Protestë nga "Replikë". Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ndikimi i krizës ekonomike nga pandemia në ndërprerjen e arsimimit të vajzave

Pandemia bëri që të mbyllen shkollat anë e mbarë botës. Bashkë me ndërprerjen e mësimit në shkolla, për shumë nxënës u ndërpre edhe procesi edukativo-arsimor.

Kjo si pasojë e mungesës së pajisjeve për realizimin e mësimit online dhe krizës ekonomike.

Sipas studimeve të bëra nga UNESCO, kriza botërore e pandemisë e cila ka ndikuar në të gjitha fushat shoqërore  do të ndikojë edhe tek vajzat adoleshente, do të rrënjos më tej boshllëqet gjinore në arsim dhe do të çojë në rritjen e rrezikut të shfrytëzimit seksual, shtatzënisë së hershme dhe martesës së hershme dhe të detyruar.

Disa nga organizatat civile në Kosovë thanë për KALLXO.com se kjo krizë ekonomike do i dëmtojë vajzat të cilat nga problemet financiare do të detyrohen të martohen herët, të ndërprenë shkollimin e të kujdesen për familjen.

Albanë Hoti nga organizata “TROJA”, e cila merret me lobimin, avokimin, hulumtimin për të drejtat e vajzave dhe grave në Kosovë dhe organizmin e fushatave për ndalimin e martesave të hershme tha se si pasojë e ndikimit të pandemisë në ekonomi, kriza ekonomike do jetë faktori kryesor i ndërprerjes së shkollimit të vajzave.

“Mendojmë se një numër i konsiderueshëm i vajzave në Kosovë janë të rrezikuara nga ndërprerja e shkollimit, sidomos pas krizës ekonomike të shkaktuar nga COVID-19, meqenëse një ndër shkaktarët dhe nxitësit kryesor të braktisjes së shkollimit është faktori ekonomik” tha Hoti.

Hoti tha se detyrimi mund të përkthehet në imponim dhe motivim për martesë në rastet kur faktori ekonomik nuk e lejon zhvillimin dhe edukimin e mëtutjeshëm.

Sipas hulumtimeve të publikuara nga këto organizata ndërprerja e mësimit dhe martesat e hershme janë të lidhura njëra me tjetrën.

Në hulumtimin e realizuar nga OJQ “TROJA” në vitin 2020 për matjen e perceptimit publik mbi martesat e hershme dhe rëndësinë e arsimimit për vajzat e reja në kuadër të projektit “THE BUS”, arsyet e martesave të hershme përfshijnë ato me dashuri, presionin nga familja, sigurinë, kushtet socio-ekonomike, shtatzënia e paplanifikuar, presioni nga bashkë-moshatarët dhe tradita.

Ndërprerja e shkollimit i paraprinë martesave të hershme që sipas organizatave vajzat e komuniteteve jo shumicë në Kosovë janë më të rrezikuara nga kjo dukuri.

Organizata Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianeve (VoRAE) tha për KALLXO.com se ekziston rrezikshmëria e braktisjes së shkollimit nga vajzat të këtyre komuniteteve duke marrë parasysh faktorin ekonomik në mesin e faktorëve tjerë: social, kulturor, religjionin, distancën me shkollën.

“Martesat e hershme kanë qenë të pranishme tek komunitet Romë, Ashkali dhe Egjiptian, por se sa i ka shtuar rastet pandemia nuk mund të japim paragjykime për shkak të mungesës të dhënave nga terreni” u tha në përgjigjet e VoRAE.

Në hulumtimin e organizatës “The Ideas Partnership” për martesat e hershme tek komunitetet joshumicë duke marrë fokus komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptianë në Fushë Kosovë, thuhet se në mesin e shkaqeve kryesore të martesës së hershme janë: mungesa e arsimit dhe situata ekonomike.

Faktorë të cilët ishin në ngritje gjatë muajve të bllokimit nga pandemia dhe vazhdojnë të mbesin sfidues.

Hulumtimi i “TROJËS” vë në pah se të rriturit janë “dëshmitarë” se vajzat e reja pas martese kanë braktisur shkollimin (48.3%), e që konfirmon edhe shumë studime të bëra të cilat tregojnë se martesa e hershme ka ndikim negativ në jetën e vajzave.

Sipas Hotit kjo gjendje i prekë më shumë grup moshat e adoleshentëve, 14-18 vjeç, varësisht prej shtrirjes gjeografike, mendësisë së komunitetit, dhe ndikimit familjar.

Studimet e Malala Fund, organizatë botërore për avokimin e arsimimit të vajzave, thonë se mbylljet e shkollave gjatë pandemisë kanë bërë që 743 milionë vajza në botë  të humbin arsimin e tyre, dhe 10 milion vajza të tjera të shkollës së mesme parashikohet të jenë jashtë procesit mësimor para se të mbarojë pandemia.

Hoti tha se për të  parandaluar situatat të tilla duhet të angazhohen të gjithë akterët, për të zbutur barrierat ekonomike me mekanizmat institucional, angazhimi i shoqërisë civile në promovim dhe avokim përmes punës direkte me komunitet, ndërtimi i mekanizmave për shpërndarje të informacionit deri tek zonat e thella rurale për mundësitë dhe kapacitetet e mundshme për shfrytëzim dhe zhvillim të mëtutjeshëm të vajzave dhe grave, dhe përfshirja e tyre në jetën sociale.

“Mentaliteti në Kosovë lë shumë për t’u dëshiruar dhe për t’u punuar në këtë drejtim” tha ajo.

UNESCO  ka ardhur në përfundime se nga popullata totale e studentëve të regjistruar në arsim global  mbi 89% ishin ndalur nga shkolla si pasojë e COVID-19. Kjo shifër përfaqëson 1.54 miliardë fëmijë dhe të rinj të regjistruar në shkollë ose universitet, duke përfshirë gati 743 milion vajza.

Prej të gjithë nxënësve 463 milionë vlerësohet se kishin mbetur pa ndonjë mundësi shkollimi, kryesisht për shkak se nuk kishin qasje në internet ose sepse shkollat e tyre nuk kishin asnjë mënyrë për të siguruar mësimin në distancë.