Presidenti Hashim Thaçi. Foto: Kallxo.com

Partitë duan zgjedhje, presidenti hesht

Ndonëse kanë kaluar gjashtë ditë që kur Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryeministrit për shkak të ftesës për intervistim nga Gjykata Speciale, presidenti i vendit ende nuk i ka thirrur në takim konsultativ partitë politike, për datën e zgjedhjeve të parakohshme.

Pas rënies së Qeverisë, të gjitha subjektet politike në vend janë në pritje të ftesës së presidentit dhe janë deklaruar se janë të gatshme për hyrje në procesin zgjedhor.

Gazeta Jeta në Kosovë ka dërguar pyejte Zyrës së Presidentit, por nuk ka pranuar përgjigje.

Por heshtjen e presidentit, partitë opozitare në Kosovë po e shohin si zvarritje të qëllimshme nga ana e kryetarit të shtetit.

Ndërkaq, partitë e koalicionit qeverisës besojnë se presidenti do t`i ndërmarrë hapat e duhur brenda afateve ligjore dhe kushtetuese.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shkumbin Demaliaj, ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se ende nuk kanë pranuar ftesë për konsultime nga Zyra e Presidentit, përderisa ka shprehur mëdyshje rreth rrezikut të zvarritjes së procesit.

“Nuk e di nëse do të zvarritet procesi, ne besojmë në natyrën ligjore të këtij procesi. Për të tjerat, çka janë të jashtëligjshme ato e tejkalojnë secilin parashikim. Presim që sa më shpejt të shkojmë në zgjedhje, brenda afateve ligjore të përcaktuara me ligj dhe Kushtetutë të vendit”, tha Demaliaj.

Sipas tij, data më e përshtatshme për zgjedhje është ajo që e vendosin partitë politike, pra brenda 45 ditëve.

Edhe deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa ka mohuar të kenë marrë ndonjë ftesë për konsultim nga ana e presidentit.

“Unë nuk kam informata që kemi marr ftesë ende për konsultime. Konsiderojmë se pas rrethanave të reja të krijuara, pas dorëheqjes së kryeministrit, duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme”, tha ai.

Beqa shtoi se beson që presidenti  do t’i merr vendimet kushtetuese në afatin kohor.

“Unë nuk mendoj që presidenti do ta zvarrisë procesin, pasi nuk e ka në interes as presidenti as partitë politike. Presidenti ka kompetenca të veta dhe diskrecion për veprimet që duhet ti marr. Ai duhet të konsultohet me partitë politike parlamentare, fillimisht me koalicionin aktual pastaj me të gjithë spektrin”, shtoi deputeti i PDK-së.

Sipas Beqës, vendi duhet të shkojë në zgjedhje pas shpërbërjes së Kuvendit dhe në çfarëdo rrethane, data duhet të jetë fillimi i tetorit apo fundi i shtatorit.

Opozita i druan ‘zvarritjes’ së presidentit

Pas gjendjes së krijuar në vend me rënien e Qeverisë së Kosovës, partitë opozitare po konsiderojnë se duke u bazuar në përvojat e mëhershme, presidenti qëllimisht do ta zvarrisë procesin e konsultimeve edhe pse janë shprehur se ai nuk ka arsye për këtë.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Haki Rugova, thotë për Gazetën JnK se nuk kanë marrë ndonjë ftesë për konsultime lidhur me shkuarjen në zgjedhje.

“Nuk e di çfarë kalkulime mund të bëjë ai [presidenti]. Në fund të fundit ai është i njohur për kalkulime. Mirëpo një gjë unë e shoh të domosdoshme, po e shoh disponimin e pothuaj të gjitha subjekteve politike që të shkohet në zgjedhje të parakohshme bazuar në Kushtetutën e vendit, nuk ka tjetër”, theksoi Rugova.

Sipas Rugovës, pas përmbylljes së procesit të brendshëm zgjedhor në LDK, do të jenë të gatshëm për zgjedhje të parakohshme.

“Ne e kemi kuvendin zgjedhor me datë 3 gusht, do ta zgjedhim kryetarin, kryesinë, këshillin e përgjithshëm dhe pastaj ne presim që të caktohen zgjedhjet. Data e zgjedhjeve duhet të caktohet në afatin e parë ligjor të zgjedhjeve, siç parashihet me Kushtetutë”, tha nënkryetari i LDK-së.

Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Arbërie Nagavci e ka cilësuar si shkelje kushtetuese, mos thirrjen e presidentit për takim konsultativ me partitë politike.

“Prej asaj që kemi parë deri më tani shihet që ka zvarritje sepse nuk ka asnjë arsye që të mos ftohen përfaqësuesit e partive në konsultime në lidhje me caktimin e datës së zgjedhjeve ashtu siç e përcakton Kushtetuta si obligim për presidentin”, tha ajo për Gazetën JnK.

Nagavci shtoi se çdo zvarritje apo vonesë në këtë drejtim vetëm sa e vështirëson situatën politike dhe zhvillimet në vend.

“Janë dy rrugë. E para është që presidenti të kryej detyrat e veta dhe në anën tjetër është edhe mundësia për shpërbërjen e Kuvendit, për të cilën nevojiten 2/3 e votave. Ne jemi të gatshëm për të dyja opsionet. Si dhe duke marr parasysh që të gjitha partitë politike janë për zgjedhje të reja, atëherë nëse presidenti nuk e merr një hap të tillë, opsioni i dytë është i vetmi”, theksoi deputetja e VV-së.

Thirrje nga presidenti Thaçi nuk ka pranuar as Partia Socialdemokrate, kështu ka bërë të ditur zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi.

“Kosovës i duhen zgjedhje dhe qeveri e ndryshimit dhe do të përdorim çdo formë ligjore për të penguar zvarritjen e qëllimshme të këtij procesi, nëse ndodhë të ketë”, thuhet në përgjigjen e saj për gazetën.

Në anën tjetër, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka thënë që pavarësisht se tani kemi të bëjmë me dorëheqje të kryeministrit, praktika është e njëjtë në procedurat që duhet të ndiqen për formimin e ekzekutivit të ri.

“Kosova ka një zakon kushtetues që është krijuar në të kaluarën me  rastet e dorëheqjes së dy kryeministrave një pas një. Në ato raste ka ardhur deri të formimi i shpejtë i ekzekutivit të ri sipas kuadrit juridik të kohës. Ai kuadër juridik fare nuk ka ndryshuar as sot konceptualisht. Kjo do të thotë se formimi i ekzekutivit të Kosovës sipas nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës është në thelb i njëjtë me atë që ka ekzistuar para shpallje së pavarësisë, siç është i njëjtë edhe vetë sistemi zgjedhur dhe tipi i demokracisë kosovare”, ka thënë Hasani.

Duke folur për zvarritjet e mundshme nga ana e presidentit, Hasani ka theksuar se nëse nuk merren parasysh afatet ligjore zvarritjet janë abuzim me pushtetin.

“Brenda një afati shumë të arsyeshëm, si në dy raste e mësipërme, të formohet ekzekutivi, ose të vetëshpërbëhet Kuvendi me dy të tretat e votave të deputetëve. Çdo zvarritje tjetër është abuzim më pushtetin nga ana e Presidentit dhe e Kuvendit (me supozim se ky i dyti rrinë me muaj të tërë duke parë një ngërç të ri politik në Kosovë si në vitin 2014)”, ka thënë Hasani për Gazetën JnK.