Pagat që Frynë Xhepat e Zyrtarëve të Lartë Shtetërorë

Ekrem Hajdari është zgjedhur drejtor i Agjencisë Kosovare të Privatizimit pa iu nënshtruar konkursit të rregullt. Atë e ka emëruar në këtë pozitë Bordi i AKP-së pa kundërkandidatë. Në anën tjetër, Isa Mustafa si kryetar i LDK-së iu është nënshtruar zgjedhjeve të përgjithshme të datës 8 qershor 2014, duke e renditur partinë e tij të dytën për nga numri i votave të pranuara.

Pas kësaj date, Mustafa edhe gjashtë muaj të tjerë ka negociuar, njëherë me opozitën e pastaj me PDK-në, për të arritur koalicionin. Lidhja e koalicionit me PDK-në bëri që opozita ta akuzojë për tradhti, ndërsa ishte edhe thyerje e premtimit të dhënë se nuk do të lidhte një koalicion me PDK-në. Përgjegjësitë e Hajdarit si drejtor i AKP-së janë shumë më të vogla krahasuar me Mustafën si kryeministër i Kosovës. Por, Hajdari ka një pagë trefish më të lartë se ajo që merr kryeministri Isa Mustafa.

Kryeministri i Kosovës, bazuar në një dokument të ministrisë së Administratës Publike për “Rishikimin e institucioneve dhe agjencive të pavarura të Kuvendit dhe Organeve Qendrore” ka një pagë bazë prej 1,443 euro.

Në anën tjetër, si drejtor i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ekrem Hajdari merr pagë prej 4,633 euro. Paga të larta kanë edhe zyrtarë të tjerë të këtij institucioni. Zëvendësdrejtorja e AKP-së, Valbona Dibra merr pagë prej 4,029 euro. Edhe Dibra ishte zgjedhur me emërim pa iu nënshtruar konkursit publik. Dibra ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës në mandatin e kaluar, por rroga e saj si deputete ishte gati katërfish më e vogël. Pagë të njëjtë ka edhe zëvendësi tjetër i drejtorit, Avni Jashari.

Paga të larta marrin edhe 5 drejtorët të tjerë të AKP-së. Në dokumentin e Ministrisë së Adminsitratës nuk janë dhënë pozitat e këtyre drejtorëve, mirëpo vetëm janë publikuar pagat e tyre prej: 3,503 euro, 3,386 euro, 3162 euro, 2,855 euro dhe 2,758 janë vlerat e pagave të tyre. Në përgjithësi zyrtarët e saj marrin paga shumë më të larta se pjesa tjetër e zyrtarëve shtetërorë.

Referuar dokumentit të MAP-it, janë gjithsej rreth 80 institucione dhe agjenci të pavarura, ku 33 prej tyre janë në kuadër të Kuvendit të Kosovës dhe 46 janë në kuadër të Qeverisë.

Në pjesën më të madhe të këtyre agjencive aplikohet Ligji për Shërbyesit Civil në përjashtim të 10 agjencive të pavarura në kuadër të Qeverisë të cilët aplikojnë edhe ligje të tjera përderisa 6 institucione tjera nga kuadër të Kuvendit nuk e aplikojnë këtë ligji. Dokumenti shpërfaq dallimet e mëdha në paga të zyrtarëve në pozita të njëjta që punojnë nëpër institucione të ndryshme.

Gazeta JnK ka analizuar dallimet në paga bazuar në dokumentin e Ministrisë së Administratës Publike (MAP).

Zyrtari i lartë ligjor në Ministrinë e Administratës Publike ka pagën bazë 464 euro përderisa zyrtari i lartë ligjor në Institucionin e Avokatit të Popullit dhe Gjykatën Kushtetuese ka pagën bazë 863 euro,  paga e pozitës së njëjtë në AKP është 1,046 euro.

Në mesin e pozitave kryesore shtetërore, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka pagën më të lartë. Paga e tij është 2,873 euro. E pagë marrin edhe ish-presidentët. Paga e tyre është më e madhe se sa e kryeministrit. Paga e ish presidentit është 2,010.40 euro.

