Në shtator pritet që Kosova të bëhet me Ligjin për Fondin Sovran
Lëvizja Vetëvendosje erdhi në pushtet duke premtuar themelimin e Fondit Sovran, i cili vlerësohej si projekti më i madh ekonomik në vend.
Ligji për Fondin Sovran pritet që të shkojë në Kuvendin e Kosovës në muajin qershor. Ndërkaq njohës të çështjeve ekonomike kanë shfaqur dyshimet e tyre në lidhje me funksionimin e këtij fondi.
Mentor Hyseni, udhëheqës i ekipit të ekspertëve të fushës së ekonomisë në Fondin Sovran tha se në shtator pritet që Kosova të bëhet me këtë ligj.
“Grupi për draftimin e koncept-dokumentit ka hartuar dokumentin për Fondin Sovran, është aprovuar në Qeveri, u caktu koordinatori, grupi i ekspertëve, është draftu ligji, ka dalë në konsultim publik, është bërë lansimi dhe tani do të shkojë në Kuvend, nëpër komisione parlamentare dhe mandej do të kalojë në seancë plenare” – tha Hyseni në emisionin “Kallxo Përnime”.
Hyseni tha se pas votimit në Kuvend, do të fillojnë me bartjen e ndërmarrjeve publike dhe disa aseteve nga AKP-ja, ku edhe do të konsolidohet Fondi Sovran.
“Trepça, KEK-u, Telekomi, Posta, Infrakosi dhe Trainkosi do të barten në Fondin Sovran, por kjo nuk do të thotë që nuk do të themelohen edhe ndërmarrje të reja” – tha më tej ai.
Çka është Fondi Sovran?
Fondi Sovran është shuma e mjeteve monetare që krijon Qeveria për qëllime të investimeve. Këto mjete monetare zakonisht mblidhen nga surpluset e rezervave, nga shitja e resurseve natyrore, nga privatizimet etj. Diçka e tillë ekziston në Norvegji, në Singapor, në Kuvajt etj.
Fondi Sovran do të funksionojë si shoqëri aksionare.
Mentor Hyseni në “Kallxo Përnime”, ku u diskutua rreth Fondit Sovran, tha se po bëhet një reformë ekonomike në vend.
“Në parim do të racionalizohen ndërmarrjet publike, shteti do të konsiderojë investime kapitale në ekonominë sektoriale” – ka thënë Hyseni.
Ky Fond ka qenë premtim i Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare.
“Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm i ri, do t’i japë jetë të re aseteve që qëndrojnë të nën shfrytëzuara në AKP, do t’i japë një shtytje dhe orientim të ri ekonomisë së Kosovës. Fondi pritet që të kryejë jo vetëm një rol mbikëqyrës të aseteve të Kosovës” – kishte thënë Albin Kurti, kryeministër i Kosovës kur ishte miratuar koncept dokumenti për Fondin Sovran.
Hyseni ka shtuar se Fondi Sovran do të regjistrohet si shoqëri aksionare.
“Republika e Kosovës është aksionari kryesor që përfaqësohet prej Kuvendit, i cili përzgjedh bordin e Fondit, ruan të drejtën edhe të shkarkimit por edhe mbikqyrë edhe zhvillimin e tij dhe implementimin e strategjisë të cilën e bën Fondi” – theksoi ai.
Ndryshe, në mars të këtij viti është hartuar një draft i Projektligjit për Fondin Sovran.
“Projektligji për Fondin Sovran është në kundërshtim me Kushtetutën, përkatësisht me nenin 10, ku Kosova determinohet si vend i ekonomisë së lirë.”
Kështu tha Besnik Krasniqi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në emisionin “Kallxo Përnime”.
Ai shtoi se në bazë të Projektligjit, Qeveria përcaktohet si pronare të vetme e Fondit.“100% e aksioneve janë në pronësi të Qeverisë megjithatë kjo pronësi mund të çojë në joefikasitet dhe abuzime të mundshme nga pushteti për shkak se një model të tillë tashmë jemi duke e parë në 23 vitet e fundit me ndërmarrjet publike. Kjo nuk ndryshon vetëm sa e fuzionon gjithë potencialin e këtyre ndërmarrjeve në një grup të vetëm të njerëzve” – tha tutje Krasniqi.
