MEDIA-PRESS

Foto: Shqipron Halimi

Nevoja për një bord etik e profesional të KPM-së

 

Komisioni i Pavarur i Mediave është institucioni më i rëndësishëm për rregullimin dhe menaxhimin e mediave audio dhe audiovizuele në Kosovë. Ky institucion, i cili është edhe kategori kushtetuese, përbëhet prej Komisionit të Pavarur për Media dhe Bordit të Ankesave. 

Sipas Ligji për KPM-në, Komisioni i Pavarur i Mediave përbëhet nga shtatë anëtarë të cilët zgjidhen nga Kuvendi i Kosovës. Aktualisht, ky institucion ka vetëm katër anëtarë ndërsa tre të tjerë pritët t’i zgjedh organi legjislativ i vendit. Legjislacioni në fuqi parasheh disa kushte për të qenë anëtarë i Komisionit të Pavarur të Mediave.

“Anëtarët e KPM-së duhet të jenë individë me kredibilitet dhe autoritet të lartë njerëzor, profesional dhe moral. Gjatë punës së tyre, anëtarët e KPM-së duhet të jenë plotësisht të përkushtuar, objektiv dhe të paanshëm”, thuhet në kushtet që duhet të plotësojnë anëtarët e KPM-së. Legjislacioni parasheh edhe fushat prej nga duhet të vijnë personat që zgjidhen të drejtojnë Komisionin e Pavarur të Mediave.

Ardita Zejnullahu nga Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës (AMPEK) thotë se KPM ka nevojë për një Bord të pavarur e profesional.

“Komisionit të Pavarur të Mediave i duhet një Bord, i pavarur qoftë politikisht, qoftë prej grupeve të caktuara të interesit, profesionistë të fushave përkatëse si: drejtësi, gazetari,  teknologji informative, ekonomi, kulturë etj., individë me kredibilitet profesional  dhe moral. Normalisht që Komisioni duhet të reflektojë edhe karakterin shumë etnik dhe gjinor të Kosovës, por prapë po e përsëris, mbi të gjitha Anëtaret e Komisionit duhet të jenë profesionistë të dalluar  dhe te pavarur, në mënyrë që kjo pavarësi dhe profesionalizëm të reflektojë ne vendimmarrjen e tyre”, thotë ajo.

Drejtuesja e AMPEK-ut, thotë se Bordi i ri i KPM-së ka disa prioritete, posa të vijë në detyrë.

“Besoj që prioriteti kryesor i KPM-së është dhe duhet të jetë transpozimi i Direktivës për Shërbime Mediale Audiovisuale – AVMS Direktivë (EU) 2018/1808, së pari në ligjin për KPM (përmes amandamentimit të ligjit, në Kuvendin e Kosovës) e pastaj edhe në aktet nënligjore të KPM-së, përmes të cilave bëhet rregullimi ë shërbimeve mediale audiovizuale”, vlerëson Ardia Zejnullahu.

Një problem tjetër sipas Zejnullahut që duhet të adresohet nga Komisioni i Pavarur i Mediave është edhe çështja e pronësisë së mediave. Kjo, sipas saj, duhet të ketë një adresim urgjent.

“Prioritet tejet me rëndësi i KPM-së duhet të jetë çështja e rregullimit të pronësisë se mediave. KPM nuk ka, as nuk ka pasur asnjëherë një akt nënligjor apo rregullore, përmes të cilës do ta rregullonte këtë çështje tejet kritike për diveristetin dhe pavarësinë mediale”, thotë ajo.

Kosova mbetet vendi i fundit në rajon sa i përket përparimit në dixhitalizim. Kjo pritet të jetë edhe njëra prej sfidave të ardhshme të KPM-së.

“Çështja e digjitalizimit të cilin KPM prej vitit 2015 ka dështuar ta bëjë, apo edhe adresojë në mënyrën e duhur. Digjitalizimi i transemtimeve është proces tejet kompleks, që është dashtë të ndodh qysh në vitin 2015. Por për shkak të ‘neglizhencës’ së KPM-së nder vite, ky proces në vazhdimësi ka dështuar”, deklaron Ardita Zejnullahu për KALLXO.com.

Parakusht për të funksionuar si duhet KPM, Zejnullahu thotë se anëtarët e Bordit të këtij institucioni duhet të jenë të pavarur politikisht. Deri më tani, sipas saj, ndikimi i politikës në zgjedhjen e anëtarëve ka qenë evident.