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka një pagë prej 2,325 euro. Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti, Sabri Hamiti, Aida Dërguti, Fikrim Damka dhe Slobodan Petrovic kanë një pagë bazë prej 2,000 eurove. Në këto paga që janë paraqitur në dokumentin e MAP-it nuk janë edhe shtesat tjera që mund t’i kenë këta zyrtarë për pjesëmarrje nëpër seancë, komisione apo mëditje për udhëtime jashtë vendit.

MAP-i thotë se ka një barazi në paga për krerët e disa institucioneve.

Paga bazë e Kryeministrit Isa Mustafa është prej 1,443 euro. Njëjtë sa ai, pagën e kanë edhe Kryetari i Gjykatës Supreme, Kryeprokurori i Shtetit,  Kryesuesi i KQZ-së,  Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor dhe ai i Këshillit Prokurorial si dhe Avokati i Popullit. Të gjithë këta marrin pagë prej 1,443 euro.

Por, Mustafa në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka deklaruar të hyra prej 1,429 euro si anëtar rregullt i Akademisë së Shkencave. Gjithashtu deri në maj të vitit 2016, Mustafa kishte marrë edhe pagën si profesor Universitar, mirëpo që nga 15 maji, ai ishte pensionuar.

Paga të larta marrin edhe ambasadorët. Paga bazë e ambasadorëve arrin në 3,718 euro. Ndërsa ministrat-këshilltarë që veprojnë si staf diplomatik në kuadër të ambasadave kanë një pagë bazë prej 3,033 euro. Kurse, atashetë ushtarakë që janë pjesë e stafit diplomatik nëpër ambasada marrin pagë bazë prej 2,419.50 euro.

Pagë të lartë ka edhe kryeshefi ekzekutiv i Agjencionit për Shërbimet e Navigimit Ajror, që merr 2,700 euro në muaj.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni ka pagë më të madhe se ministrit të Punëve të Brendshme, Skender Hyseni. Paga bazë e Maxhunit është 1,854 euro. Zyrtari ndërlidhës i Policisë së Kosovës ka një pagë bazë prej 2,389 euro. Gjenerallejtënant Rrahman Rama i FSK-së e ka pagën bazë 1,602 euro. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës merr pagë prej 1,875 euro, ndërsa gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese pagën bazë e kanë 1,651 euro.

Ndërsa paga bazë e deputetit të Kuvendit të Kosovës është 1,488 euro. Jeta në Kosovë para dy jave kur debatoi për auditimin e partive politike, kishte intervistuar edhe disa prej deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për t’i pyetur se sa është paga e tyre. Asnjëri nga ta nuk e kishte dhënë një shifër të njëjtë.

http://kallxo.com/sa-paguhen-deputetet-e-kuvendit-te-kosoves/

 

Muajin e kaluar, ministri i Financave Avdullah Hoti kishte mbajtur një konferencë për media me ç’rast kishte sqaruar për projektligjin e ri për pagat duke thënë se pagat nuk do të zbriten në institucionet bazike, por ato edhe mund të rriten.

Shqetësim për projektligjin e ri për pagat kishin ngritur edhe punëtorët e arsimit të cilët kishin kërkuar tërheqjen e këtij projektligji. Por punëtorëve të arsimit të Kosovë, ministri Arsim Bajrami u tha se mësimdhënësit do të trajtohen drejt nga ministria dhe pagat e tyre do të ngriten krahas cilësisë.

Mundësitë që deputetëve të Kosovës t’u rriten edhe më tutje pagat u përfolën shumë kohëve të fundit. Deputeti nga radhët e Partisë Liberale Egjiptiane (PLE), Veton Berisha ishte kundër një propozimi të tillë nëse do sillej në Kuvend.

Më parë, Gazeta Jeta në Kosove ka analizuar paratë e gatshme të zyrtarëve të lartë publikë të cilët kanë deklaruar pranë Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK).

Paratë e Pushtetarëve në Banka

Gazeta Jeta në Kosovë gjithashtu kishte analizuar pasurinë, moshën, dhe votat e fituara, për ekzekutivin e vendit.

http://kallxo.com/te-rinj-dhe-milionere-qeveria-e-kosoves-ne-analize/