Poster i vendosur në qendër të Prishtinës në ditët kur qeveria e Kosovës i vendosi taksë mallrave nga Serbia e Bosnja. Foto: BIRN

Një vit pas vendimit të taksës 100 përqind

Është bërë një vit që nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 përqind ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, si shenjë pakënaqësie ndaj fushatës që Serbia e kishe organizuar për mospranimin e Kosovës në INTERPOL.

Mirëpo, ky vendim i qeverisë Haradinaj u shoqërua me një presion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar për heqjen e kësaj tarife.

Taksa paralizoi procesin e dialogut, sepse qeveria e Serbisë e vendosi kusht largimin e taksës për vazhdimin e dialogut.

Për këtë vendim krerët institucional bënë një ‘luftë’ se kush ishte ideatori, por pas presioneve ndërkombëtare, i vetëm në këtë vendim mbeti kryeministri në largim Ramush Haradinaj.

Ndërsa sot, pas një viti, dialogu nuk ka rifilluar, Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit me porosinë që ‘taksa të mos largohet’, presionet ndërkombëtare për heqjen vazhdojnë, ndërsa fituesi i zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje është deklaruar që ‘taksën do ta zëvendësoj më reciprocitet të plotë’.

Në aspektin ekonomik, një vit jetë e taksës ka bërë që produktet serbe të mos kenë destinacion Kosovën, importi nga Serbia të pësoj një rënie drastike prej 99 përqind, dhe shpenzimet e konsumatorit të rriten për shkak të rritjes së çmimeve.

Taksa ‘ngriu’ idenë për shkëmbim të territorit

Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu, në një prononcim për gazetën Jeta në Kosovë ka thënë që vendimi për taksën e ka ‘ngrirë’ idenë e shkëmbimit të territoreve.

“Në atë kohë që qenë duke u diskutuar që të rifilloj dialogu për arritjen e një marrëveshjeje finale në të cilën ekzistonte ideja që dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të përfshihet edhe korrigjimi i kufirit. Mirëpo, vendosja e taksës e ka e ngrirë përkohësisht çështjen e diskutimit të kufirit të Kosovës”, ka thënë ai.

Njohësi i çështjeve politike Artan Murati, ka deklaruar që vendosja e taksës e ka ‘edukuar konsumatorin për konsumimin produkteve vendore’, përderisa ndanë të njëjtin mendim me Demhasajn për sa i përket idesë së shkëmbimit të territoreve.

“Taksa e ka vendosur në plan të dytë edhe idenë e shkëmbimit të territoreve, për shkak që kryeministri në largim ka qenë konsistent në këtë aspekt dhe kjo ka ndikuar edhe në çështjen e shkëmbimit të territoreve”, ka thënë ai.

Sipas Muratit vendimi i taksës na ka shkaktuar probleme për sa i përket raporteve më miqtë ndërkombëtar.

“Për sa i përket dialogut dhe raporteve me SHBA-të ose me BE-në, taksa na ka krijuar probleme për faktin se dialogu nuk është duke vazhduar, madje ka pasur edhe emisarë direkt që kanë ardhur në Kosovë për të diskutuar mundësinë e heqjes së taksës por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, dhe kjo ka ndikuar edhe në raportet bilaterale”, ka thënë ai.

Në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, partia e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje e cila së bashku me LDK-në janë duke punuar në drejtim të ndërtimit të koalicionit, mirëpo kjo parti është deklaruar që taksën e qeverisë Haradinaj do ta zëvendësoj me ‘reciprocitet të plotë ndaj Serbisë’.

Sipas Arton Demhasajt nga organizata Çohu, taksa nuk duhet të largohet, sepse sipas tij ajo mund të shërbejë si ‘presion’ ndaj Serbisë në tavolinën e bisedimeve’.

“Taksa nuk duhet të largohet dhe nëse tentohet me shku drejtë reciprocitetit të plotë, atëherë duhet të shihen mundësit se qysh mundet taksa momentale të shndërrohet në reciprocitet. Është masë presioni ndaj Serbisë që në tavolinën e bisedimeve ajo të ketë një kompromis, taksa ndaj njohjes”, ka thënë ai.

Ndërsa për analistin, Artan Murati, taksa duhet të hiqet dhe reciprociteti i plotë duhet të aplikohet nëse Serbia nuk ndryshon qasjen karshi Kosovës.

