Ndryshimi i qëndrimit të Serbisë për Kosovën ndër vite

Pas deklaratës së famshme të njeriut të fortë të ish-Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ndaj serbëve në Kosovë – se “Askush nuk ka të drejtë t’ju rrahë juve”, te presidenti aktual serb, Aleksandar Vuçiq duke thënë: “Nëse ne nuk mund ta zgjidhim atë, [çështjen e Kosovës], kush do ta bëj”, ndërsa është ulur pranë Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, toni i Serbisë mbi Kosovën ka ndryshuar me kalimin e kohës.

“Tani po përpiqemi të bëjmë diçka që është me rëndësi të madhe për të ardhmen tonë, gjë që është shumë e rëndësishme edhe për shqiptarët. Ne duhet të jetojmë së bashku, ne jemi popujt më të mëdhenj në Ballkan. Nëse nuk mund ta zgjidhim, kush do ta bëj?”, tha Vuçiq më 26 gusht, duke qëndruar pranë presidentit Thaçi në një forum politik në Austri.

Ndërsa Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008, dhe që atëherë është njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të BE-së, Serbia ende këmbëngul që provinca e saj e mëparshme mbetet pjesë e territorit të saj.

Tre dekada më parë, serbët dëgjuan një retorikë të ndryshme nga ajo e Vuçiqit për Kosovën, që rezultoi në zgjedhjen e një “konflikti të ngrirë” mbi një zgjidhje diplomatike, dhe mbështetjen e veprimeve ushtarake të Serbisë në rast se Kosova i dërgon forcat e saj në veriun kryesisht serb të Kosovës, duke iu referuar sondazhit të muajit qershor nga ‘Factor plus’.

Kosova është përdorur prej kohësh për të rritur nacionalizmin e Serbisë dhe për të provuar patriotizmin popullor.

“Kosova është zemra e Serbisë” është një fjali që ende përdoret nga ana e krahut të djathtë dhe pro-ruse e shoqërisë serbe.

Shqiptarët e Kosovës “po jetojnë në këtë vend. Ata nuk mund të marrin pjesë nga territori i saj dhe ta kthejnë atë në shtet të pavarur”, tha Millosheviqi në një intervistë për ‘KHOU-TV Houston’ në vitin 1999.

Millosheviqi u ngrit në vitin 1987 në lidhje me çështjen e Kosovës. Pothuajse brenda natës, ai u bë zëdhënësi i njohur për interesat nacionaliste serbe në Federatën e atëhershme jugosllave, pasi pretendoi se serbët në Kosovë ishin të shtypur dhe madje u rrahën nga shumica e shqiptarëve të Kosovës.

“Që tani e tutje askush nuk ka të drejtë t’ju rrahë juve”, tha ai në një fjalim të famshëm në Kosovë, pas dëgjimit të ankesave të pakicës serbe që jetonte atje, në prill të vitit 1987.

Kundërshtarët e Millosheviqit e akuzuan atë për nxitjen e nacionalizmit serb në një përpjekje për të krijuar një “Serbi të Madhe” nga rrënojat e Jugosllavisë, ndërkohë që grupi i mbështetësve të tij këmbënguli që ai dëshironte vetëm të ruante Jugosllavinë nga separatistët.

Një valë tjetër e nacionalizmit goditi në vitin 1998, kur konflikti në Kosovë u intensifikua dhe mes tyre raportet e mizorive të kryera nga forcat paraushtarake serbe kundër luftëtarëve të pavarësisë dhe civilëve të Kosovës.

Pasi NATO bombardoi pozicionet serbe prej disa javësh, Millosheviqi u detyrua të ndalë operacionet e tij ushtarake, të tërhiqet nga Kosova dhe të lejojë forcat e NATO-s të marrin kontrollin, pasi avionët e NATO-s kishin bombarduar Jugosllavinë për 78 ditë në vitin 1999.

Prandaj, ai u mposht në Kosovë, e njëjta çështje që e kishte sjellë në pushtet.

Pasardhësi i tij, kryeministri i ri pro-perëndimor i Serbisë, Zoran Gjingjiq, kishte një mendim të ndryshëm dhe këmbënguli që çështja e Kosovës duhej të zgjidhej sa më parë.

“Kosova është një rrezik për shtetësinë e Serbisë, plagë përmes së cilës mund të humbet pika e fundit e gjakut. Ne duhet ta mbyllim atë në një farë mënyre. Maksimalisht e favorshme për ne, por me kompromis me anën tjetër, me shqiptarët që jetojnë në Kosovë”, tha Gjingjiq në vitin 2003, vit në të cilin një plumb e la të vdekur.

Gjingjiq u qëllua për vdekje para ndërtesës së zyrës së qeverisë në Beograd më 12 mars të atij viti nga Zvezdan Jovanoviq, një anëtar i klanit kriminal Zemun. Jovanoviq u burgos për vrasjen për 40 vjet në maj të vitit 2007.

Gjingjiq besonte se pa zgjidhjen e çështjes së Kosovës, Serbia nuk kishte perspektiva ose mundësi evropiane për të zgjidhur problemet e saj të rënda ekonomike.

