Murat Mehmeti në Emisionin "Jeta në Kosovë" - Foto: KALLXO.com

Ndryshimet ligjore që synojnë mbrojtjen e “Murat Mehmetëve”

Ishte nëntori i vitit 2016 kur inspektori Murat Mehmeti në “Emisionin Jeta në Kosovë” rrëfeu se për dyshimet brenda Administratës Tatimore të Kosovës me anë të skemave të kompanive fiktive ishin shkaktuar dëme milionëshe buxhetit të Republikës së Kosovës.

Murat Mehmeti nga ajo kohë mori epitetin e kallxuesit, apo atij që tregon apo shpalos për një keqbërje potenciale në kontekst të punës së tij. Megjithatë, peripecitë nëpër të cilat kaloi ai nuk ishin të pakta e të lehta e legjislacioni në zbatim linte shumë hapësirë që Murat Mehmeti të cenohej.

Ligji për Mbrojtjen e Informatorëve, ligj ky në fuqi, ka probleme thelbësore dhe këto probleme fillojnë që me emrin e tij që për shkak të ngjyrimeve me të kaluarën me ata që bashkëpunonin me sistemin pushtues në Kosovë, i shmangeshin, ka probleme thelbësore me procedurën e sinjalizimit, esencialisht nuk e njeh e jashtëm, mbrojtja e sinjalizuesve praktikisht është nule ndërsa ndoshta më e rëndësishmja, sanksionet për ata që shkelin të drejtat e sinjalizuesve nuk janë paraparë.

Të gjitha këto probleme, praktikisht bënë që ligji prej gjithsej 4  faqeve e 11 neneve të ishte i pazbatueshëm dhe praktikisht i kotë.

Iniciativa e Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës e kjo edhe në bazë të kërkesave të vazhdueshme të raporteve ndërkombëtare duke përfshi edhe Raportin e Progresit, përfundimisht u finalizuan më 12 qershor të këtij viti, kur Qeveria e Kosovës e miratoi këtë projektligj duke i dhënë rrugën për në Kuvendin e Kosovës.

Nga ky i fundit, pritet që brenda një afati sa më të shpejtë ta procedojë e në veçanti mos ta cungojë por eventualisht ta përforcojë pozitën e atyre që në KALLXO i quajmë kallxues e ligji i njeh për sinjalizues.

Risitë e projektligjit të ri  që evitojnë mangësitë e vjetra

Projektligji i ri që mbron ata që tregojnë për problemet në kontekst të marrëdhënies së punës së tyre është qartazi më kuptimplotë, më përmbajtësor dhe shumë më i avancuar se ligji aktual.

Kjo plotësi fillon që nga emri i projektligjit që është quajtur si Projektligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.

Megjithëse vlerësojmë se gjuhësisht më korrekte do të ishte të quhej Projektligji për Kallxuesit, është ndryshim pozitiv krahasuar me ligjin aktual.

“Ky ligj përcakton rregullat për sinjalizimin, procedurën e sinjalizimit, të drejtat e sinjalizuesve dhe detyrimet e institucioneve publike dhe subjekteve private në lidhje me sinjalizimin”, është formulimi që shpjegon qëllimin e këtij projektligji nga ku shihet se synohet qartazi që sinjalizuesve përpos që tu shtrohet rruga për të sinjalizuar, gjithashtu edhe të përcaktohet të drejtat e sinjalizuesve në një anë dhe obligimet e institucionit në anën tjetër.

“Çdo person i cili raporton ose shpalos informacione për një kërcënim ose cenim të interesit publik në kontekstin e marrëdhënies së vet të punës në sektorin publik ose privat”, është përkufizimi i sinjalizuesit me projektligjin e ri e që krahasuar me ligjin aktual i ofron strehë shumë më të gjerë sinjalizuesve.

Prej prurjeve më të rëndësishme që sjell ky projektligj janë edhe ato që përcaktohen në nenin 5 të projektligjit: “Çdo veprim ose mosveprim që synon ose rezulton në pengimin e raportimit apo shpalosjes në interes publik është i pavlefshëm”.

Pra, me projektligjin e propozuar, që në start, pavlefshmëria është epilogu i veprimi që synon pengimin e sinjalizuesit, megjithatë, kjo pavlefshmëri deklarative dhe rruga për materializimin e saj mund dhe duhet të konkretizohen edhe më tej.

Po kaq i rëndësishme është edhe paragrafi pasues i këtij neni që të pavlefshëm e shpall edhe çfarëdo marrëveshje që synon të pengojë apo kufizojë sinjalizimin.

