Mitrovica e Veriut - Foto: REL/AFP

Pandemia i la pa kryetarë dy komuna, por s’i ndalon zgjedhjet e Serbisë brenda shtetit të Kosovës

Këtë të diel qytetarët nga komuniteti serb në Kosovë do të mund të votojnë për zgjedhjet parlamentare të Serbisë, kjo pasi Qeveria e Kosovës lejoi mbajtjen e këtij procesi brenda shtetit në zonat me shumicë serbe.

Krejt kjo situatë ndodhë në kohën e pandemisë COVID-19, përderisa institucionet vendore kanë shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve në dy komuna, atë të Podujevës dhe të Mitrovicës së Veriut.

Këto dy komuna kanë mbetur pa kryetarë, për shkak që Agim Veliu (LDK) dhe Goran Rakiq (Lista Serbe) kanë vendosur që të ndërrojnë pushtet, duke kaluar nga ai komunal në ekzekutivin qendror.

Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Ndërkaq, mesditën e së shtunës në një paraqitje para gazetarëve, kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se ka lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, me të njëjtat aranzhime si janë bërë më parë nga institucionet e Kosovës.

“Nga viti 2011, 2012 ka një aranzhim në mes të institucioneve të Kosovës dhe partnerëve tanë ndërkombëtar për organizimin dhe menaxhimin e këtyre, e mbledhjes së votave në Kosovë. Unë kam lejuar mbajtjen, të njëjtat aranzhime që kanë ekzistuar më herët për këto lloj zgjedhje edhe tash, përmes OSBE-së”, tha Hoti.

Ndërkohë, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) – Misioni në Kosovë edhe kësaj radhë do të angazhohet në procesin e votimit në kto zgjedhje.

Shefi i Zyrës për Çështje Politike dhe Komunikim në OSBE, Jeff Bieley e kishte konfirmuar këtë në një përgjigje për KALLXO.com.

Ky mision ka bërë të ditur se do të udhëheqë grumbullimin e votave brenda Kosovës.

“Më 21 qershor, Misioni i OSBE-së në Kosovë do të udhëheqë grumbullimin e votave në lidhje me zgjedhjet parlamentare të Serbisë. Ky operacion do të ndjekë praktikën dhe modalitetet e zbatuara sikurse në vitin 2017”, ishte shprehur Bieley.

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka lehtësuar procesin e votimit të serbëve të Kosovës për zgjedhjet parlamentare të Serbisë edhe më 24 prill 2016.

Për këto zhvillime, ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje, duke deklaruar se mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë është cenim i integritetit dhe sovranitetit shtetëror.

“Serbët e Kosovës me 21 qershor nuk do të votojnë si votues jashtë vendit me shtetësi të dyfishtë duke votuar përmes postës apo në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë, por si shtetas brenda Serbisë dhe në qendra të votimit të hapura nga autoritet serbe nëpër komunat e Republikës së Kosovës”, thuhet mes tjerash në reagimin e LVV-së.

Në anën tjetër, organizimi i zgjedhjeve të Serbisë brenda shtetit të Kosovës, po kundërshtohet nga shoqëria civile.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë për KALLXO.com se lejimi i mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë është veprim i gabuar i institucioneve të Kosovës.

Sipas tij, thirrja në praktikat e mëparshme të lejimit të mbajtjes së zgjedhjeve serbe, nuk do të thotë as që ka qenë e drejtë e as e duhur.

“Praktikë e ngjashme ishte krijuar edhe me votat e ardhura kundërligjshëm nga Serbia, e që vendimet e PZAP-së dhe Supremes e  kishin rrëzuar atë”, kujton ai.

“Pra, arsyetimi se, zgjedhjet po lejohen edhe këtë herë sepse janë mbajtur edhe në të kaluarën, është logjikisht i gabuar”, shton Cakolli.

Për më shumë, siç thotë hulumtuesi, Kosova ka pasur edhe disa arsye tjera për të mos lejuar mbajtjen e tyre.

“Së pari, këto zgjedhje organizohen duke e cilësuar Kosovën si pjesë integrale të Serbisë. Së dyti, 90 vendvotimet [Sipas Komisionit Zgjedhor në Serbi], që do të hapen të dielën, respektivisht procesi zgjedhor do të organizohet dhe administrohet nga Komisioni Republikan Zgjedhor i Serbisë, duke rënë kështu në kundërshtim me të gjitha dispozitat vendore, që të drejtën ekskluzive të organizimit dhe administrimit të procesit zgjedhor në territorin e Kosovës, ia njohin vetëm KQZ-së”, thotë ai.

Dhe së treti, shton Cakolli kanë qenë pikërisht institucionet vendore, që para pak kohe kanë shtyrë dy palë zgjedhje që janë paraparë të mbahen gjatë kësaj periudhe, nën arsyetimin e situatës me pandeminë.

“Madje, një prej këtyre proceseve do të duhej të mbahej pikërisht në Mitrovicën e Veriut, ku të dielën do të hapen qendrat e votimit. Ndërsa tani, do të mbahen zgjedhje jo vetëm në Mitrovicën e Veriut, por tërë pjesën veriore të vendit”, thotë ai.

Hulumtuesi nga KDI, thekson se Kosova është dashur që t’a refuzojë kërkesën për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, e të kërkojë nga Serbia që votimin nga Kosova t’a cilësojnë si votim jashtë vendit (siç ishte përmendur paraprakisht).

“Ky veprim do të nënkuptonte edhe de-jure heqje dorë e Serbisë nga pretendimet e saj mbi Kosovën, përkatësisht veriun e vendit”, vlerëson ai.