“Ideja ime e parë është federalizimi në të cilin serbët janë një popull konstitutiv i cili do të ketë institucionet e veta brenda institucioneve të përbashkëta. Ne, si Serbi, do t’i japim kohë që Kosova të bëhet e aftë nëse mundet. Nëse nuk mundet, le të vazhdojmë përpara”, tha ai në intervistën e tij të fundit.

Gjingjiq shtoi se ndërsa Kosova ishte një temë e diskutueshme dhe një temë “e nxehtë”, “liderët duhet të hapin tema të tilla dhe të mos largohen nga publiku por të përpallen me problemet. Kosova është një problem dhe nuk mund t’i mbyllim sytë para realitetit”, paralajmëroi ai.

Megjithatë, kryeministri i ardhshëm serb kishte pikëpamje shumë të ndryshme.

“Kosova i takon Serbisë dhe popullit serb … nuk ka kërcënim apo dënim që është mjaft i fortë për Serbinë të heqë dorë nga Kosova”, tha nacionalisti konservator, Vojislav Koshtunica në një protestë masive në Beograd kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

“Kombi serb nuk do ta harrojë kurrë mbështetjen parimore të presidentit të Rusisë … dhe të të gjitha vendeve që janë kundër marrjes së Kosovës”, shtoi ai, ndërsa turma e mbështetëse duke bërtitur, “Nuk do të heqim dorë nga Kosova”.

Duke iu referuar Kosovës së pavarur si një vend “i rremë”, kryeministri shtoi se “flamuri është i rremë, ligjet janë të rreme, kufijtë, gjeografia, gjithçka duhet të jetë e rreme”.

Koshtunica ngeci në këtë qëndrim të vështirë deri në pensionimin e tij politik, me Partinë e tij nacionaliste Demokratike të Serbisë, DSS, ende duke kundërshtuar që Serbia të ishte pjesë e “dialogut” me BE-në dhe Prishtinën.

Një vit pas ngjarjes “Kosova është Serbi”, më 17 shkurt 2009, presidenti serb Boris Tadiq ndërkohë deklaroi se Kosova nuk ishte “një shtet i pavarur” në një intervistë me AFP.

“Për Serbinë, 17 shkurti [2008] ishte një ditë kur autoritetet në Prishtinë shpallën pavarësinë e Kosovës në mënyrë të paligjshme, bazuar në të drejtën ndërkombëtare”, tha Tadiq.

“Një vit më vonë, është e qartë për të gjithë ata që dëshirojnë të shohin situatën reale në Kosovë se nuk është një shtet”, shtoi ai, duke këmbëngulur se statusi i saj si një shtet i dështuar ishte i dukshëm, veçanërisht në çështjen e të drejtave të njeriut.

Në nëntor 2011, Tadiq refuzoi të nënshkruajë një deklaratë që bën thirrje për ndryshime në politikën e Serbisë ndaj Kosovës.

Partia Liberal Demokratike e opozitës, LDP dhe Lëvizja për Ringjalljen Serbe, SPO, me mbështetjen e OJQ-ve dhe personave të shquar publikë, kishin hartuar një dokument që thotë se Serbia duhet të kthehet në tryezën e negociatave me Kosovën nëse dëshiron të bashkohet me BE-në. Aty nënvizohej se Europa ishte “i vetmi far i pranueshëm” për shoqërinë në vështirësi të Serbisë.

Por Tadiq tha se nuk mund ta nënshkruante, pasi do të thoshte të heqësh dorë nga interesa kyçe kombëtare.

“Një vend që heq dorë nga interesat e tij legjitime njihet lehtë nga fuqitë e mëdha si një vend që lehtë mund të vendosë kushte të reja dhe e humb kredibilitetin”, tha Tadiq.

Pasardhësit e Tadiq në pushtet, Partia Progresiste Serbe, megjithatë kanë ndryshuar mendimin e tyre që nga ajo kohë.

“Politika e qeverisë së re [progresive] nuk do ta njohë Kosovën”, tha Aleksandar Vuçiq në korrik të vitit 2012, pasi partia e tij fitoi zgjedhjet e përgjithshme në Serbi në maj të atij viti.

Një vit pasi partia mori pushtetin, Serbia dhe Kosova nënshkruan Marrëveshjen e Brukselit, megjithatë, duke miratuar një draft marrëveshje 15 pikëshe mbi normalizimin e marrëdhënieve më 17 prill të vitit 2013.

Teksti i marrëveshjes u nënshkrua nga të dy kryeministrat.

Në zhvillimin e fundit, presidenti Vuçiq ka njoftuar se do të vizitojë Kosovën më 9 shtator për të paraqitur “udhëzimet dhe drejtimet më të reja të politikës shtetërore ndaj Kosovës”.

Pa thënë më shumë, ai kërkoi nga ndjekësit e tij serbë të tregonin “shumë më tepër tolerancë” ndaj një marrëveshjeje të mundshme, të cilën disa besojnë se mund të përfshijë shkëmbime territoriale, si dhe njohje.