Foto: Atdhe Mulla

Orët politike të orëve të humbura në arsim

Kuvendi i Kosovës të enjten u përfshi në debatin disa javësh për kompensimin e orëve të humbura mësimore, si pasojë e grevës që u zhvillua në sektorin e arsimit.

Debati parlamentar prej më shumë se 3 orë megjithëkëtë nuk pati rezultat, pasi për shkak të mungesës së kuorumit, nuk doli në votim rezoluta e propozuar iniciuesve të seancës së jashtëzakonshme dhe rrjedhimisht është lënë për votim në njërën prej seancave të ardhshme.

Deputetët e partive në pushtet dhe ata të opozitës një pjesë të mirë të kohës e kaluan në replika nëse do të duhej ose jo të thirrej seancë për këtë temë, përderisa shumica prej ligjvënësve kërkuan që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), të gjejnë një zgjidhje për kompensimin e orëve mësimore.

Ministria e Arsimit javë më parë kishte marr vendim që të kompensohen orët mësimore në të gjitha shkollat e Kosovës kurse, SBAShK-u po refuzon zbatimin e këtij vendimi, duke u thirrur në Ligjin për grevat.

Greva në arsim kishte zgjatur 3 javë, prej 14 janar deri më  1 shkurt të këtij viti, ndërsa ende nuk është kompensuar asnjë orë e humbur gjatë asaj kohe për nxënësit.

Në anën tjetër, kryetari i Sindikatës së Bashkuar së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se, pati diskutime konkrete në seancën e Kuvendit.

“Ne nuk po themi a janë pro nesh apo jo, por janë diskutime të pjekura të cilat e thanë se me të vërtetë ligji i grevave na ka siguruar dhe na ka dhënë të drejtën e grevës në një shtet që konsiderohet të jetë demokratik dhe po i njëjti ligj nuk na obligon që t’i mbajmë orët mësimore”, tha i pari i sindikatës së punëtorëve në arsim.

Jasharaj shtoi se, apelet e disa deputetëve për tu ulur dhe për gjetur ndonjë mundësi eventuale për të dalë nga kjo gjendje, i konsiderojnë pozitive.

“Deputetët që po insistojmë me çdo kusht që ta mbështesin të vërtetën se ekziston ligji i grevave që na siguron të drejtën e grevës dhe mohimi  i një të drejte të tillë është shkelje direkte e të drejtave elementare të njeriut, nuk i kontribuojnë zgjidhjes së situatës, por e acarojnë edhe më shumë atë”, vlerësoi kryetari i SBAShK-ut për Gazetën JnK.

Ndërkaq, ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, po vlerëson se ka qenë i panevojshëm diskutimi në Kuvendin e Kosovës për çështjen e kompensimit të orëve.

“Nuk e kam përcjell seancën por jam i sigurt se ky diskutim vetëm çka e ka politizuar gjendjen, ka paraqitë një ndërhyrje politike në këtë çështje dhe deputetët pak mund të ndihmojnë. Ministria e Arsimit duhet të lihet që si pjesë e  ekzekutivit, t’i realizojë detyrat kushtetuese që i ka dhe jo të ketë debat politik për interesa politike”, theksoi ish-ministri Bajrami për Gazetën Jeta në Kosovë.

Bajrami ka shpjeguar edhe kompetencat e të dy palëve për këtë problematikë me të cilën po përballen.

“Ministria e Arsimit është përgjegjëse për caktimin e kalendarit vjetor dhe programit mësimor dhe ajo ka për obligim që të monitorojë procesin e realizimit të kalendarit mësimor për vitin 2019 dhe është përgjegjëse që në bashkëpunim me DKA-të të marr të gjitha masat që asnjë orë e humbur të mos mbetet pa u kompensuar. Kështu që është një obligim ligjor, jo vetëm e drejtë që e ka Ministria e Arsimit që plan-programi të realizohet në plotni”, sqaroi ai.

Në anën tjetër, Sindikata, sipas ish-ministrit thirret në të drejtën e saj ligjore për organizimin e grevës dhe në parimet e grevës.