Projektligji i ri po ashtu garanton të drejtat e sinjalizuesit duke filluar nga identiteti i tij, ruajtjen e fshehtësisë së informacionit të tij, dhe mbrojtjen nga veprimet e dëmshme. Kjo mbrojtje parashihet gjatë dhe pas periudhës së sinjalizimit dhe madje edhe pas përfundimit të marrëdhënies së punës me punëdhënësin.

Mbrojtja përpos sinjalizuesit shtrihet edhe te personat e afërm me sinjalizuesin të cilët gëzojnë mbrojtje të njëjtë sikur sinjalizuesi me kusht që të provojnë se veprimi i dëmshëm është ndërmarrë për shkak të lidhjeve të tij me sinjalizuesin.

Ndonëse ky përcaktim është një zhvillim shumë pozitiv dhe i mirëpritur, BIRN vlerëson që barra e provës së personit të afërm me sinjalizuesin duhet të zhvendoset nga personi i afërm me sinjalizuesin, tek institucioni apo personi që pretendohet se e ka shkaktuar veprimin e dëmshëm ndaj personit të afërm me sinjalizuesin.

Për ta gëzuar mbrojtjen e ofruar nga projektligji, patjetër se duhet që sinjalizuesi, sinjalizimin ta bëjë në përputhje me dispozitat e projektligjit.

Për dallim nga ligji aktual, Projektligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve ka paraparë decidivisht llojet dhe procedurën që duhet ndjekur për sinjalizimin.

“Sinjalizimi mund të jetë i brendshëm, i jashtëm dhe publik. Raportimi i informacionit te punëdhënësi konsiderohet si sinjalizim i brendshëm. Raportimi i informacionit tek autoriteti kompetent konsiderohet si sinjalizim i jashtëm.  Shpalosja e informacionit në media, tek organizatat joqeveritare, përmes internetit në një mbledhje publike, ose në ndonjë mënyrë tjetër që e bën informacionin publik konsiderohet si sinjalizim publik”, përcakton neni 12 i projektligjit ndërsa sinjalizimi mund të kryhet me shkrim, me postë apo e-mail si dhe gojarisht.

Përpos përcaktimit të llojeve të sinjalizimit, shumë më e rëndësishme është edhe përcaktimi i afateve që duhen ndjekur për të realizuar sinjalizimin.

15 ditë nga pranimi i sinjalizimit është afati brenda të cilit, punëdhënësi e njofton sinjalizuesin për pranimin apo refuzimin e sinjalizimit ndërsa brenda 45 ditëve (me mundësi për zgjatje edhe për 45 ditë të tjera), hetimi administrativ në lidhje me sinjalizimin duhet të përfundojë.

Nëse në përfundim të procesit të hetimit administrativ të sinjalizimit nga punëdhënësi, rezulton se veprimi ose praktika e dyshuar e sinjalizuar përbën ose mund të përbëjë një shkelje ligjore sipas ligjit, punëdhënësi vë në dijeni organin kompetent.

Risi dhe mësim nga e kaluara është fakti se  me projektligjin e ri punëdhënësi publik i cili ka më shumë se tridhjetë (30) të punësuar, dhe punëdhënësi privat, i cili ka më shumë se pesëdhjetë (50) të punësuar janë të obliguar të caktojnë zyrtarin përgjegjës për rastet e sinjalizimit.

Me përfundim të sinjalizimit të brendshëm projektligji ka paraparë edhe sinjalizimin e jashtëm.

“Sinjalizuesi mund të bëjë sinjalizim të jashtëm pasi ka kryer sinjalizimin e brendshëm apo drejtpërdrejtë sinjalizim të jashtëm, në rastet kur: sinjalizimi ka të bëjë me drejtuesin e punëdhënësit, sinjalizimi ka karakter urgjent që ndërlidhet me një rrezik të rëndë dhe të menjëhershëm ose dëme të pakthyeshme;  a dyshime të arsyeshme se mund të ndërmerren veprime të dëmshme ndaj sinjalizuesit, provat mund të fshihen ose asgjësohen nëse ky do të kryente sinjalizim të brendshëm, si dhe  kur sinjalizuesi ka dyshime të arsyeshme se procedurat e brendshme të sinjalizimit nuk janë efektive”, përcaktohet në nenin 17 të projektligjit.

Sinjalizimi i jashtëm për institucionet publike iniciohet me raportin e rastit te Agjencia Kundër Korrupsion e cila në rastet kur nuk ka kompetencë e përcjell tek organi kompetent.

Përveç rasteve të sinjalizimit të brendshëm dhe të jashtëm, sinjalizuesi mund të bëjë edhe sinjalizim publik, në rastet kur në kohën kur sinjalizuesi që bën shpalosjen, me arsye beson se ai do t’i nënshtrohet ndëshkimit nëse bën raportim të brendshëm apo të jashtëm, kur sinjalizuesi me arsye beson se ka gjasa që dëshmitë në lidhje me veprimet e dëmshme përkatëse do të fshihen ose do të shkatërrohen nëse sinjalizuesi bën raportim të brendshëm apo të jashtëm.

