Teatri 'Muharrem Qena'. foto Facebook/TMQ

Paqartësitë ligjore, aktorët me përvojë mbeten jashtë konkursit

Aktorët kosovarë janë duke u përballur me probleme për shkak të paqartësive ligjore të cilat rregullojnë funksionimin e skenën teatrore në vend.  Mosdefinimet e sakta ligjore për çështje të caktuara po i dëmtojnë aktorët edhe atëherë kur ata kanë një përvojë në skenat kosovare.

Një prej tyre është edhe çështja e njohjes së përvojës së punës profesionale.

Dy aktoret e reja, Njomza Tmava dhe Blerta Gubetini për shkak të mungesës së përvojë së punës ishin përjashtuar nga konkursi për aktore rezidente në Teatrin e Mitrovicës të hapur muaj më parë.

Të dyja kishin më shumë se tre vjet që luanin në skenat profesionale të teatrove, por kishin diplomuar kur ishe hapur konkursi për aktorë rezident të teatrit të Mitrovicës.

Teatri i Qytetit të Mitrovicës, “Muahrrem Qena” më 30.06.2020 hapi konkurs për pranimin e aktorëve rezident të këtij teatri.

Pak ditë pas hapjes së konkursit të dy aktoret, Tmava dhe Gubetini diplomuan në degën e aktrimi dhe brenda afatit konkuruan. Por, komisioni (Juria për përzgjedhjen e aktorëve) vlerësues i eliminoi nga gara me arsyen se u mungonte përvoja profesionale e punës. Edhe pse të dyja paralelisht me studimet, kishin më shumë se tre vjet angazhime në shfaqjet e teatrove profesioniste në vend. Bile edhe në Teatrin Kombëtar.

Vendimin e saj, juria e kishte marrë duke u bazuar një vendim të 2016 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, pasi në legjislacioni aktual nuk ka një nen që përcakton saktë se kur duhet njohur përvojën e punës profesionale.

Sabit Shermeti, ushtrues i detyrës së drejtorit të Teatrit “Muharrm Qena” në Mitrovicë, ka thënë për Kallxo.com se përjashtimi nga gara i aktores Tmava, (por edhe i Gubetinit) është bërë nga komisioni duke u bazuar në një vendimi të më hershëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë (aktgjykim i 2016-ës), e cila kishte konstatuar se përvoja profesionale e punës njihet vetëm pas diplomimit.

“Rreth përvojës së punës si llogaritet para apo pas diplomimit, është vendimi i Gjykatës Themelore nē Prishtinë interpretimi i drejtë i kësaj dispozite ligjore, aftësia profesionale e kandidatëve nuk mund të merret para diplomimit të tyre në at profesion sepse vetëm pas diplomimit te tyre ata mund të quhen profesionist dhe me përvojë në profesion. Komisioni i posedon të gjitha vendimet edhe të Gjykatës edhe të KPM pēr SHCK ku definohet shumë qartë përvoja e punës”, ka thënë Sabit Sheremeti për Kallxo.com.

Por, Tmava dhe Gubetini nuk ishin pajtuar me vendimi e jurisë për përzgjedhjen e aktorëve të Teatrit “Muharrem Qena”, me që në asnjë ligj apo rregullore përkatëse nuk definohet saktë se si duhet llogaritur përvoja profesionale e punës.

Të dyja aktoret i ofruan Jurisë dëshmi për përvojën e punës.

Në një prononcim për Kallxo.com, aktorja Njomza Tmava ka thënë se nuk është pajtuar me vendimin e jurisë pasi sipas saj, çështja e njohjes së përvojës së punës para apo pas diplomimin në universitet nuk është e rregulluar me ndonjë ligj apo akt nënligjor.

Tmava ka thënë se është ankuar në Komunën e Mitrovicës së Jugut e pastaj në Inspektoratin e Punës.

“Unë e kam marrë një përgjigje ku thuhet se më mungon përvoja profesionale, gjë që nuk është e vërtetë. Kështu, unë kam shfrytëzuar rrugët ligjore për ankesë dhe përgjigjet që kam marrë janë dëshpëruese. Nga të dy institucionet ku ankesa ime është pranuar, nga asnjëra nuk ka marrë përgjegjësi. Ata kanë refuzuar ankesën me arsyetimin që janë jokompetent edhe pse në vendimin e marrë nga Komuna e Mitrovicës jemi këshilluar të ankohemi në po këto institucione”, ka thënë Tmava.

Edhe aktorja tjetra Blerta Gubetini ka marrë përgjigje të njëjtë sikurse Tmava, mungesën e përvojës profesionale.

“Në konkurs nuk është përmendur dhe specifikuar se ne duhet të kemi 3 vite përvojë pune pas diplomimit e që rrjedhimisht unë kur e kam kontrolluar konkursin i kam përgatitur dokumentet e mia në bazë të kushteve që janë kërkuar. Kështu që unë e vlerësoj eliminimin si të padrejtë sepse nuk më është dhënë e drejta bazike, pra ftuarja në audicion”, ka thënë ajo.

Edhe Gubetini shfrytëzoi të drejtën e ankesës. “Pas ankesës në Komunën e Mitrovicës, na drejtojnë më pas në Inspektoratin e Punës në Mitrovicë, prej ku na u është kthyer përgjigje se Inspektorati nuk është kompetent për ta zgjidhur këtë padrejtësi kundrejt nesh, individëve të refuzuar”, ka thënë ajo.

Inspektorati i sugjeron aktoret që për këtë çështjet t’i drejtohen gjykatës kompetente.

Mospajtimin e tyre, dy aktoret e kishin mbështetur edhe në një opinion të Avokatit të Popullit (2018), i cili kishte trajtuar vendimin e Gjykatës së Prishtinës të 2016, vendim në të cilin ishte mbështetur Juria e Teatrit “Muharrem Qena” për eliminimin nga konkursi të Tmavës dhe Gubetinit.

Avokati i Popullit, kishte konstatuar se aktgjykimi i Gjykatës në Prishtinë, (i viti 2016 për një rast të një nëpunësi) nuk është bindës, duke numëruar edhe arsyet.

Përveç dy aktoreve, Tmava dhe Gubetini me probleme të ngjashme janë përballur edhe aktorë tjerë kosovarë.

Naim Berisha, aktor rezident në Teatrin Kombëtar dhe nënkryetar i Shoqatës Sindikale të TKK-së në një prononcim për Kallxo.com ka thënë se për shkak të mungesës së infrastrukturës adekuate ligjore, moszbatimit të akteve ligjore ekzistuese dhe inkompetencës  e joprofesionalizmit të institucioneve të pavarura ankimuese, aktori si kategori e veçantë artistike mund nuk është i trajtuar aspak dinjiteshëm në rrafshin institucional.

“Diskriminimi i tij fillon që në momentin e rekrutimit, pagës, pagesës, angazhimit profesional në shfaqje e deri tek gradimi dhe kategorizimi i tij. Shtuar këtu edhe zvarritjen që i bëhet shqyrtimit të lëndëve në gjykatë në rastet e adresimit të padive, aktori  mund të thuhet se është një ndër kategoritë më të pambrojtura”, ka thënë ai për Kallxo.com.