Ai shtoi se ky Projektligj është edhe në mospërputhje me Ligjin për konkurrencën e lirë ekonomike.
“Unë jam për rikonstrukturim të këtyre ndërmarrjeve të mëdha publike edhe në formë të partneritetit publiko-privat, si formë e efikasitetit të këtyre ndërmarrjeve” – tha Krasniqi
Ai ka thënë se ky Fond është një hap ‘drejt socializimit të ekonomisë së Kosovës’.
“Imagjino sikur ky Fond do të jetë në konkurrueshmëri të plotë me një biznes privat, i cili s’do të ketë asnjë mundësi me i dalë përballë një Fondi kaq të madh investiv. Ideja e fuzionimit të ndërmarrjeve të mëdha në një të madhe siç është ky Fond do t’i largojë nga sfera e konkurrueshmërisë kompanitë private sepse në punët e tyre ky Fond ka mundësi me i integru asetet ose me i transferu nga një ndërmarrje në një tjetër” – shtoi Krasniqi.
“Mendoj që Qeveria përmes këtij Fondi ka mundësi me abuzu më shumë sesa që është duke abuzu sot” – tha më tej Krasniqi
Mentor Hyseni, udhëheqës i ekipit të ekspertëve të fushës së ekonomisë në Fondin Sovran, ka thënë se draft ligjin për fondin sovran, nuk thuhet që këtë e menaxhon Qeveria por Kuvendi.
Në këtë emission u fol edhe për fitimet që ka pasur Korporata Energjetike e Kosovës në kohën kur ka qenë AAK-ja si dhe tash.
‘Komplekse’ – iniciativa për themelimin e Fondit Sovran
‘Komplekse’ e ka vlerësuar iniciativën për themelimin e Fondit Sovran, profesori i ekonomisë në UP, Sejdi Rexhepi.
Ai në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se gjithë këto aktivitete që do t’i ketë ky Fond, nuk mund të realizohen brenda një periudhe të shkurtër kohore.
“Problemi nuk është se a duhet të kemi një Fond Sovran, por a pajtohemi që formën e tanishme të menaxhimit të ndërmarrjeve publike e cila po thuhet që nuk po menaxhohet siç duhet, a do të provojmë të bëjmë një reformë tjetër e cila do të mundësojë menaxhim më të mirë të këtyre aseteve” – tha Rexhepi.
Ai tutje shtoi se efekti, qoftë pozitiv apo negativ në ekonomi, shkon një kohë e gjatë, sipas tij, shkojnë 6-7 vjet.
“Derisa të ndërrohet krejt legjislacioni, deri të trajnohet stafi, bartja e pasurisë, vlerësimi i pasurisë që është tejet kompleks, derisa të krijohet tregu i kapitalit. S’pres që do të kemi efekte brenda një periudhe të shkurtër” – tha Rexhepi.
Rexhepi ka shprehur edhe rezervat e tij rreth keqpërdorimeve të mundshme duke thënë qe çdo që është në pronësi të shtetit është e rrezikshme të keqpërdoret.
Ai ka thënë se bordi i secilës ndërmarrje do të jetë funksional.
“Mbi bordet e ndërmarrjeve do të jetë bordi ekzekutiv i Fondit Sovran, ndërsa mbi këtë do të jetë bordi mbikëqyrës i bordit të Fondit, që e komplikon procesin e menaxhimit” -tha Rexhepi.
Ai ka përmendur edhe mënyrën e prokurimit.
“Jo vetëm forma të reja të prokurimit por edhe të financave e të auditimit dhe kjo jep mundësi potencialisht të ketë keqpërdorime. Nëse shkohet në aprovim të shpejt pa shqyrtim profesional, do të jetë më shumë një telashe e radhës, e cila rrezikon më shummë për shkak të mungesës së konsensusit që pas një kohe gjithçka të kthehet në vijën fillestare”, tha Rrexhepi
Emanuel Bajra, ideator i Fondit Sovran dhe anëtar i ekipit të ekspertëve të tij ka thënë se fondi është autonom.
