Çmimi i naftës në vendet e rajonit në muajin dhjetor 2018

Nisin hetimet për arsyet e shtrejtimit të naftës në Kosovë

Komisioni i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës ka marrë vendim për fillim të hetimeve për shkak të dyshimeve të bazuara për ç’ rregullim të konkurrencës në tregun e derivateve të naftës.

Komisioni i AKK-së ka vendosur të filloj hetimet në treg për të vërtetuar dyshimet nëse ka marrëveshje, koordinim, praktikë të bashkërenduar apo sjellje paralele në treg për fiksimin e çmimeve të naftës dhe benzinës ndërmjet pikave të shitjes së karburanteve që janë objekt hetimi për këtë rast.

“Autoriteti në procesin e monitorimit në sektorin e naftës në Republikën e Kosovës ka vërejtur se ka mos reflektim të uljes së çmimit të naftës dhe derivateve të naftës kur ka lëvizje të çmimit, ulje apo ngritje, të këtij produkti në berëza”, thuhej në njoftimin e Autoritetit të Konkurrencës më 15 shkurt.

Hetimet do të zhvillohen ndaj 16 pikave të shitjes së karburanteve. Duke filluar nga HIB PETROL, AL – PETROL, EX FIS, LAB – OIL, IP – KOS, PETROL COMPANY, ALBA PETROL GROUP, ALFA TRADE, KASTRATI – GROUP, PATRONI, BENITA COMPANY, N.P.T IBRAHIMI, BLU OIL, PETROL OTI SLOVENIJA L.L.C, VEDA -2 PETROL dhe në fund N.P.T. FAT OIL.

Kryetari i “Shoqatës së naftëtarëve”, Fadil Berjani ka thënë se e respektojnë punën e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës por që nuk ka pasur marrëveshje për fiksim të çmimit të derivateve të naftës.

“Kompanitë janë të njoftuara nga Autoriteti i Konkurrencës. Shoqata do të ketë një Kuvend të jashtëzakonshëm lidhur me këtë çështje. Mendimi im është se nuk ka pasur çmim kartel”, ka thënë Berjani për Kallxo.com.

Rritja e çmimit të naftës

Berjani ka thënë se javën e fundit ka pasur rritje të çmimit të derivateve të naftës në tregun ndërkombëtar dhe se kjo rritje ka reflektuar edhe në Kosovë.

“Javën e fundit kemi rritje të derivateve edhe në tregjet ndërkombëtare ku kjo rritje ka reflektuar edhe te ne në Kosovë ku kemi rritje të çmimit në import por me siguri do të reflektojë edhe rritja e çmimit me pakicë”, ka thënë Berjani.

Ai ka treguar se çmimi i naftës në Kosovë sillet te 1.13 euro dhe ndërsa çmimi i benzinës 1.14 euro.

Çmimi mesatar në Evropë për ‘Diesel’ sipas ‘Autotraveler’, në dy javët e fundit është rritur për 0.01 cent dhe tani është 1.20 euro.

Më 8 janar 2019 çmimi i naftës ka qenë 1.17 euro, më 24 janar 1.18 euro, më 7 shkurt çmimi i naftës ishte ngritur për 1 cent, duke shkuar në 1.19 euro. Kurse më 20 shkurt çmimi përsëri është rritur duke shkuar në 1.20 euro.

Burimi: Autotreveler

Në hartë mund të shihen qartë vendet në të cilat karburantet janë më të lira dhe më të shtrenjta. Me ngjyrë të gjelbër janë të ngjyrosura vendet ku karburanti është më i lirë dhe me ngjyrë të kuqe vendet ku karburanti është më i shtrenjtë.

Për momentin nafta më e lirë mund të blihet në Rusi me një çmim prej 64 cent kurse më e shtrenjta në Norvegji, Islandë dhe Suedi ku çmimi varion nga 1.59 euro deri në 1.64 euro.

Ndërsa në muajin dhjetor nafta në Rusi blihej për 62 cent, 2 cent më lirë se në muajin shkurt.

Vende si Gjermania kanë një çmim të naftës prej 1.26 euro, 3 cent më lirë se në muajin dhjetor. Ndërsa Franca, Italia dhe Britania e madhe i afrohen zonës së kuqe dhe në këto vende çmimi i naftës shkon nga 1.45 euro deri në 1.46 euro.

Ndërsa sa përket të dhënave të “Inside Markets”, çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar nga 1 janari i vitit 2019 deri më 25 shkurt vazhdimisht ka shkuar duke u rritur.

Përderisa më 1 janar një fuçi barel kushtonte 47 dollarë, më 15 janar ky çmim ishte rritur në 52 dollarë, kurse muaji janar ishte mbyllur me një çmim prej 55 dollarësh. Brenda një muaji çmimi i një bareli është rritur për 8 dollarë.

Më 19 shkurt ky çmim është rritur përsëri, duke shkuar në 56 dollarë kurse më 25 shkurt përsëri ka pasur një ngritje për një dollarë, duke arritur në 57 dollarë.

Rritja e çmimit të naftës për barel nga 1 janari 2019 deri më 25 shkurt 2019, Burimi: Inside Markets

https://kallxo.com/dyshime-per-fiksim-te-cmimit-te-naftes-ne-kosove/

Kallxo.com