Opozita: Do ta thërrasim në përgjegjësi ZRrE-në për vendimin 'në interes të KEDS-it'

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami e ka quajtur vendimin e bordit të ZRrE-së për rritje të humbjeve të energjisë që i faturohen qytetarëve si ‘vendim skandaloz’

Gazeta Jeta në Kosovë raportoi në fillim të javës për vendimin e bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, ZRrE, që ka vendosur të rrisë nivelin e humbjeve të energjisë që do t’i faturohen qytetarëve të Republikës.

Ky vendim i ZRrE-së u mor nën arsyetimin se KEK-u kishte dështuar t’i ulë humbjet, prandaj ato nuk mund të barten si barrë KEDS-it që është kompani private.

Deputetja Bajrami thotë se e ka quajtur këtë vendim të bordit të ZRrE-së si skandaloz dhe anëtarët e këtij bordi se nuk dijnë të bëjë dallimit në mes të KEK-ut dhe KEDS-it.

“Vendim skandaloz, asnjë Bord i ZRRE-së deri më tani nuk ka ditë me e bë dallimin në mes të KEK-ut si kompani publike para privatizimit të Distribucionit dhe KEDS-it, si kompani private ose për interesa korruptive nuk ka dashtë me bë këtë dallim”, tha Bajrami për Gazetën Jeta në Kosovë.

Sipas Bajrami, ky bord është zgjedhur për të mbrojtur interesat e qytetarëve, por sipas saj ky bord është duke mbrojtur interesat e një kompanie private.

Ndërsa edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu ka vlerësuar se ky vendim i bordit të ZRrE-se është kundër interesit publik.

“Vendimi i Bordit të ZRrE është plotësisht kundër interesit publik dhe në interes të një operatori privat siç është kompania KEDS/KESCO. Kjo praktikë është e njëjta me atë që kanë ndjekur anëtarët e dikurshëm të këtij bordi. Nuk kalojnë as 6 muaj pasi që zgjidhen të tillë njerëz kur pasojnë vendimet e këtilla”, tha deputeti Aliu për Gazetën JnK.

Aliu ka deklaruar se sapo Kuvendi t’i kthehet punimeve, ata do të kërkojnë llogari për këtë.

“Padyshim që do të kërkojmë llogari dhe kthim të vendimit, sapo të fillojnë punimet e Kuvendit”, tha tutje Aliu për Gazetën JnK.

E llogari ndaj këtij vendimi të ZRrE-së do të kërkoj edhe LDK-ja, duke e ftuar në raportim në komision bordin.

Deputetja Bajrami ka bërë të ditur për JnK se si anëtare e komisionit për zhvillim ekonomik do ta ftojnë ZRrE-në në raportim.

“Ne Komisioni do ta thërrasim ZRRE-në, por nuk jam optimiste se mund të ndryshojmë diçka. Edhe ju e dini se si funksionon Komisioni”, tha Bajrami për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ajo madje thotë se askush nuk e di se për çfarë humbje është duke folur ZRrE, pasi që s’ka informacion publik.

“Mandej për cilat humbje po flet ZRRE, ku i kemi parë ne humbjet e KEDS-it. A janë këto informata publike, natyrisht se jo”, tha tutje ajo.

Ajo kërkon që me këtë rast të merren organet e drejtësisë, mirëpo ajo nuk shpreson me këtë duke parë reagimet e fundit të Kryeministrit për sistemin e drejtësisë.

Ndërsa në anën tjetër, deputeti i LVV-së, Liburn Aliu thotë se bordi ka krijuar një praktikë korruptive me Limak-Calik, e që janë pronarët e KEDS-it.

“Prej kësaj dallohet qartë se në veprimtarinë e këtij Bordi, pavarësisht personave është krijuar një praktikë korruptive dhe klienteliste me Limal-Çalik, pra me pronarët formal të KEDS/KESCO”, tha tutje deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu.

Sot gjatë ka reaguar edhe Konsorciumi Kosovar për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) ka shprehur indinjatën dhe kundërshtimin ndaj vendimit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për rritjen e nivelit të humbjeve të KEDS dhe ngarkimin e kësaj kostoje te qytetarët e Kosovës.

https://kallxo.com/kosid-kerkon-anulimin-e-vendimit-te-zrre-se-per-faturimin-e-borxhit-te-keds-it-nga-xhepi-i-qytetareve/

ZRRE-ja synon të amnistojë KEDS-in për dështimin në uljen e humbjeve