Bajra në emisionin “Kallxo Përnime”, shtoi se Qeveria nuk ka të drejtë t’i propozojë Kuvendit të shkarkojë anëtarë të bordit të Fondit Sovran.
“Kuvendi e ka të drejtën ekskluzive të llogaridhënies, por qeveria mund të sugjerojë çdo ditë lloj lloj gjërash, edhe metoda të investimit, politika zhvillimore që ka, e që Fondi duhet t’i marr parasysh. Por nëse Qeveria ka preokupime në performancën e CEO-s së Fondit, Kuvendi është ai që vendos për shkarkim”- tha Bajra.
Bajra ka shtuar se mënyra se si e kanë dizajnuar funksionimin e Fondit, “nuk e lejon të ndërhyjë politika”.
“Mënyra si është dizajnuar Fondi Sovran nuk e lejon ndërhyrjen e politikës. Nëse një CEO që ka pasur performancë të mirë, shkarkohet e nëse investitorët e huaj e kuptojnë këtë se ky shkarkim është bërë për arsye politike, Fondi degradohet sepse ky do të bëhet pjese e fondeve investuese botërore dhe çdo fond e ka notën e vet të performancës”, tha më tej Bajra
Në një intervistë më herët në emisionin “Kallxo Përnime”, Bajra kishte thënë se Fondi Sovran, 80% do të ketë karakter zhvillimor ndërsa 20% do të jetë investues.
https://kallxo.com/lajm/si-do-te-duket-fondi-sovran-i-kosoves/
Profesori i ekonomisë në UP, Sejdi Rexhepi, ka thënë se Fondi nuk ka ndonjë efekt për prurjen e investimeve të huaja
“Fondi do të investoj vet dhe me projektligj, ky Fond do të investoj në kompani private ose do të investoj edhe jashtë pra do të provojë që të fitoj nga këto investime”, tha Rexhepi
Ai ka folur ndër tjerash edhe për kompanitë e mëdha, të cilat do të kenë të drejtën që të licencohen që Fondi të investoj.
“Këtu është një dilemë, cili është kriteri ndonëse janë përcaktuar disa kritere, prap mbesin disa alternativa të hapura pra pse ai mundet e unë nuk mundem, pse Fondi do të investoj në kompaninë ‘X’ dhe jo në kompaninë ‘Y’, kjo hap shumë dilema lidhur me objektivitetin e përzgjedhjes së kompanive ku Fondi do të investoj”, thotë Rrexhepi
Si përzgjidhen ndërmarrjet ‘kampione’?
Mentor Hyseni që është udhëheqës i ekipit në Fondin Sovran ka thënë se në botë janë të themeluara mbi 100 fonde sovrane, të cilat e kanë normën e kthimit, 8.5%.
“Nëse një Fond i tillë me një normë të kthimit mesatar. 8.5%, bëhet në Kosovë, çdo investitorë i jashtëm do të ishte në gjendje me shku me investu nëse përafërsisht e merr këtë normë të kthimit”, thotë Hyseni
Hyseni ka shtuar se që nga shpallja e pavarsisë së vendit, Qeveria ka dhënë rreth 300 milionë euro subvencione për ndërmarrjet publike.
“Deri më tani nuk ka pasur ndonjë përmirsim në këtko ndërmarrje. Shteti zhvillimor nuk e lenë vetën pasiv por dëshiron me marr rol aktiv në orientimin e zhvillimit ekonomik në aspektin sektorial. Këto nuk do të bëhen konkurrencë për sektorin privat”, tha Hyseni
Kompanitë ‘kampion’, përzgjedhen në bazë të kritereve, thotë Hyseni
“Ndërmarrjet prodhuese, të cilat ka për qëllim edhe eksportin, industri që vendi e ka të rëndësishëm”, thotë Hyseni më tej
Ai ka shtuar se shteti investon kryesisht në sektorët që konsideron se janë të rëndësishëm për ekonominë e vendit.
