Donald Glover në "This is America'

Në prapavijë të Amerikës

Videoja ka nxitur shkrimin e shumë artikujve, eseve kritike e opinioneve politike duke e marrë vëmendjen mediale edhe me artikuj e televizione.

Vetë video, për gati tri javë ka arritur një numër prej gati 200 milionë shikimesh në Youtube.

Kënga fillon me pamjen e një objekti të stërmadh, një depo e zbrazët e në prapavijë dëgjohet një këngë gospel, këngë korale kishtare. Më pas shfaqet një burrë i ulur në karrige duke luajtur në kitarë. Në këmbë shihet Childish Gambino i cili të fillon të kërcejë pasi që ritmi shpejtohet.

Teksti që dëgjohet është një refren i shpeshtë i muzikës së popullarizuar, “We just wanna party” (veç po dojmë me festu), që më vonë kthehet në “we just want the money” (veç paret pi dojmë).

Vallëzimi i tij është i shumëllojshëm duke dhe gjatë fillimit bëhet me butësi. Me gjithë këtë butësi, fytyra e artistit referencon  grimasa të një karikature të vjetër, ikonë e racizmit amerikan. Mbi veturë, Childish Gambino vallëzon duke referencuar personazhin Jim Crow, të luajtur nga aktori i bardhë Thomas Rice me fytyrë të lyer me ngjyrë të zezë, në vitin 1828. Themeluesi i Muzeut të Jim Crow në Miçigan, David Pilgrim, ka thënë për Huffington Post se vallëzimi i Glover gjatë videos përfshin edhe vallëzim të ngjashëm me Jim Crow por edhe me vallëzimin popullor të zi të asaj kohe.

Ndërkaq, muzika ndryshon kur Glover e shkrep revolen në kokën e kitaristit. Menjëherë pas kësaj, Glover thotë, “Kjo është Amerika”. Në këtë pikë fillon zhanri trap dhe pas pak edhe vallëzimi me një grup adoleshentësh. Në njërin krah të Glover, një adoleshent e merr revolen e tij me një leckë të kuqe e në krahun tjetër trupin e të vrarit e tërheqin zvarrë dy të tjerë.

Që nga ky moment i videos aktivizohet prapavija. Kjo prapavijë bëhet aq “e gjallë” saqë duket sikur ajo është më e rëndësishme sesa këngëtari i cili fillon të vallëzojë me një grupi me djem e vajza adoleshente. Disa të rinj vrapojnë, duke u ndjekur nga dikush, ndërsa duket edhe një veturë me të rinj tundin kokat me ritmin e këngës. Këto pamje bashkë me basin e rënduar e paralajmërojnë përshkallëzimin e situatës. Ato janë paralajmërim i dhunës, zjarrit e trazirës por edhe paralajmërim i pranisë së policisë.

Shumë gazeta kanë shkruar për kontrastin e vallëzimit në njërën anë dhe dhunës në anën tjetër. Po ashtu shumë prej tyre, e kanë përshkruar për këtë kontrast si njëfarë shpërqendrimi, siç ka bërë The Washington Post.

“Kontrasti i kulturës afro-amerikane është i qartë: dhuna dhe kaosi mbulohen me vallëzim e muzikë”, shkruhet ndër të tjera në një artikull të kësaj gazete.

Ndërkaq kjo prapavijë përsëri suspendohet në tërësi pasi Childish Gambino e bën vrasjen e dytë.

Kori i kishës shihet duke kënduar përsëri për parasë “Gjyshja (më) thoshte: burrë i zi, merri paratë e tua”. Këngëtari e vret këtë kor me kallashnikov dhe ia jep armën përsëri një djali që e mban armën me leckë. Kjo pjesë mendohet se është rikujtim i skenës së 17 qershorit 2015 kur terroristi i bardhë Dylann Roof i vrau 9 të zinj gjatë meshimit në një kishë në kryeqytetin e Karolinës së Jugut, Çarlston.

Artrit Bytyçi, kritik i artit dhe përkthyes i eseistit të madh afro-amerian, James Baldwin, ka thënë se skenat e vrasjeve e paraqesin problemin e armëve në Amerikë.

“Është problemi i dhunës me armë të zjarrit në Amerikë që janë të lejuara me ligj, çdokush ka të drejtë të mbajë armë dhe e ka në Kushtetutë, në amendamentin e dytë, të drejtën për të mbajtur armë. E mundësia për të pasur armë e rrit edhe numrin e vrasjeve me armë”, shprehet Bytyçi.

Nita Luci, ligjëruese e Antropologjisë Kulturore në Universitetin e Prishtinës, i sheh pamjet e videos si pjesë të një diskutimit që është nxitur nga Black Lives Matter (Jetët e të Zinjve kanë Rëndësi), lëvizjes shoqërore amerikane që e pohon vlerën e jetës së afro-amerikanëve dhe që ka buruar si kundërshtim ndaj vrasjeve të popullsisë afro-amerikane.

“Dhuna që është parë vitet e fundit dhe vrasja e vazhdueshme… Për një kohë shumë të gjatë ndoshta ka qenë më pak e dukshme, por kur ka ndodhur në mënyrën siç ka ndodhur dhe mungesa e çfarëdo lloj dënimi për policët të vrasjeve që i kanë bërë”, shprehet profesoresha Luci.

Sipas the Guardian, në vitin 2017, meshkujt e zinj 15-35 vjeçarë kanë qenë 9 herë më të rrezikuar për t’u qëlluar me armë nga policia amerikane.

