Teatri i Gjakovës "Hadi Shehu"

Nis puna në institucionet kulturore, kërkohet testimi për COVID-19

Pavarësisht se Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar punën për teatrot dhe kinematë, qindra punëtorë të Ansamblit “SHOTA’, Baletit Kombëtar, Filharmonisë e institucioneve tjera, duke përfshirë edhe ansamblet artistike nga fillimi i kësaj jave i janë rikthyer punës institucionale. Po, pa mundur që të japin shfaqje për publikun.

Ka mjaftuar një njoftim i Ministrisë së Kulturës drejtuar institucioneve kulturore që punëtorët e tyre t’i rikthejnë në punë pas më se tre muajve pauzë.

Por, rikthimi është bërë pa pasur kushtet e nevojshme për mbrojtje nga coronavirusi.

Drejtues të institucioneve të kulturës kanë konfirmuar për Kallxo.com se kanë nisur punë në institucionet e tyre, duke respektuar rekomandimet e institucioneve shëndetësore, duke ndarë ansamblet në grupe të vogla dhe pa mundur të zhvillojnë ushtrimet në mënyrë normale.

Puna në këto institucione ka rinisur pa kushtet e nevojshme për të përballuar situatën me COVID-19, pavarësisht se kishin marrë premtime nga MKRS-ja se do të pajisjen me materialet mbrojtëse si; dezinfektues, maska e dorëza.

Mos pajisja e institucioneve me materialet nevojshme për mbrojtje nga COVID-19 është konfirmuar edhe nga zyrtarë të MKRS-së. Kurse, sipas tyre, njoftimin për rikthim në punë të institucioneve kulturore e kanë dërguar pas vendimit të Qeverisë për rifillim të punës në institucionet publike.

 

Zyrtarë të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve, “Shota”, përveç pajisjeve me materialeve mbrojtëse kanë kërkuar edhe testimin të stafit për COVID-19.

Shfeqet Gjocaj, drejtor i Ansamblit “Shota” ka konfirmuar për Kallxo.com se ansambli nuk është pajisur me materialet e nevojshme për mbrojtje nga pandemia.

Ai ka thënë se presin nga MKRS pajisjen me materiale dhe rekomandimet e nevojshme për të pasur më të qartë se do të veprohet dhe se është kërkuar që punëtorët e “Shotës” të testohet për COVID-19.

Kjo kërkesë, siaps drejtorit Gjocaj,  është bërë duke pasur parasysh natyrën e funksionit të ansambli ku kontaktet janë pjesë e punës në ansambël.

“Kemi kërkuar që të bëhet testimi i trupës për arsye sepse ka kontaktet, po ashtu kemi kërkuar që të furnizohemi me materiale mbrojtës dhe një këshillë të ndonjë eksperti shëndetësor me që ne nuk kemi  në ansambël, ashtu siç ka te vepruar MKRS në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësinë, Komitetin Olimpik dhe Federatën e Futbollit për sportistët”, ka thënë Gjocaj.

Gjocaj ka thënë se pret që MKRS të japë rekomandimet më specifike lidhur me rifillimin punës dhe mundësinë e testimit.

“Presim nga MKSR një përgjigje që të dimë se si do të procedojmë”, ka thënë ai.

Kreshnik Musolli, ushtrues i detyrës së drejtorit të Baletit Kombëtar ka thënë për Kallxo.com se ka kërkuar nga MKRS-ja vlerësim të kushteve në të cilat duhet të rinisin punës BKK-ja, pasi mbajtja e provave normale është e pamundur.

“Kam pyetur se a do të ketë testime për balerinët dhe ua kam propozuar planin e punës në grupe për të ruajtur distancën mes balerinëve gjatë ushtrimeve. Pa ndonjë informate specifike ose ndonjë udhëzim më të hollësishëm, BKK-ja ka  filluar punën me grupe nga 9 persona me intervale prej 30 minutave pauzë, me qëllim të ketë mundësi te ajrosjes se sallës”, ka thënë Musolli.

Ai ka shtuar se dezinfektimi i ambienteve ku baleti zhvillon punën do të behet çdo ditë pas aktiviteteve ditore kurse mes grupeve do ë dezinfektohen levat që përdoren për ushtrime.

Kurse, Baki  Jashari drejtor i Filharmonisë së Kosovës ka konfirmuar për Kallxo.com se institucione që ai drejtor ka siguruar një sasi të caktuar dezinfektuesish në mënyrë private, deri sa MKRS të sjellë materialin e premtuar.

“Deri sot në nuk kemi marrë asnjë materiale anti COVID-19. Në takimet që kemi pasur në MKRS para fazës së tretë është përmendur që ministria do të kujdeset që institucione do të furnizohen me materiale mbrojtëse”, ka thënë ai.

Jashari ka thënë se punëtorët e Filharminisë i janë kthyer ushtrimeve të ndarë në grupe të vogla deri në 10 veta duke mbajtur distancës sipas rekomandimeve të institucioneve shëndetësor.

Ndërsa, Jehona Shyti, drejtoreshë e Departamenti të Kulturës në MKRS ka thënë për Kallxo.com se njoftimi për rifillim të punës institucioneve u është dërguar në bazë të vendimit të Qeverisë se institucione publike duhet të rinisin punën nga 1 qershori, gjithnjë duke respektuar rekomandimet e IKSHPK, për mbrojtje nga coronavirusi.

Ajo  ka thënë se brenda kësaj jave institucionet do ta kenë materialet e nevojshme për mbrojtje nga coronavirusi.

“Porosia është bërë dhe brenda kësaj jave do të furnizohen me materialet e nevojshme. Institucionet duhet të respektojnë rekomandimet e dhëna nga institucionet shëndetësore, kurse sa i përket testimeve për COVID-19 kjo është çështje e IKSHPK-së”, ka thënë Shyti.