Ngecja e universiteteve në respektimin e masave kundër pandemisë

Universitetet publike janë duke ngecur në respektimin e masave kundër pandemisë COVID-19 edhe përkundër se në vendimin e Qeverisë së Kosovës kërkohet që universitetet duhet të respektojnë rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, ligjëratat nëpër universitete publike janë duke u zhvilluar online. Mirëpo ushtrimet, pjesa praktike, provimet janë duke u mbajtur fizikisht nëpër fakultete që nga fillimi i vitit akademik 2020/2021.

KALLXO.com çdo muaj bën monitorimin e fakulteteve të 7 universiteteve publike në të gjithë Kosovën për të parë se sa po respektohen masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Në muajin janar, KALLXO.com ka vizituar 22 fakultete të 7 universiteteve publike në Kosovë. Në fakultetet e monitoruara është hasur në studentë pa maska dhe duke mos e mbajtur distancën, në mungesë të dezinfektuesve nëpër hapësirat e fakulteteve, mungesë të termometrave për matjen e temperaturës dhe mosrespektim i disa rekomandimeve të tjera të dhëna nga IKShPK.

Mungesa e shenjëzimit në Universitetin e Prizrenit

Në katër fakultete të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” nuk janë të vendosura posterët me udhëzimet për masat mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së COVID-19 as brenda, as jashtë objektit.

Fakulteti i Shkencave Kompjuterike dhe Fakulteti Juridik, të cilët e ndajnë një objekt nuk kanë shenja të vendosura se sa studentë lejohen dhe shenjëzim të distancës së uljes së studentëve nëpër klasa.

Gjendja e njëjtë është vërejtur edhe në dy fakultetet e tjera që gjenden në një kampus, Fakulteti i Edukimit dhe Fakulteti Filologjik në këtë Universitet.

Përveç asaj në hyrje të këtyre katër fakulteteve, nuk ka as termometra me rreze për matjen e temperaturës.

Në Universitetin e Prizrenit mungon edhe sapun i lëngshëm dhe letra higjienike për pastrimin e duarve nëpër tualete.

Në anën tjetër, gjatë monitorimit KALLXO.com ka gjetur se në këto fakultete ka të ngjitur posterë me udhëzime për masat mbrojtëse kundër COVID-19, brenda dhe jashtë objekteve.

Dekanët Samedin Krrabaj, Flamur Shala dhe sekretari Enver Buzhala, kanë thënë për KALLXO.com se objektet janë dezinfektuar në fillim të vitit akademik.

Mungesa e shenjëzimit është vënë re edhe në Universitetin e Gjakovës përkatësisht në dy fakultete, në Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë.

Mosmbajtja e maskave nga studentët

Në muajin janar, monitoruesit e KALLXO.com kanë hasur në studentë të cilët nuk kanë pasur maska të vendosura kundër COVID-19.

Në hapësirat e Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka” është hasur në një numër të madh të studentëve pa maska dhe pa distancë.

Sipas dekanit të Fakultetit Juridik, Sadik Haxhiu është vështirë që studentët të kontrollohen vazhdimisht e sidomos nëpër koridore.

“Ne i kemi kry këto obligime edhe përmes senatit, rektorit, emaileve që i kemi dërgu studentëve. Janë sigurimi në hyrje që janë të obliguar me i kontrollu në hyrje por nuk është që po mundemi me i pas nën kontroll se është pak edhe kulturë. Ligjëratat janë duke u mbajtur online por ushtrimet po mbahen në klasë me grupe të vogla, me distancë. Unë kur kam pas kollekfium kam shku me maskë në klasë edhe studentët kanë qenë me maska, më e vështirë po është me i kontrollu kur po dalin nëpër koridore”, ka thënë Haxhiu për KALLXO.com.

Studentë pa maska dhe pa distancë ishte hasur edhe gjatë monitorimit në muajin dhjetor në këtë universitet.

Studentë pa maska dhe duke mosrespektuar distancën fizike janë hasur edhe në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Gjakovës.

Pas kësaj KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Fakulteti i Mjekësisë. Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Idriz Berisha ka thënë se në kohën sa ka qenë i pranishëm në fakultet nuk ka hasur në persona pa maska.

“Unë dje (18 janar) isha dy herë në fakultet dhe kam qëndruar gjatë aty, nuk kam takuar persona pa maska. Ndoshta prezenca ime aty ka ndikuar që studentët dhe rojet të jenë më të kujdesshëm”, ka thënë Berisha për KALLXO.com.

Edhe në Universitetin e Mitrovicës, janë parë studentë të pa pajisur me maska dhe pa distancë.

Dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin e Mitrovicës, Agron Beka ka deklaruar se studentët nuk kanë qenë pranë zyrës së tij por tek zyra e dekanit të Fakultetit Ekonomik. Por Beka nuk ka treguar se pse studentët janë lejuar të qëndrojnë pa maska në ato hapësira, pavarësisht se në cilën zyrë kanë pasur punë.

“Vërtetoje gjendjen faktike saktë njëherë pastaj krijoni pasqyrë reale për situatën për të cilën po e cekni. Ata studentë nuk kanë qenë tek unë në dekanat, por tek dekani i Fakultetit Ekonomik, i cili është përballë zyrës sime”, ka deklaruar Beka për KALLXO.com.

Ndërsa dekani i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Mitrovicës, Qazim Tmava ka thënë se në atë kohë disa profesorë të Fakultetit Ekonomik dhe Juridik kanë pasur konsultime me studentë. Por Tmava ka treguar se posa ka vërejtur grumbullimin e studentëve është kërkuar shpërndarja e studentëve.

“Fotografia nuk ka qenë para dekanatit, se në korridor aty janë dy fakultete që mbajnë mësim, Fakulteti Juridik dhe Ekonomik, e këtu ka pas konsulta një koleg i Fakultetit Ekonomik dhe dy kolegë të Fakultetit Juridik, në momentin kur e kemi vërejte, unë kam shku dhe ia kam tërheqë vërejtjen kolegut të Fakultetit Ekonomik dhe janë shpërndarë studentët, pjesa e Fakultetit Juridik nuk ka qenë kompetencë e jona, por me sa di unë, qysh e kam informatën ka intervenu edhe dekani i Fakultetit Juridik”, ka thënë Tmava për KALLXO.com.

Gjatë muajit nëntor monitoruesit kanë gjetur se studentët janë lejuar të lëvizin pa maska mbrojtëse nëpër hapësirat e brendshme. Disa prej tyre nuk i kanë bartur maskat në formën e duhur.

Mungesa e termometrit në Universitetin e Pejës

Tri fakultetet e Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka”, Fakulteti Juridik, Fakulteti i Biznesit dhe Fakulteti i Agrobiznesit nuk janë të pajisur me termometra për matjen e temperaturës.

Në asnjërin nga këto fakultete nuk ka të vendosur posterë me udhëzime për masat kundër COVID-19, as jashtë dhe as brenda të hapësirave.

Monitoruesit e KALLXO.com kanë gjetur se nuk është bërë as shenjëzimi i distancës brenda fakulteteve.

Sipas sekretarit të Fakultetit të Biznesit, Liridon Cukaj, shenjëzimi nuk është bërë pasi që ka hapësirë mjaftueshme për ndarjen e studentëve. Mirëpo, në këto fakultete nuk ka shenja se sa studentë/staf lejohen brenda një hapësire qëndrimi.

Në hyrje të tri fakulteteve ka të vendosur aparatë për dezinfektimin e duarve. Për dallim nga Fakulteti i Biznesit dhe Fakultetit të Agrobiznesit, në Fakultetin Juridik ka të vendosur dezinfektues në çdo hapësirë.

Sekretari i Fakultetit të Agrobiznesit, Ukë Selimaj ka thënë për KALLXO.com se objekti dezinfektohet në mënyrë të vazhdueshme.

Mungesa e dezinfektueseve të duarve në Universitetin e Ferizajt

Tri fakultete të Universitetit e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj – Fakulteti i Inxhinierisë dhe Informatikës, Turizmit dhe Ambientit, Arkitekturës, Dizajnit dhe Teknologjisë së Drurit ndajnë një objekt.

Në asnjërën nga hapësirat e fakultetit nuk janë vendosur dezinfektues për pastrimin e duarve, e cila është edhe një prej masave për parandalimin e pandemisë COVID-19.

Po ashtu mungojnë edhe termometrat për matjen e temperaturës.

Sipas Sekretarit të UShAF, Armend Hysa, ata nuk e kanë parë të nevojshëm termometrin, pasi numri i stafit dhe studentëve është i vogël.

“Pasi që mësimi është duke u zhvilluar online dhe stafi administrativ punon me orar të reduktuar si dhe frekuentimi i stafit akademik dhe studentëve në UShAF është shumë i vogël nuk e kemi parë të nevojshëm të kemi termometër për matjen e temperaturës”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Është vërejtur edhe mungesa e posterëve me udhëzimet për mbrojtjen nga COVID-19.

KALLXO.com ka raportuar edhe në muajin dhjetor për çalimin e universiteteve në menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Në anën tjetër, vendi është duke luftuar pandeminë e COVID-19, ku deri më tani mbi 58 mijë persona janë infektuar ndërsa mbi 1 mijë të tjerë kanë vdekur.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.