“Në këtë drejtim mendoj se e vetmja mundësi është që të arrihet një lloj marrëveshje, por duke mos kontestuar fare të drejtën e ministrisë së Arsimit që të insistojnë të kërkojë realizimin e  plotë të programit mësimor”, thotë ish-ministri i Arsimit.

E zakonshmja e seancës së jashtëzakonshme

42 deputetë të Kuvendit të Kosovës bënë kërkesë për seancë të jashtëzakonshme në mënyrë që legjislativi të diskutojë mbi situatën e krijuar në arsim pas vendimit të SBASHK-ut për të refuzuar kompensimin e orëve të humbura.

Në nisje të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi kërkoi një minutë heshtje në nderim të të rënëve në masakrën e Izbicës dhe të Podujevës.

https://kallxo.com/kuvendi-mban-nje-minute-heshtje-per-masakren-e-izbices-dhe-te-podujeves/

Pas kësaj, Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate, si inicues i kërkesës së jashtëzakonshme të Kuvendit për kompensimin e orëve të humbura në arsim, e arsyetoi thirrjen e kësaj seance.

Sherifi shtoi se ideja e thirrjes së kësaj seance erdhi si rezultat i mos pranimit që këto orë të mësimit të zëvendësohen me ditë të tjera siç janë para paraparë sipas plan programit arsimor.

Shefi i Grupit Parlamentar të  Nismës Socialdemorkate, e shpalosi edhe propozim – rezolutën e iniciuesve të seancës.

“Greva tre javore në arsim e këtij viti, pa pasur për pasojë humbjen e shumë orëve të mësimit, rrjedhimisht edhe shumë njësive mësimore të parapara me program të Ministrisë së Arsimit. Kuvendi i Kosovës, konsideron që plotësimi i plan-programit i paraparë nga Ministria e Arsimit është i domosdoshëm. Kuvendi i Kosovës kërkon nga Ministria e Arsimit, SBASHK-u dhe drejtorët e  drejtorive komunale për arsim që urgjentisht, brenda javës së ardhshme të gjejnë mënyrën për të mbajtur orët mësimore të humbura gjatë grevës së këtij viti”, thuhet në propozim-rezolutën e iniciuesve të seancës.

Lidhur me këtë çështje, u deklarua edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, i cili kërkoi nga deputetët që ta autorizojnë Komisionin e Arsimit, që të arrij një marrëveshje mes Ministrisë së Arsimit dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit.

Veseli tha se orët e humbura të mësimit duhet të kompensohen.

“Unë kisha pas dëshirë që pas seancës Kuvendi i Republikës së Kosovës ta autorizojë Komisionin për Arsim dhe besoj që për çështje të takimit një orësh të përfundoj kjo çështje. Në Komisionin për Arsim nëse ju e autorizon do ta arrij shumë shpejtë këtë marrëveshje që orët e humbura të mësimit të kompensohen në pjesën e fundit të vitit shkollor. Edhe MASHT-i është e hapur për këtë propozim edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit”, tha Veseli.

https://kallxo.com/veseli-oret-e-humbura-ne-arsim-te-kompensohen-ne-pjesen-e-fundit-te-vitit-shkollor/

Fjalën sipas renditjes e mori edhe Valentina Bunjaku Rexhepi, anëtare e Komisionit për Arsim nga Lidhja Demokratike e Kosovës e cila ka bërë fajtor qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit për humbjen e orëve mësimore dhe i ka ftuar që ta pranojnë fajin.

“Jemi të zhgënjyer si LDK pse nuk arritën të bëjnë zgjidhje para se të hyhet në grevë. Nuk po flitet se kush do të jap llogari për orët e humbura për fëmijët”, tha ajo.