“Qeveria e bën certifikimin e ndërmarrjeve që e fitojnë të drejtën për mu investu prej Fondit”, thotë ai
“Fondi Sovran, pa logjikë ekonomike”
Florin Aliu, njohës financiar dhe profesor në universitetin e Çekisë, idenë e Fondit Sovran e ka quajtur ‘50% parodi’.
Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tha se ky Fond s’ka logjikë ekonomike.
Ndonëse thotë që këtë ide e ka përkrahur në fillim ai ka ndryshuar mendje për konceptin e Fondit Sovran.
“Kjo është një çorbë, s’ka kurrgjë këtu, në fund ky ka me qenë dështim i radhës”, tha Aliu.
Ai ka renditur disa arsye që, sipas tij, ky Fond është i destinuar të dështojë.
“Kur ndërtohen dokumente të tilla, bëhen për një reformë të caktuar, analiza bazë mungon, krejt këto diskutime rreth Fondit janë ‘nëse’, por cili është qëllimi përfundimtar?-Është rritja e performancës së kompanive. Është rasti i Maqedonisë Veriore e cila është futur në bursë ndërkombëtare, me 4 miliardë fitime, ndërsa ne flasim parodi këtu” – tha pos tjerash Aliu.
Aliu thotë se beson që përsëri njerëz të afërt me partinë në pushtet do të jenë të punuësuar edhe në Fondin Sovran.
“Nuk ka kurrfarë dallimi prej qeverive të kaluara, prapë njerëzit e vet do t’i punësojnë, i njëjti funksion” – thotë Aliu.
Ai ka pyetur nëse garanton dikush që këto kompani që do të hyjnë në kuadër të Fondit Sovran do të kthehen në profitabile.
“Mendoj që jo, këqyre gjithë kjo burokraci brenda Fondit ndërsa kjo tregon që s’marrim vesh asgjë për organizimin e dinamikën e ndërmarrjeve. Ky bord zgjidhet në parlament, zotëria thotë se s’ka ndikim Qeveria, nëse s’mund të na mashtroni se marrim vesh prej këtyre sendeve, keni me i qu prapë njerëzit e juaj aty”, – thotë Aliu
Aliu ka thënë se si vend duhet të hapë tregun për kompani të huaja dhe të krijoj bursën e vet.
“Ajo bursë duhet të integrohet brenda bursës ballkanike që është në Shkup, vetëm në këtë mënyrë ne mund të tërheqim kapital të huaj”, thotë Aliu
Mentor Hyseni që është udhëheqës i ekipit në Fondin Sovran, thotë që Aliu flet pa ndonjë koncept ekonomik.
Ai ka folur edhe për Fondin Pensional (Trustin) për të cilin tha se pjesën e painvestume mund t’ia jap Fondit Sovran për investime me një normë të kthimit që do ia siguroj Fondi Sovran.
“Kurrkush s’mund t’ia marr Trustit mjetet e investume, pra në draft ligj thuhet se vetëm pjesa e painvestume. Pra nëse s’ka mjete të painvestume kurrë s’ia merr Fondi Sovran”, thotë ai
Në mars të këtij viti është hartuar një draft i Projektligjit për Fondin Sovran.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Fondi Sovran është projekti më i madh ekonomik që është bërë ndonjëherë në Kosovë.
Ai ka thënë se ky Fond do të rrisë mundësinë e investimeve dhe përmirësojë edhe më shumë menaxhimin e tyre.
“Ndërmarrjet tona publike, të cilat nuk operojnë më me humbje si në të kaluarën, së bashku me 24 mijë asete tjera do barten nga qeveria në Fond, që do të rrisë mundësinë e investimeve dhe përmirësojë edhe më shumë menaxhimin e tyre. Kjo e bën qeverinë më të vogël por shtetin më të fortë e më të pasur, duke na vendosur në hartën e tregjeve botërore financiare”- ka thënë Kurti.
https://kallxo.com/lajm/kurti-fondi-sovran-eshte-projekti-me-i-madh-ekonomik-ne-vend/