Po ashtu, skena e fundit e këngës, ku Glover vrapon pasi që ndiqet nga një grup të bardhësh, është e ngjashme me një skenë të filmit “Get Out”. Filmi horror e paraqet përvojën e një burri të zi, Chris, i cili e viziton për herë të parë familjen e të dashurës së tij të bardhë, Rose. Në skenën e marrë nga filmi, Chris është në gjende hipnoze dhe e sheh veten duke vrapuar, me frikën që prindërit e Rose do t’ia shpërlajnë trurin ashtu siç kishin bërë me të personat e zinj që i shërbejnë atyre.

Minstrel – performimi i “qenies së zezë”

Luci e ka shpjeguar konceptimin e praktikës së asaj që njihet si minstrel.

“Ajo nënkupton se në momentin kur lyhesh me të zezë, mund ta performosh tjetrin, mund ta përvetësosh dhe ta minimizosh atë përvojë dhe ta bësh [shndërrosh të ziun në] njëfarë lloj personazhi komik… Edhe përvojën që është e dhunshme e raciste [në këtë mënyrë] e shndërron në komedi”, shprehet ajo.

Sipas Lucit në minstrel performohet “ajo që sipas popullatës së bardhë të kohës ka qenë ‘qenia e zezë’”.

“Mund të analizohet edhe si njëfarë distancimi: unë si i bardhë nuk mund ta performoj këtë sepse është jashtë natyrës sime por kur unë e mvesh atë dukje. Kur identitetin e vendos në rrafshin e ngjyrës së lëkurës e natyralizon identitetin dhe thua se ky identitet është produkt i një natyre tjetër. E si produkt i dy natyrave të ndryshme i bën të bardhin e të ziun të jenë natyra të ndryshme”, shpjegon ajo duke folur për praktikën raciste.

“Tjetra është që kur ti mvesh diçka tjetër ty të lejohet të performosh diçka që nuk lejohet te të bardhët. Por, mendoj se çfarë bën minstrelsy është që e natyralizon identitetin dhe e sheh si shprehje të natyrshme identitetin dhe kulturën”, shton Luci.

Ndërkaq, ajo thotë se përveç kujtimit të një reference të racizmit, Glover e ka bërë edhe një kritikë të artit të popullarizuar të zi amerikan.

Ai nuk po performon diçka të tillë por po thotë që arti mainstream i të zinjve është gati se njëfarë minstrelsy.

Nita Luci kujtoi se minstrel nuk është i panjohur për skenën teatrale shqip-folëse, ku shqiptarët kanë luajtur me reprezentimin e të zinjve dhe paradoksalisht, kanë qenë edhe vetë të racializuar.

“Edhe pse nuk është paralele që nuk do të doja ta bëja po e kujtoj emisionin “Portokalli” ku ka minstrel. Ku një nga aktorët e lyen fytyrën me të zezë e vendos një afro-paruke dhe e luan të ziun”, shton ajo duke aluduar në karakterin e Drumba-së në emisionin e Top Channel.

Veç tjerash, Luci shprehet se paralele të paraqitjes raciste ka edhe në kulturën e popullarizuar të viteve të 80-ta në Jugosllavi me paraqitjen e grupit rok-folk Rokeri s Moravu.

Ndërkaq, përderisa trupi i zi, sipas saj, është i hiperseksualizuar në Amerikë, duke e përfshirë edhe muzikën mainstream, e kundërta ka qenë te grupi jugosllav.

“Por problemi që ka qenë shumë më i madh ka qenë përfaqësimi i shqiptarit. Imazhi i shqiptarit në atë grup ka qenë një burrë, trupshkurtër, me plis, me setër me mëngë të gjata i cili nuk ka ditur mirë të flasë serbisht”, u shpreh Luci.

Sipas Lucit, shqiptari është paraqitur si primitiv, fëmijëruar dhe i zhburrëruar.

Sipas Artrit Bytyçit, Childish Gambino e ka përdorur stereotipin e të ziut si argëtues për të dhënë një deklaratë politike.

“Atë me të cilën identifikohen si stereotip, e ka marrë e ka përvetësuar dhe e ka përdorur për të bërë kritikë shoqërore. Kjo video e bën njëfarë komenti, një kritikë të personit të zi si argëtues, qoftë ai person i filmit, i muzikës, qoftë i sporteve”, ka thënë Bytyçi.

“Childish Gambino e merr karikaturë, e Jim Crow, e personit të zi, si argëtues dhe që bën argëtim për të tjerët nuk po bën art për ta çliruar veten nga kushtet që i ka trashëguar që nga skllavëria. Një palaço i zi, që ne jemi këtu për t’iu kënaqur se mënyra e vetme për të bërë para e pasuri është përmes këtyre profesioneve”, shton ai.

Po ashtu, sipas Bytyçit, artisti e ka kthyer përmbys simbolin e nënshtrimit, ka komentuar në të, e ka modifikuar në mënyrë artistike, dhe, sipas tij, e ka kthyer atë simbol përmbys dhe e ka shndërruar në “simbol të emancipimit, diturisë, çlirimit dhe krijimit të vetëdijes për komunitetin e tij por edhe për të bardhët”.

Kritiku po ashtu tha se kënga përmban mesazh edhe për popullatën afro-amerikane dhe atë të bardhë në Amerikë.

“Mendoj se kjo video e bën një thirrje, pra, ne, personave e zinj: jemi më shumë se argëtues për të tjerët, ish-skllavopronarët tanë dhe të tjerët dhe jemi përtej asaj. E përveç kësaj nuk jemi veç trupa që mund t’i shohësh, të kënaqesh [kur i shikon] duke kërcyer, vallëzojnë apo performojnë sporte dhe të cilët me kallash mund t’i vrasësh, por jemi diçka përtej”, u shpreh Bytyçi.