euro në mandatin e ardhshëm. Erdhi dita për shëndetësinë”, shtoi kryetari i VV-së.

Ai premtoi 1 mijë  bursa për vajzat, me prioritet ato që zgjedhin të studiojnë shkencat natyrore dhe teknike.

“Do të ofrojmë punë të garantuar një vit për të rinjtë nga 16 deri 18 vjeç, për nxënie shkathtësish dhe gjenerim të të ardhurave”, vazhdoi tutje kandidati i VV-së për shef të qeverisë së ardhshme.

Po ashtu, ai premtoi 8 mijë grante në vlerë 80 milionë euro për të rinjtë që orientohen nga ndërmarrësia në inovacion dhe në teknologji.

“Do t’i bëjmë çerdhet falas për fëmijë dhe shtesat për fëmijë në llogari të nënës”, ishte premtimi i radhës i kreut të Vetëvendosjes.

Albin Kurti premtoi edhe 140 milionë euro për sportin dhe kulturën.

Koalicioni që thotë se do të jetë befasia e 6 tetorit

Koalicioni parazgjedhor mes Nismës Socialdemokrate, Aleancës Kosova e Re (AKR) dhe Partisë së Drejtësisë (PD), u mblodh të mërkurën në Prishtinë, për hapjen zyrtare të fushatës.

Krerët e këtyre partive politike pjesën e premtimeve e kishin të rezervuar në fund të fjalimeve të tyre, pasi në to dominonte thirrja për sigurimin e votave të qytetarëve.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, njëherësh kandidat për kryeministër Fatmir Limaj, ka thënë se koalicioni Nisma-AKR-PD do të jetë befasia “spektakolare” e këtyre zgjedhjeve.

Ndërkaq, premtimet e Limajt kishin të bënin me Ligjin për Lehoninë, shtesat e fëmijëve dhe punëtorët.

“Ky koalicion do të nxjerrë ligjin për lehoninë. Do të jetë zëri i nënave dhe vajzave e motrave të Kosovës. Ky koalicion do t’i futë shtesat për fëmijët tanë. Ky koalicion do të jetë zëdhënës i punëtorëve që përmes sigurimeve sociale ta përmbyllni jetën me dinjitet”, tha ai.

“Të nderuar pensionistë, reforma pensionale do të jetë në krye. Me një rrogë të merituar”, theksoi  Limaj.

Limaj nuk i kurseu kritikat për kundërshtarët e tij politik.

“Në sallone të ngrohta e studio televizive na kanë dalë do pishpirika që po thonë se e duan Kosovën. Dallimi jonë me këta është se ne e kemi sakrifikuar familjen, kur e ka lypë Kosova. Sa janë seriozë ata kur e dinë që unë jam kandidat për kryeministër dhe ata thonë se e duan Kosovën. Këta po thuan kemi me bo llugë Kosovën”, tha kandidati për kryeministër.

Ndërsa, kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, nga Nju Jorku përmes një video-lidhje ka premtuar zhvillim ekonomik dhe vende të reja pune.

“Do të sjellim vendin në stabilitet qeverisës. Ne synojmë të krijojmë vende të reja të punës për të rinjtë e Kosovës”, tha Pacolli, duke shtuar se synojnë që vendi çdo vit të ketë rritje ekonomike mbi 10 për qind.

Premtimet e Kadri Veselit në hapjen e fushatës në Mitrovicë

Ashtu si Lëvizja Vetëvendosje, edhe  Partia Demokratike e Kosovës, e zgjodhi qytetin e Mitrovicës për ta nisur fushatën elektorale.

E për qytetin e ndarë të Mitrovicës, kandidati i PDK-së për kryeministër, Kadri Veseli premtoi bashkimin.

“Sa të jenë gjallë bijtë e Shalës dhe stërnipat e Isa Boletinit, bijtë e Drenicës, dhe stërnipat e Azem Galicës, Mitrovica do të jetë një, sepse nuk ka çmim për liri, nuk ka çmim për Mitrovicën”, u shpreh Veseli.

Ai edhe të mërkurën ka përsëritur vendosmërinë e tij për të luftuar korrupsionin, duke premtuar vende pune e zhvillim të ekonomisë.

“Kur fiton PDK fitojnë të gjithë, fiton Kosova, e për të fituar Kosova ne duhet të bëhemi bashkë, të mos ketë ndarje por bashkim në vizionin tonë për ta ndërtuar të ardhmen pa korrupsion dhe nepotizëm, me vende pune të qëndrueshme, me ekonomi të zhvilluar, dhe me rininë tonë”, ka thënë Veseli.

I pari i PDK-së, po ashtu ka premtuar edhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare, si dhe sjelljen e investitorëve të huaj në Kosovë.

“Do t’i jap rinisë mundësi do të sjellim investitorë të huaj për të krijuar vende të punës, me SHBA-në krahun tonë duke ruajtur interesant tona duhet të shkojmë drejt anëtarësimit në OKB dhe njohjen ndërkombëtare”, është shprehur ai.

AAK-PSD të fokusuar në taksë 

Koalicioni parazgjedhor Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Partia Socialdemokrate (PSD), hapën fushatën në Suharekë.

Ndonëse kandidati për kryeministër të Kosovës, nga radhët e këtij koalicioni, Ramush Haradinaj, nuk ishte prezent, fushatën e hapi Blerim Kuçi i AAK-së, i cili tha 6 tetori është referendum për Kosovën.

“Vota për shtetin e Kosovës është votë që votohet për kryeministrin Ramush Haradinaj. Votë që votohet për 100 për qind Kosovë, 100 për qind shtet, dije, guxim, përkushtim”, tha Kuçi.

Kurse, kryetari i PSD-së  Shpend Ahmeti theksoi se ende nuk ka kaluar koha e rrezikut të ndarjes së  Kosovës.

“Nuk ka kaluar koha e rrezikut, nuk është  që  nuk ka ende plane për të  ndarë  Kosovën. Nuk është që ka përfunduar edhe pse AAK bashkë me PSD-në i kemi ndalur disa procese të  këqija. Në  fund të fundit dijeni, që  këto zgjedhje po mbahen dhe u shkaktuan pikërisht për shkak të  skenarëve për ta ndarë Kosovën”, tha Ahmeti.