Bunjaku Rexhepi tha se LDK-ja konsideron se edhe sikur të bëhet kompensimi i orëve të humbura, nuk e kanë efektin e njëjtë dhe sipas saj nuk do të ketë mësim efikas.

https://kallxo.com/ldk-qeveria-dhe-masht-i-ta-pranojne-fajin-per-humbjen-e-oreve-mesimore/

Ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi, ka reaguar ndaj deklaratës së deputetes së LDK-së Valentina Bunjaku  Rexhepi duke thënë se Ministria e Arsimit dhe ai si ministër nuk ka bërë asnjë sulm ndaj mësimdhënësve përkundrazi e vlerësoi vetën si “zëri më real në mbrojtjen e të drejtave të mësimdhënësve”.

https://kallxo.com/ministri-i-arsimit-reagon-ndaj-fjalimit-te-deputetes-se-ldk-se/

Ismajl Kurteshi, kryetar i Komisionit për Arsim nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se edhe pse është mbyllur greva është hapur çështja e kompensimit të orëve të humbura.

Kurteshi tha kjo mosmarrëveshje ka të bëjë me inatet mes ministrit dhe të sindikatës.

“Ministria si duket ishte e prekur që sindikata në vend se të bëjë marrëveshje me ministrin e Arsimit ka bërë marrëveshje me kryetarin e Kuvendit që është krejt e palogjikshme nuk ka qenë çështje e kryetari por e ministrisë dhe qeverisë”, tha Kurteshi.

https://kallxo.com/kurteshi-mosmarreveshja-masht-sbashk-vjen-nga-inatet-mes-tyre/

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu ka  kritikuar mosmarrëveshjet mes Ministrisë së Arsimit dhe SBASHK-ut, për kompensimin e orëve të humbura në arsim gjatë grevës, duke shtuar se kjo çështje është duke u politizuar.

“Zgjidhja  me e mirë ka qenë mbajtja e orëve të humbura sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit. Nuk jemi Gjermani dhe Zvicër nuk kemi kushte të mbajmë mësim në temperaturat deri në 40 gradë. Klasët tona nuk kanë as perde e lëre më klimë. Mësimdhënësit janë të gatshëm, por janë në lajthitje”, tha ajo.

https://kallxo.com/deputetja-e-aak-se-arsimi-po-politizohet/

Driton Çaushi nga Partia Socialdemokrate njëherësh edhe anëtar i Komisionit për Arsim tha se e mbështesin kërkesën e rezolutës.

Çaushi tha se është e qartë se kjo mosmarrëveshje është çështje inati prandaj shpreson që kjo seancë të kontribuoj që të krijoj një hapësirë dhe emergjencë për ta trajtuar këtë çështje nga ana e SBAShK-ut.

“Duhet një shenjë, një vullnet nga ana e SBAShK-ut për t`u përafruar dhe për të rihapur këtë diskutimin. Nëse ky plan nuk është më i miri i mundshëm unë nuk besoj se kjo është esenca e problemit për mua ka qenë çështje inati”, tha Çaushi

Edhe Albulena Balaj Halimaj, nga NISMA dhe anëtare e Komisionit për Arsim tha se i bënë thirrje SBAShK-ut, për ti kompensuar orët shtesë.

“Me që një  vendim nga Gjykata është dal për mos pezullimin e vendimit të ministrit ata ti kompensojmë orët e pastaj pas seancës ne si komision jemi në gjendje të takohemi sërish dhe të diskutojmë me kushtin që këto orë të zëvendësohen”, tha ajo.

https://kallxo.com/psd-e-nisma-e-mbeshtesim-kerkesen-e-rezolutes-per-marreveshje-mes-masht-it-dhe-sbashk-ut/

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka thënë se, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), është dashur të ketë mirëkuptim dhe t`i kompensojë orët e humbura.

https://kallxo.com/haradinaj-oret-e-humbura-ne-arsim-do-te-duhej-te-kompensoheshin/

As kjo seancë nuk ka përfunduar pa ofendime.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha e ka ofenduar Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) dhe kryetarin e saj Rrahman Jasharajn.

Berisha i ka quajtur “debila” dhe “injoranta” anëtarët e sindikatës, gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, ku u diskutua për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës në arsim.

Ndërkaq, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj për KALLXO.com, ka thënë se nuk ndihen të fyer nga gjuha e tillë.

https://kallxo.com/zafir-berisha-i-ofendon-anetaret-e-sbashk-ut/