Sinjalizimi publik mund të bëhet në rast të kërcënimit të menjëhershëm për jetën, shëndetin publik, sigurinë, mjedisin, apo kur shkaktohen dëme në shkallë të gjerë apo të pariparueshme apo në rastet kur autoritetet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë veprimet përkatëse në lidhje me sinjalizimin brenda afatit prej gjashtë muaj nga momenti i raportimit të informacionit të sinjalizuar.

Sinjalizuesi mbrohet nga çdo veprim i dëmshëm i marrë ndaj tij nga punëdhënësi ose personi që vepron në emër të punëdhënësit për shkak të sinjalizimit në pajtim me dispozitat e këtij ligji, duke përfshirë por pa u kufizuar në shkarkimin nga puna, pezullimin nga puna ose të një ose më shumë detyrave,  transferimin brenda ose jashtë institucionit publik ose subjektit privat pa pëlqimin e tij, uljen në pozitë,  zvogëlimin e pagesës, humbjen e statusit dhe privilegjeve, mosngritjen në pozitë, heqjen e të drejtës për të marrë pjesë në trajnime, vlerësime negative në marrëdhënien e punës, anulimin e një licence ose leje, përfundimin e një kontrate për mallra apo shërbime, veprime të tjera të dëmshme në lidhje me marrëdhënien e punës.

Çdo veprim që bie ndesh me përcaktimet më lart është i pavlefshëm ndërsa nëse ka pësuar dëm, sinjalizuesi mund të kërkojë dëmshpërblim nga gjykata.

Mbrojtja gjyqësore është ndoshta segmenti më jetik i këtij projektligji. Çdo sinjalizues që pretendon se ka pësuar nga veprimi i dëmshëm për shkak të sinjalizimit, jo më vonë se 3 vjet nga koha kur është marrë veprimi i dëmshëm, ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës.

Në çdo rast si rrjedhojë e sinjalizimit në gjykatë projektligji ka propozuar përshtatshmërisht zbatimin e dispozitave për kontestet nga marrëdhënia e punës.

Ndonëse ideja si duket ka qenë që të përshpejtohet procedura në gjykata, në rastet e sinjalizimit, zbatimi analog i dispozitave të kontesteve nga marrëdhënia e punës, assesi nuk sigurojnë sinjalizuesit sepse në gjykatat e Kosovës ka raste të kontesteve të punës që zgjasim ë shumë se 5 vjet ndërsa një rast i një sinjalizuesi do të humbiste çdo kuptim nëse rasti vonohet me vite.

BIRN ka propozuar zgjidhjen me urgjencë të këtyre lëndëve në gjykatat e vendit.

Në drejtim të mbrojtjes me urgjencë, projektligji ka paraparë edhe të drejtën e sinjalizuesit për masë të përkohshme në rastet kur është shkarkuar nga puna, mirëpo kufizimi i tillë është shumë i gabuar sepse mund të ketë vendime tjera të dëmshme që duhet të trajtohet me urgjence e që jo domosdoshmërisht janë aktvendime për shkarkime nga puna.

Krejt në fund të projektligjit, janë paraparë edhe dispozitat kundërvajtëse të cilat parashohin dënime mjaft të larta.

“Gjykata kompetente shqipton gjobë, e cila nuk mund të jetë më pak se  pesëqind euro dhe jo më shumë se 20,000 mijë euro për institucionin përgjegjës publik ose subjektin privat, në rast se nuk mbron sinjalizuesin nga ndonjë veprim i dëmshëm ose nuk ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për ndërprerjen e veprimit të dëmshëm si dhe eliminimin e çdo pasoje të veprimit të dëmshëm, brenda kompetencave të veta”, parashihet në projektligj.

Gjobat e parapara në këtë projektligj mund të dyfishohen në rastet e shkeljeve të rënda apo të përsëritura.

Për konkretizimin e të gjitha këtyre ndryshimeve, është përcaktuar një afat 6 mujor brenda të cilit duhet të nxirren aktet nënligjore nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij projektligji.

Mirëpo, deri tek ai moment, patjetër se Kuvendi i Kosovës duhet ta ndryshojë qasjen që ka shfaqur në trajtimin e projektligjeve të rëndësishme deri më tani, ku në disa raste kemi vonesa të theksuara, apo kemi përshpejtime të pashpjegueshme që nuk përfillim propozimet në veçanti të shoqërisë civile duke cunguar qëllimin për avancimin e legjislacionit që në rastin konkret mbron ata që shpërfaqin keqbërjet në institucionet publike apo në subjektet private.