“Anëtaret e Komisionit duhet të jenë apoltik, definitivisht. Kjo gjë është e përcaktuar qartë edhe me ligjin për KPM, por viteve te fundit, asnjë konkurrent për Anëtarë te KPM, nuk ka mundur të zgjedhet nëse nuk ka pas përkrahje prej partive politike, kryesisht atyre qe kane qene ne pushtet deri me tani. Shpresoj shume qe kjo te ndryshoje, tash e tutje”, thotë ajo.

Edhe profesori dhe ish-anëtari i Bordit të KPM-së, Abit Hoxha thotë se ky institucion ka nevojë një për Bord me integritet dhe të paanshëm.

“Besoj se KPM-së i duhet një bord i cili është profesional mbi të gjitha dhe që të ketë kujdes pikë së pari për shtyrjen përpara të digjitalizimit si proces dhe të kujdeset që vendimet e KPM janë të ligjshme. Një bord i cili ka integritet, është lehtësisht edhe profesional e i pa-anshëm”, vlerëson Hoxha.

Ai thotë se KPM ka një sfidë para vetës, për të cilën duhet angazhimi edhe i Bordit.

“Prioritetet e KPM caktohen nga korniza ligjore si dhe varen nga Bordi e plani i punës së KPM-së ndërsa roli i Bordit është sikurse më parë, pra nuk ndryshon pasiqë edhe korniza ligjore nuk ndryshon. Çka është me rëndësi për këtë Bord, është sfida e implementimit të Digjitalizimit që bordet tjera më parë nuk kanë mundur ta implementojnë pa fajin e tyre”, deklaron Abit Hoxha.

 Sipas ish-anëtarit të Bordit të KPM-së, ky institucion gjendet në një udhëkryq.

“Rregullativat apo legjislacioni përkatës që rrjedhë prej ligjit bazë duhet përtrirë gjithmonë dhe këto rregullore duhet përshtaten me rrethanat e reja në terren. KPM tanimë gjendet në një udhëkryq të rregullimit të medias pas konvergjimit medial, transmteuesve ekskluziv nëpërmjet internetit, sfidave që paraqesin IPTV-të dhe transmetuesit ilegal në Kosovë”, thotë Hoxha.

“Gjithashtu, procesi i digjitalizimit që është dashur të përmbyllet para shumë vitesh. Vendimmarrja në bordin e ri varet nga vullneti i anëtarëve të cilët janë të emëruar nga Kuvendi i Kosovës dhe i përgjigjen vetëm Kuvendit”, vlerëson Abit Hoxha.

Edhe sipas zëvendës kryeshefit të KPM-së, Faruk Rexhaj, ky institucion i ka para vetës disa prioritete. 

“Prioritet i KPM-së mbetet procesi i dixhitalizimit të transmetimeve tokësore dhe rregullimi i platformave të reja të cilat janë edhe kërkesë sipas akteve përkatëse të BE-së”, thotë ai.

Sipas Rexhajt, KPM është duke punuar në këtë drejtim dhe për këtë qëllim edhe Ligji i KPM-së është në proces të ndryshim plotësimit nga ana e Qeverisë.

Komisioni i Pavarur i Mediave është duke plotësuar disa akte të brendshme të cilat do ta ndihmojnë atë që të jetë më e pavarur.

“KPM ka rregullativ të brendshme dhe është në proces të hartimit edhe të disa akteve tjera për rregullimin e brendshëm. Sfidë vazhdon të mbetet dixhitalizimi si proces dhe pavarësia financiare e KPM-së me qëllim që KPM të jetë e pavarur në ushtrimin e aktivisteve të saja”, deklaroi Rexhaj për KALLXO.com.

Në fillim të muajit gusht, Kuvendi i Kosovës dështoi t’i zgjedh tre anëtarët e Bordit të KPM-së. Kështu, zgjedhja e tyre do të përsëritet.

Kandidatët e propozuar për anëtarë të KPM-së ishin Hysni Mustafa, Luljeta Aliu – Krasniqi, Arbër Jashari, Vlorë Berisha, Fatih Basha dhe Maja Staletovic.

Mandati i anëtarëve të KPM-së caktohet me short. Një anëtar më mandat 4-vjeçar dhe 2 anëtarët e tjerë me mandat 3-vjeçar.

Procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media ka nxitur reagim nga shoqëria civile në Kosovë dhe organizatave ndërkombëtare të gazetarëve.