Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pa vlerësim profesional subvencionohen dy klube të futbollit në Lipjan

Dy klube të futbollit në Lipjan janë subvencionuar me mbështetje financiare nga Komuna e Lipjanit, ani pse nuk ishin në pajtueshmëri me kriteret e përcaktuara në thirrjet publike

Këtë gjetje e ka konstatuar Raporti i Auditorit, i cili ka audituar pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Lipjanit për vitin 2021.

Vlerësimi për mbështetje financiare për klubin e futbollit Ulpiana në vlerë 14 mijë e 500 euro, sipas këtij raporti nuk ishte bërë në pajtueshmëri me kriteret e përcaktuara në thirrjen publike.

“OJQ kishte aplikuar dhe ishin aprovuar 6 mijë euro, apo 41% e vlerës së projektit për shpenzimet e pagave dhe mëditjeve për lojtar dhe staf profesional, në kundërshtim me thirrjen publike që ishte e paraparë 30%”, thuhet në raport.

Edhe shpenzimet për mbështetje financiare për klubin e futbollit Arbëria, sipas raportit nuk ishin bërë në pajtueshmëri me kriteret e përcaktuara në thirrjen publike.

“Për paga të lojtarëve janë aprovuar 6 mijë euro në pajtueshmëri me kriteret e përcaktuara, mirëpo shpenzimet sipas raportit financiar ishin pranuar nga komuna në vlerë 9 mijë e 127 euro, me një tejkalim për 16% apo 3 mijë e 127 euro të shumës së lejuar”, thuhet në raport.

Raporti i Auditorit, vlerëson se kjo ka ndodhur si pasojë e vlerësimit jo profesional dhe jo të drejtë të aplikacionit sipas kritereve të përcaktuara në thirrjen publike nga komisioni i vlerësimit dhe monitorimit jo adekuat gjatë implementimit të projektit.

Auditori rekomandon që kryetari duhet të sigurojë marrjen e masave të duhura në mënyrë që vlerësimi i aplikacioneve të bëhet në pajtueshmëri të plotë me kriteret e përcaktuara në thirrjet publike.

Raportin e plotë për Komunën e Lipjanit mund ta gjeni KËTU.