Ndëshkimi trupor i fëmijëve nuk është zgjidhje

“Disiplinë do të thotë të ndihmosh një fëmijë të zgjidhë një problem, përderisa ndëshkim do të thotë të bësh një fëmijë të vuajë për një veprim të bërë. Për të rritur fëmijë të shëndoshë, përqendrohuni në zgjidhje, jo në ndëshkim”, thotë L.R.Knost, një nga shkrimtaret e njohura për librat e saj për prindërimin.

Shumë prindër si alternativë për disiplinim apo edukim të fëmijëve e përdorin dhunën fizike të njohur tashmë si ndëshkim trupor. Por, shumë studime kanë treguar se ndëshkimi trupor është një nga veprimet më negative që një prind mund ta bëjë në drejtim të fëmijës.

Ndëshkimi trupor përveç që shkakton dhimbje tek fëmijët, ai shkakton lëndimin emocional tek fëmija dhe përtej saj.

Psikologët theksojnë se mesazhi që prindërit tentojnë t’i japin fëmijëve përmes ndëshkimit apo dhunës fizike ndaj tyre, nuk përçohet tek ta. Fëmijët kanë nevojë për t’i kuptuar, dëgjuar e trajtuar si qenie njerëzore.

Me termin ndëshkim trupor, nënkuptohet çdo lloj ndëshkimi që përdor forcën fizike dhe që synon të shkaktojë dhimbje ose shqetësim te fëmija, nga çdo person ligjërisht përgjegjës për fëmijën. Ndëshkimi trupor përfshin forma, të tilla, si: rrahje, tortura, shkundje, shtytje, djegie, goditje, pickim, çjerrje, kafshim dhe qortim i rreptë.

Përveç, Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, në Kosovë kjo formë e ndëshkimit dënohet me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2020.

Si i mbron Ligji fëmijët nga ndëshkimi trupor?

Në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve janë disa nene që në mënyrë specifike parashohin që fëmijët duhet të mbrohen nga të gjitha format e dhunës, përfshirë edhe ndëshkimin trupor.

Ligji e ndalon që një fëmijë të kthehet në subjekt të torturës dhe trajtimit jo njerëzor, jo dinjitoz, ndëshkimit trupor dhe trajtimit degradues nga secili person.

“Ndëshkimi trupor dhe masat disiplinore, të cilat dëmtojnë dhe dobësojnë dinjitetin njerëzor të fëmijës, duke përfshirë format e dhunës fizike dhe mendore, si dhe sjellje që e degradojnë, turpërojnë dhe e vënë fëmijën në situatë të dobët, janë të ndaluara në secilin ambient në shtëpi dhe familje, institucione edukativo arsimore, në institucionet e kujdesit, organet e rendit dhe sistemit të drejtësisë, në ambientet e punës dhe komunitetit”, thuhet në paragrafin e parë të nenit 38 të këtij ligji.

Edhe neni 48 i Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës parasheh që fëmijët në Kosovë mbrohen në të gjitha format e dhunës.

“Fëmija mbrohet nga të gjitha format e dhunës fizike dhe mendore, abuzimi, neglizhimi, keqtrajtimi, shfrytëzimi, trafikimi, pengmarrja, pornografia, abuzimin seksual, si dhe forma të tjera të dhunës, pavarësisht vendit ku kryhet, sipas legjislacionit në fuqi”, theksohet në ligj.

Pasojat e ndëshkimit trupor te fëmijët

Ekspozimi ndaj dhunës gjatë fëmijërisë ka pasoja negative në zhvillimin psikologjik, fizik dhe emocional të fëmijës. Psikologia, Brikena Krasniqi – Hoti thotë se ndëshkimi trupor ka pasoja të rënda tek fëmija, sidomos në shëndetin mendor të tyre.

“Studimet tregojnë që fëmijët që kanë përjetuar abuzim fizik në fëmijëri kanë më shumë gjasa që gjatë fëmijërisë, adoleshencës apo edhe në moshën e rritur të kenë probleme me ankthin, depresionin, çrregullimin e strestit postraumatik, po ashtu përjetimi i abuzimit fizik në fëmijëri ndikon në sjellje agresive dhe anti sociale tek fëmijët”, thotë ajo.

Psikologia thekson se as fëmija dhe as i rrituri me ndikimin e frikës nuk është në gjendje ta absorbojë mesazhin për të cilin një sjellje e tij po ndëshkohet.

Disa prindër kanë përdorur ndëshkimin trupor duke menduar se mund të arrijnë një rezultat të caktuar, por që kanë reflektuar dhe kanë kuptuar se kjo qasje është e gabuar. Hidajete Ibrahimi – Kryeziu, një nënë nga Kamenica ka treguar se fëmija e saj nuk ka “kuptuar mesazhet” që ajo ka dashur t’i japë kur ajo ia ka ngritur zërin.

