Në grevë e pa Program të miratuar, Teatri Kombëtar e nis vitin me skenë të heshtur

Në grevë dhe pa Program të miratuar Teatri Kombëtar i Kosovës (TKK) e ka nisur vitin 2025.

Më 18.11.2024 Shoqata Sindikale e Artistëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës (SHSATKK) ka nisur një grevë me kërkesa për rritje të koeficientëve të pagave të punëtorëve të këtij Teatri.

Greva ka bllokuar dhënien e shfaqjeve, duke bërë që të anulohet edhe Edicioni i tretë i Festivalit Mbarëkombëtar të Dramës “Moisiu”, i cili ishte planifikuar të mbahet nga 20 deri më 27.11.2024, në TKK në Prishtinë.

Që nga dita e fillimit të grevës, më 18.11.2024 e deri në fund të vitit 2024, Këshilli grevist i SHSATKK-së dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) nuk ka arritur të gjejnë ndonjë rrugëdalje nga greva.

Grevistët e TKK-së kanë mbajtur edhe disa aksione sindikale para dhe gjatë grevës. Grevistët janë të vendosur për vazhdimin e grevës, deri në një sinjal nga MKRS-ja për plotësim të kërkesave të tyre: rritjen e pagave.

Pritja e përgjigjes

Aktori i TKK-së, Ardian Morina, nga Këshilli grevist ka thënë për KALLXO.com. se nuk kanë ndonjë shenjë nga MKRS lidhur me kërkesat e tyre. Ai ka shtuar se kërkesat e tyre për ekuivalentimin e koeficientëve të pagave për  punëtorët-aktorët e TKK-së nuk janë marrë seriozisht nga MKRS – pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme që nga miratimi i Ligjit të Pagave.

“Komunikim direkt nuk është që kemi, gjithashtu edhe me ndërmjetësin, që ne e kemi angazhuar qysh para fillimit të grevës, nuk është se ka pasur ndonjë kontakt, përveç që e ka kontaktuar sekretari i MKRS-së dhe ndërmjetësi ia ka shpjeguar procedurat e ndërmjetësimit. Dhe, ai (Sekretari) ka mbetur ta informojë Ministrin dhe me pa se cilat janë procedurat e mëtejme – nëse ajo (MKRS) do të vazhdojë komunikimin me ndërmjetësin për kërkesat që tashmë i kemi ngritur qe më shumë se 45 ditë. Kjo është çfarë kemi nga ana e MKRS, jo diçka më tepër.” – ka thënë Morina.

Morina ka thënë se asnjëherë  nuk kanë marrë ndonjë zotim nga MKRS – lidhur me afatet për realizmin e kërkesave të tyre. Kjo, sipas tij, ka bërë që MKRS të duket joserioze edhe kur thotë se është duke punuar për realizmin e kërkesave të tyre.

“Asnjëherë të vetme ne nuk kemi kërkuar që puna të kryhet sot për sot (rritja e pagave), por të paktën të kemi një zotim publik prej MKRS-së për punë që janë të thirrur me kry. Sepse, vërtet ka degraduar pozita e artistit (aktorit) në TKK në raport me atë të aktorëve të teatrove në rajon.” – ka thënë ai, duke lënë të kuptohet se greva do të  vazhdojë deri në realizmin e kërkesave të tyre.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në edhe në adresë të  MKRS-së – lidhur me hapat që po bën për plotësimin e kërkesave të grevistëve të TKK-së, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e artikullit.

Heshtja e skenës

Në anën tjetër, Kushtrim Mehmeti, udhëheqës artistik (UA) në TKK ka thënë për KALLXO.com se greva e aktorëve të TKK-së ka bllokuar repertorin e teatrit.

Por si menaxhment, ka thënë ai, janë në kontakt të vazhdueshëm me grevistët, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për vazhdimin e aktiviteteve artistike në teatër.

Përveç se në grevë, TKK-ja ende nuk ka një projekt-program të miratuar për 2025.

Mehmeti ka thënë për KALLXO.com se Plani dhe diskutimet për repertorin e vitit 2025 janë në fazën e fundit dhe, siç ka thënë ai, brenda gjysmës së parë të këtij muaji (janar 2025) pritet miratimi i Programit vjetor.

“Për më tepër, kemi ideuar që viti 2025 të shpallet ‘Viti i Grave’ – duke përfshirë vetëm regjisore gra dhe jemi duke shqyrtuar mundësitë për ta realizuar këtë ide.” – ka shtuar Mehmeti.

Kërkesa e aktorëve dhe Ligji i Pagave

Pas disa aksioneve sindikale, SHSATKK nisi më 18.11.2024 një grevë, duke bllokuar dhënien e  shfaqjeve në TKK.

Kërkesat e grevistëve janë për rishikimin dhe rritjen e koeficientëve të pagave për punëtorët – aktorët e TKK-së.

“Arsyeja për mbajtjen e grevës: mosrealizimi i kërkesës për përmirësimin, ngritjen e koeficientëve pas degradimit që i është bërë Ansamblit Rezident nga Ligji i Pagave.” – thuhet në Vendimin e SHSATKK për mbajtjen e grevës.

Sipas Ligjit për Paga në Sektorin Publik, krijuesit dhe performuesit e kulturës e artit, ku përfshihen edhe aktorët e Ansamblit Rezident të TKK-së, janë të ranguar në tetë klasa.

Në Shtojcën nr. 12 të Ligjit për Paga është dhënë edhe Tabela me koeficientët e pagave për krijuesit dhe performuesit e artit në Sektorin publik.

Pas paralajmërimeve të shumta, më 16.09.2024, SHSATKK nisi një aksion sindikal paralajmërues me kërkesë për rishikimin dhe rritjen e koeficientëve të pagave për aktorët e Trupës Rezidente dhe të punëtorëve të tjerë të TKK-së.

Së pari, duke filluar provat me 10 minuta vonesë, më 16.09.2024. Hapin e radhës lidhur me këtë kërkesë SHSATKK e mori më 14.10.2024, me shtyrjen për një orë të dhënies së shfaqjes “1984” në kuadër të Festivalit “Skupi International Theatre Festival 2024”, në Shkup, që nisi Edicionin me shfaqjen e TKK-së. Ndërsa, më  01.11.2024, SHSATKK e shtyu për 15 ditë grevën e përgjithshme në TKK.

Më 15.11.2024 SHSATKK mori vendim për futjen në grevë dhe nga 18 nëntori 2024 skena e TKK-së është “kapluar” nga heshtja për shkak të grevës.