Oliver Ivanoviq | Foto: BETA

Oliver Ivanoviq: Mjeshtri i Karatesë që Mposhtet në Gjykatë

“Jam krejtësisht i pafajshëm,” tha Oliver Ivanoviq, kreu i partisë politike Liri, Demokraci, Drejtësi në veriun me shumicë serbe të qytetit të ndarë të Mitrovicës, në gjykatë në gusht të vitit 2014.

Ivanoviq e deklaroi veten të pafajshëm për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve etnikë në Mitrovicë në prill të vitit 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s, kur mendohet se ai ishte lideri i një njësie policore paraushtarake.

Por gjykata ditën e enjte e shpalli atë fajtor dhe e dënoi me nëntë vjet burg.

Megjithatë, ajo e shpalli atë të pafajshëm për nxitje të vrasjes së shqiptarëve etnikë gjatë trazirave që shpërthyen në Mitrovicë më 3 shkurt 2000, kur shumë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre nga serbët, dhjetë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën.

Kur Ivanoviq u arrestua në janar të vitit 2014, kjo gjë shkaktoi prostesta midis serbëve të Kosovës, të cilët e panë këtë si një tjetër përpjekur për t’i bërë presion minoritetit të tyre që të largohet nga ish-provinca e Beogradit.

Arrestimi i Ivanoviqit ishte i papritur edhe për shumë të tjerë, sepse ai shihej si një paqeruajtës gjatë negociatave prej një dekade midis serbëve dhe shqiptarëve, negociata që pasuan fundin e konfliktit në vitin 1999.

Ai lindi në qytetin kosovar të Pejës më 1 prill 1953 dhe gjatë rinisë së tij ëndërronte të bëhej pilor, por ambiciet e tij ishin të destinuara të dështonin për shkak të problemeve të tij me sytë. Ivanoviq atëherë u përpoq të realizonte dëshirat e babait të tij duke u bërë kadet në Akademinë Ushtarake në Zagreb.

Por ai u largua tri vjet më vonë dhe u rikthye në Kosovë, ku u diplomua në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Mitrovicë dhe pothuajse u diplomua edhe në Fakultetin e Ekonomisë në Prishtinë.

Në Zagreb, ai zhvilloi një tjetër pasion përveç atij për t’u bërë pilot – karatenë. Ivanoviq shumë shpejt mori rripin e zi dhe më vonë fitoi kampionatin e karatesë në Kosovë. Kjo e kualifikoi atë për t’u bërë instruktor dhe një gjyqtar ndërkombëtar karateje, si edhe president i Klubit të Karatesë Trepca në Mitrovicë.

Ivanoviq përfundoi krejt aksidentalisht në politikë, por pozicioni i tij si kampion karateje luajti rolin e vetë.

“Gjithçka filloi në qershor të vitit 1999 me një kërkesë nga djemtë e urës për t’i ndihmuar ata me mbrojtjen si mjeshtër karateje që isha,” kujton ai.

“Djemtë e urës” njiheshin gjerësisht si “Rojtarët e Urës”, serbët që patrullonin urën kryesore në Mitrovicë që ndan qytetin në pjesën serbe dhe atë shqiptare.

Ata ishin anëtarë të Këshillit Kombëtar Serb, SNV, i cili u themelua fshehurazi në janar të vitit 1999. Kur ai u bë president i bordit ekzekutiv të SNV-së të Kosovës Veriore, shqipfolësi Ivanoviq u bë një lider de facto i serbëve të Kosovës, sidomos i atyre nga Mitrovica.

E megjithatë, politikat e tij të moderuara bën që ai të hiqej nga ky post dy vjet më vonë.

Kritikët menduan se ai ishte tepër fleksibël me komunitetin ndërkombëtar dhe po merrte vendime në mënyrë të njëanshme. Ata e kundërshtuan vendimin e tij për t’i bërë thirrje serbëve të Kosovës të merrnin pjesë në zgjedhjet në Kosovë.

Pas shkarkimit të tij në vitin 2001, ai nisi krijimin e Trupit Koordinues, organizata zyrtare e qeverisë serbe, detyra e të cilës është të ndihmojë në ruajtjen e paqes në Serbinë veriore duke ndihmuar shqiptarët etnikë atje të integrohen në rrymën politike dhe ekonomike.

Ai ishte gjithashtu kreu i Listës Serbe për Kosovën dhe Dukagjinin, SLKM, që ishte një nga dy partitë serbe të Kosovës në atë kohë.

Me bindjen e tij se serbët dhe shqiptarët nga Kosova kanë një mentalitet të ngjashëm, Ivanoviq ka qenë gjithmonë e i bindur se urrejtja midis dy popujve është nxitur nga jashtë. “Ne jemi pjesë të disa planeve strategjike nga fuqitë e mëdha,” tha dikur ai.

Por mbrëmjen e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në shkurt të vitit 2008, ai paralajmëroi: “Nëse Kosova bëhet e pavarur, ajo do të ngelet pa serbë.”

Në vitin 2008 ai shërbeu si sekretari i shtetit në Ministrinë Serbe për Kosovën dhe Dukagjinin ndërsa Partia Demokratike ishte në pushtet në Beograd, por kjo punë mbaroi kur në pushtet erdhi Partia Progresive e Aleksandër Vuçiç.

Në kohën që u arrestua, ai ishte lideri i partisë Liri, Demokraci, Drejtësi, e cila shihej si e pavarur nga politika zyrtare e Beogradit kundrejt Kosovës.

Shumë e shikonin atë si një kryetar të mundshëm të ri të komunës së Mitrovicës, por arrestimi i tij bëri që ai të mos fitonte zgjedhjet vendore.

Gjatë të gjithë gjyqit të tij, ai organizoi një sërë grevash urie në përpjekje për të rrëzuar vendimin për ta mbajtur në paraburgim, por kjo ishte një betejë të cilën mjeshtri i karatesë ishte i destinuar ta humbiste.