“Në fillim kam menduar se duke u bërtitur fëmijës tim e kupton mesazhin se një sjellje e keqe nuk duhet përsëritur. Por, më pas reagimet e fëmijës kanë qenë edhe më të këqija se në herën e parë që i kam ngritur zërin. Fëmija është rebelu, nuk ka dëgju e madje as nuk ka ngrënë bukë. Pas kësaj jam ndal e kam mendu dhe kam reflektu se kjo formë nuk është ajo qysh duhet me u sjellë me fëmijën tim”, shton ajo.

Psikologia Brikena Krasniqi – Hoti thotë se prindërit e përdorin dhunën sepse mendojnë që efekti është i menjëhershëm që fëmija ta ndërprejë sjelljen e papëlqyer nga prindërit.

“Por nuk ka efekte në disiplinimin afatgjatë tek fëmijët. Që do të thotë një veprim i tillë nuk na çon në asnjë rezultat të dëshiruar, sepse fëmija është i pushtuar nga ndjenja e frikës që shkaktohet nga abuzimi fizik”, thotë ajo më tej.

Ajo rekomandon që prindërit nuk duhet ta vazhdojnë “ciklin që prindërit e tyre e kanë bërë me ta dhe ta vazhdojnë tek fëmijët e tyre”.

“Gjithë rezultati që dëshirojmë ta arrijmë tek fëmijët është vetëm komunikimi, fëmijët duhet t’i trajtojmë si qenie njerëzor që janë të aftë të na kuptojnë, në çfarëdo forme komunikimi me ta dhe të qenit transparentë, bashkëbisedimi na jep rezultate shumë më të mira”, shton ajo.

Sipas saj, një lloj ndëshkimi pozitiv që duhet ta bëjnë prindërit është: të injorojnë sjelljet e papërshtatshme të fëmijës, të mos orientojnë gjithë energjinë dhe aktivitetin e tyre që ta ndëshkojnë sjelljen e caktuar, fokusi të jetë në sjelljet pozitive, jo ndëshkimi i sjelljeve negative, dhe forcimi i sjelljeve pozitive përmes shpërblimeve të caktuara.

“Disiplinimi nuk ka të bëjë që t’ia tregojmë fëmijës vetëm çka nuk duhet të bëjë, por duhet t’i ofrojmë sjellje apo modele të caktuara që kanë për mesazh t’i tregojnë fëmijës se çka duhet bërë dhe kjo arrihet përmes forcimit të sjelljeve pozitive”, thotë ajo më tej.

Stop ndëshkimit!

Kur përdoret ndëshkimi trupor ndaj fëmijëve, shkelen të drejtat themelore te tyre.

Nëse një fëmijë në shkollë nuk e di përgjigjen në një pyetje dhe një mësues e detyron që të qëndrojë në një këmbë për një kohë të gjatë, ky është ndëshkim trupor po ashtu.

Në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve është theksuar se “personeli arsimor dhe personeli i lidhur me shkollën nuk duhet të përdorin ndëshkimin trupor si mjet disipline dhe rregulli duhet të bazohet dhe ndërtohet mbi bazën e respektit dhe drejtësisë”

Pajtim Shala, mësimdhënës në një shkollë fillore në Prishtinë, thotë se nuk e ka përdorur asnjëherë formën e ndëshkimit trupor tek nxënësit e tij.

“Unë për vete asnjëherë se kam përdorur ndëshkimin trupor. Kam dëgjuar për disa raste që kanë ndodhur, por nuk është një formë që e përdor për të edukuar nxënësit, pasi roli ynë në shkollë është edhe edukim”, thotë ai.

Mësimdhënësi Shala tregon se gjithmonë mundohet që me një ton të ulët dhe miqësor të komunikojë me nxënësit.

Sipas psikologes Brikena Krasniqit, shkolla duhet të jetë një mjedis ku fëmijët duhet të ndihen rehat, të qetë, të sigurtë, jo të frikësuar dhe jo të kërcënuar.

“Sepse ndëshkimi fizik e bënë secilin prej ndesh të ndihet i frikësuar, i pasigurt dhe nëse jemi të pushtuar nga këto ndjenja, ne nuk jemi në gjendje që të fokusohemi në obligimet dhe detyrat se çka pritet të bëjë fëmija në shkollë”, shton ajo më tej.

Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit ‘’PROtectChild’’ nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC) që zbatohet bashkarishtë me Save the Children në Kosovë, dhe financohet nga Qeveria Suedeze. Përgjegjësia për përmbajtjen qëndron tek zhvilluesi i saj.