Një vit që nga fillimi i fazës finale të dialogut, shtatë muaj ‘ngrirje’ të takimeve

Më 24 qershor bëhen një vit që kur Kosova dhe Serbia kishin filluar fazën finale të dialogut me Serbinë.

Ndonëse ishte paralajmëruar që marrëveshja finale do të arrihet gjatë këtij viti, pala kosovare dhe ajo serbe nuk kanë pasur takim në Bruksel që prej shtatë muaj. Kjo sepse presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq refuzon të vazhdoj dialogu nëse nuk largohet taksa 100 përqind të cilën Qeveria e Kosovës e ka vendosur ndaj produkteve serbe.

Takimi i fundit mes presidentit të Kosovës dhe Serbisë  është mbajtur më 9 nëntor të vitit të kaluar. Ndërsa presidenti i Kosovës sjelljen e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq e kishte konsideruar arrogante.

“Diskursi ishte agresiv dhe arrogant nga Serbia dhe Vuçiq ndërsa diskursi ynë ishte i argumenteve dhe i anës së drejte i një marrëveshje të balancuar që nënkupton njohje reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në OKB, janë gjëra të rëndësishme të mëdha këto që  e kemi para nesh ditët e javëve të ardhshme”, kishte thënë presidenti Thaçi.

Të gjithë këtë ‘ngecje’ të dialogut, deputetët e opozitës e shohin sikur dështim të qeverisë Haradinaj si dhe të presidentit Thaçi ndërsa ata të pozitës si ndryshim të kahjes së dialogu.

E njohës të çështjeve politike në vend vlerësojnë se ideja për korrigjim të kufirit pastaj zmbrapsja nga kjo ide ka ndikuar në ‘ngrirjen’ e dialogut.

Përderisa opozita shprehet skeptike nëse një marrëveshje finale do të arrihet gjatë këtij viti, njohës të çështjeve politike vlerësojnë se afati kohorë për arritjen e marrëveshjes varet nga disponimi i vendeve evropiane.

Faza finale dështim apo ndryshim i drejtimit?

Ahmet Isufi, shef i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë për gazetën Jeta në Kosovë se kahja e dialogut ka ndryshuar pas formimit të ekipit negociator.

“Dihet që dialogu ka qenë i degraduar dhe ka pasur pasoja për Kosovën prandaj dhe tani është në një drejtim krejt tjetër dhe kemi të bëjmë me një ndryshim me formimin e grupit i cili përbëhet nga partitë politike pastaj i udhëhequr nga qeveria dhe me një platfromë të nxjerrë”, ka thënë ai.

Në anën tjetër shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti këtë vit të fazës finale të dialogut e ka vlerësuar si dështim.

“Është një periudhe e dështimit të plotë në dialogun me Serbinë. Mospajtimet sa i përket dialogut tonë me Serbinë tashmë janë kthyer në përçarje dhe krejt kjo është institucionalizuar. Nuk ka as unitet as strategji se si duhet të hyhet në dialog me Serbinë”, ka thënë Hoti për gazetën.

Ndërsa deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Fitore Pacolli ka thënë që ky vit i fazës finale të dialogut është shoqëruar nga ideja e ‘dështuar’  e presidentit Thaçi për korrigjim të kufirit.

“Viti i kaluar u karakterizua kryesisht prej përpjekjes antikombëtare të Hashim Thaçit për të çuar përpara projektin e Beogradit, për copëtim të Kosovës. Thaçi u përpoq të bëjë presion, duke përfshirë edhe kryeministrin e Shqipërisë, e duke pretenduar qe ka edhe mbështetje të huaj. Por edhe ky projekt, u rrëzua prej masivitetit të protestave popullore dhe prej kundërshtimit opozitar. Poashtu edhe mbështetja ndërkombëtare ka munguar, pavarësisht përpjekjeve të Thaçit”, ka thënë ajo.

Përparim Kryeziu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, për gazetën JNK tregoi se pse është ngrirë procesi i dialogut.

“Sot, dialogu vazhdon të jetë i ‘ngrirë’ falë dy instrumenteve të cilat po i shërbejnë kundërshtimit të idesë së Presidentit të vendit; instrumenti i parë është vendimi i Qeverisë për vendosjen e taksës për produktet Serbe, dhe instrumenti i dytë është vendosmëria e Gjermanisë për të mos përkrahur idenë për ripërcaktim kufinjësh”, vlerësoi ai.

Marrëveshja finale, vështirë të arrihet këtë vit

Ashtu si opozita ashtu edhe opozita janë skeptike se një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë mund arrihet deri në fund të këtij viti kur dihet se ka kaluar gjysma e vitit.

Ahmet Isufi shef i grupit parlamentar të AAK-së, ka vlerësuar se obstruksionet e Serbisë do ta pengojnë arritjen e marrëveshjes, pro ka shtuar se SHBA-të dhe BE-ja duhet të jenë vazhdimit të pranishëm në të ardhmen e dialogut.

“Por duke ditur se Serbia po bënë destruksion nuk pritet ndonjë zgjidhje e shpejtë. Në në ardhmen rolin duhet ta marrin shtetet e mëdha të BE-së, Gjermania, Franca të përkrahura nga SHBA-të dhe normalisht që patjetër duhet të jenë të involvuara. Dialogu duhet të vazhdoj por që të ketë epilogun me njohjen reciproke të dy shteteve”, ka thënë ai.

Ndërsa shefi i grupi parlamentar të LDK-së, ka theksuar se me qeverinë Haradinaj është e pamundur arritje e një marrëveshje finale.

“Përbrenda këtij koalicioni palët nuk po mirren vesh njëri me tjetrin dhe është normale sa ata nuk do të merren vesh as me partnerët tanë ndërkombëtar as edhe me Serbinë. As nevoja e domosdoshme për të qenë unik ndaj Serbisë nuk po i bën ata bashkë. Kjo është alarmante. Fundja neve na duhet një marrëveshje jo do si do, por një marrëveshje e qëndrueshme e bazuar në Kushtetutë dhe mbi të gjitha legjitime. Kjo nuk mund të ndodh”, ka theksuar Hoti.

Ndërsa deputetja e VV-së, Fitore Pacolli ka thënë që me politikan të ‘diskredituar’ nuk mund të ketë marrëveshje.

“Nuk besoj që do te ketë marrëveshje, apo edhe dialog, nga politikanë të diskredituar, të cilët siç kemi parë së fundi, bashkëpunojnë edhe me këshilltarë zyrtare nga BIA e Serbisë. Dialogu kërkon politikanë të ndershëm, që nuk e shkelin interesin kombëtar për të shpëtuar veten”, ka theksuar Pacolli.

Përparim Kryeziu nga GLPS, ka thënë që është e vështirë të parashikohet nëse këtë vit Kosova dhe Serbia do të arrijnë të nënshkruajnë marrëveshjen finale.

“Shumëçka mbetet të shihet pas përpjekjeve të shtuara franko-gjermane për të rifilluar dialogun, konstituimit të institucioneve të Bashkimit Evropian pas rezultateve te zgjedhjeve evropiane të muajit të kaluar, interesimit dhe përfshirjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe zhvillimeve përbrenda përbërjes politike në vend. Dialogu Kosovë – Serbi ka një të ardhme të paracaktuar, arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, korniza kohore e caktuar për arritjen e së cilës varet hapur nga bashkëveprimi i të gjithë hisedarëve të lartpërmendur”, ka theksuar ai.