“Qeveria Kurti duhet ta heq taksën vetëm për t`i hapur rrugë dialogut, mirëpo assesi nuk duhet të dorëzohet para Serbisë dhe duhet të ketë masa të tjera, pse jo reciprocitet të plotë nëse Serbia nuk ndryshon qasje karshi Kosovës”, ka thënë Murati për JnK.

Republika e Kosovës nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina importonte mallra importonte rreth 520 milionë euro në vit, mirëpo ky import pësoi rënie drastike, apo 99 përqind për shkak të taksës 100 përqind të vendosur nga Qeveria e Kosovës.

Efektet ekonomike që solli taksa në Kosovë

Drejtori i Doganës së Kosovës Bahri Berisha për Radio Evropa e lirë kishte treguar se për një vit të plotë, taksa ndaloi importin nga këto dy vende në shkallën 99 përqind.

“Ne kemi pasur rreth 450 milionë euro vlerë të importit të produkteve nga Serbia dhe 85 milionë nga Bosnje e Hercegovina. Tashmë po bëhen një vit nga vendosja e masës mbrojtëse ndaj këtyre vendeve dhe gjatë kësaj periudhe njëvjeçare ne kemi pasur rreth 99 për qind vlerë të importit më pak nga këto dy vende”, citohet të ketë thënë Berisha.

Përkundër se importi nga këto dy vende është ndalë në shkallën e 99 përqind, në raportin e Institutit GAP lidhur me taksën hedhen dyshime se produktet serbe dërgohen përmes vendeve tjera për të ardhur më pas në Kosovë, kështu duke e ndikuar edhe në rritje të çmimeve për të cilat duhet të paguajnë konsumatorët vendor.

Në anën tjetër pas taksës, Importi ka vazhduar të rritet përderisa përfituesit më të mëdhenj ishin Sllovenia, Izraeli e Turqia.

“Brenda pesë muajve pas vendosjes së taksës 100%, importet nga Serbia shënuan një rënie prej 88% (160 milionë euro), kurse importet nga BiH u zvogëluan për 83% (24 milionë euro). Gjatë periudhës nëntor 2018 – mars 2019, importi në Kosovë ka vazhduar të rritet krahasuar me periudhën e njëjte të vitit paraprak. Përfituesit më të mëdhenj gjatë kësaj periudhe ishin shtetet si Sllovenia, Izraeli dhe Turqia të cilat patën ngritje të madhe të eksportit në Kosovë”, thuhet në raportin e GAP

Sipas Institutit GAP, përkundër rënies së importit nga Serbia dhe BIH, deficiti tregtar i Kosovës është rritur. Megjithëse biznese të caktuara vendore kanë mundur të përfitojnë nga masa mbrojtëse, të dhënat tregojnë se rritja e industrisë përpunuese, qoftë në vëllim të punës apo gjenerim të vendeve të reja të punës, nuk është përshpejtuar gjatë periudhës nga kur masa mbrojtëse është në fuqi. Të gjitha këto lënë për të kuptuar se prodhuesit vendor nuk kanë arritur t’i shfrytëzojnë mundësitë e taksës siç është menduar. Në anën tjetër, çmimet e ushqimeve në Kosovë kanë qenë rreth 5.3% më të larta në periudhën sa ka qenë taksa në fuqi (nëntor-mars 2019) krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Më tej thuhet se në mungesë të produkteve zëvendësuese për disa prodhime kosovare, prodhuesit vendorë i kanë rritur çmimet me hyrjen në fuqi të taksës prej 100%. Arsye tjera që kanë mundur të ndikojnë në rritjen e çmimeve është rritja e kostos për lëndën e parë dhe rritja e kostos së produkteve të importuara.

Gjithashtu në këtë raport përmendet se ekzistojnë dyshime se produktet të cilat nuk kanë marka siç janë drithërat, janë duke u regjistruar dhe importuar përmes vendeve të tjera të rajonit si Bullgaria, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Veprimet e tilla dëmtojnë konsumatorët vendorë për arsye se produkti i njëjtë vazhdon të importohet por me kosto më të lartë për shkak të shpenzimeve të transportit.

‘Taksa’ politike e taksës doganore ndaj Serbisë

 

.