Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri duke festuar me shqiponjë pas golave Foto:Laurent Gillieron/EPA

Një vit nga 'Nata e Shqiponjave' në Kaliningrad

Njerëzit nga gjithë bota po shihnin nga Kaliningrad i Rusisë një ndeshje të zakonshme futbolli të kampionatit botëror.

Mirëpo, për disa prej futbollistëve e tifozëve kjo ndeshje ishte dy herë më shumë.

Mbrëmja e 22 qershorit të vitit të 2018, përfundoi nën emocione të mëdha.

Në kombëtaren e Futbollit të Zvicrës janë edhe disa shqiptarë nga Kosova, të cilët u detyruan të largohen gjatë viteve 90 për shkak të situatës politike.

Në atë kohë, Kosova po ballafaqohej me terrorin e Serbisë dhe shumë familje kishin marrë rrugën e migrimit.

Tri nga këto shumë familje ishin edhe familjet Xhaka, Shaqiri e Behrami.

Pasardhësit e këtyre familjeve, vite më vonë do të nderonin Zvicrën duke i përfaqësuar denjësisht në garat ndërkombëtare në futboll.

Graniti, Xherdani e Valoni ka disa vite që mbrojnë ngjyrat e kombëtare helvetike, pa harruar kurrë që janë nga Kosova.

Këta edhe ishin tre aktorët kryesorë të kësaj ndeshje. Si rrallëherë më shumë vëmendje tërhiqnin këta 3 sportistë sesa vet ndeshja.

22 qershor 2018, ora 20:00, në Kaliningrad filloi ndeshja që ishte përfolur me javë në media.

Qyteti Kaliningrad ne Rusi Foto: Russiatrek

Nuk kaluan as 5 minuta dhe Aleksandër Mitroviq kishte kaluar Serbinë në epërsi kundër Zvicrës. Kjo e dërgonte Serbinë një hap më tutje në botëror, ndërsa Zvicrën e kthente në shtëpi.

Gjatë 90 minutave, thirrjet e tifozëve kishin qenë të rënda për shqiptaro-zviceranët që ishin në fushë atë natë.

Presionin e ndeshjes, kundërshtarit e thirrjeve raciste të tifozëve serbë, mesfushori me prejardhje nga Prishtina, Granit Xhaka “i duroi” deri në minutën e 52, kur nga 30 metra lëshoi një goditje që la të shtangur portierin Stojkoviq.

Festimi i tij, ishte i pritur nga shqiptarët, nëse veç do të shënonte. Ai bëri shqiponjën dy krenare me duar gjatë festimit të golit.

Ky festim, pastaj, do të kthej në një presion të lartë ndaj tij dhe karrierës së tij.

Granit Xhaka duke festuar golin ndaj Serbise Foto: GiveMeSport

Për të mos mjaftuar goli i Xhakës, Serbinë e “goditi” edhe Xherdan Shaqiri. Djaloshi me origjinë nga Gjilani fundosi shpresat e serbëve në minutat 90 kur pas një kundërsulmi e çoi topin mbrapa shpinës së Stojkoviq për të marrë tre pikë të plota nga kjo ndeshje.

Festimi i tij pa fanellë dhe përsëri më shqiponjë, krijoji edhe më shumë debat e zhurmë në Kaliningrad e jashtë Kaliningradit.

Xherdan Shaqiri duke festuar golin ndaj Serbise Foto: The Guardian

Prishtina, Tirana, Berni e shumë qytete tjera ishin në festë atë natë. Këngët, përqafimet e lotët ishin të vetmet gjëra që mund t’i shihje atë natë.

Këto emocione filluan të zbehën, kur orëve e ditëve në vazhdim, filluan të publikohen lajme se Xhaka e Shaqiri mund të dënohen nga organet e FIFA-së me mosparaqitje në ndeshjet e ardhshme në kampionatin botëror për shkak të provokimeve ndaj tifozëve serbë.

Kjo nuk ndodhi. Xhaka e Shaqiri u dënuan, por megjithatë jo aq shumë, sa për të mos zbritur përsëri në fushë ndaj Kosta Rikës.

Ata u dënuan me të holla nga organet e FIFA-së.

1 vit më vonë, Granit Xhaka kishte konfirmuar se dënimet e tyre i kishte paguar një biznesmen shqiptar nga Amerika.

Menjëherë pas publikimit të lajmeve se dyshja Xhaka e Shaqiri do të dënohen financiarisht nga FIFA, qytetarë të shumtë kishin filluar të mblidhnin të holla, për të paguar dënimin e tyre.

Në fund, ishte arritur një shumë parashë më se e mjaftueshme, por që nuk ishte pranuar nga Federata e Futbollit Zvicran.

Ishte raportuar se këto mjete kishin shkuar për bamirësi.

Nga ky grup tutje kaluan Brazili e Zvicra, ndërsa Serbia dhe Kosta Rika u kthyen në shtëpitë e tyre.

Kjo humbje e Serbisë kishte mbetur në memorien e tyre.

Pas përfundimit të kampionatit botëror, Xherdan Shaqiri kaloi në Liverpool, që 10 muaj më vonë do të fitonte titullin e ekipit më i mirë në Evropë, Ligën e Kampionëve.

Rruga për të shpallur kampion i Evropës për Liverpoolin dhe Shaqirin ishte e gjatë.

Gjatë rrugës Liverpool do duhej të udhëtonte në Beograd për tu ballafaquar me Red Star Belgrade (Crvena Zvezda)

Shaqiri kishte marrë kërcënime të mëdha para kësaj ndeshje. Për shkak të sigurisë, trajneri gjerman, Jurgen Klopp kishte vendosur të mos e merrte këmbëmajtin në Beograd.

“Shaqiri është lojtari ynë, ne e duam atë dhe ai do të luajë edhe shumë ndeshje për ne, por jo të martën”, kishte deklaruar Klopp pak ditë para udhëtimit për në Beograd.

Liverpool e humbi atë ndeshje 2 me 0.

Në anën tjetër, Federata e Futbollit të Kosovës në maj të 2016 u bë anëtare e FIFA-së dhe UEFA-së dhe tani po garon e barabartë me kombëtaret e tjera të futbollit.

Ekipi i Kosovës në futboll ka shumë gjasa që të kualifikohet në kampionatin evropian që do të mbahet verën e ardhshme, në 2020.

.