Ilustrim

Ndarja e mjeteve financiare nga MKRS për blerjen e librave, kritikohet nga Shoqata e Botuesve

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) çdo vit ndan dhjetëra mijëra euro për blerjen e librave për nevoja të bibliotekave publike në vend.

Vitin e kaluar (2020) MKRS bleu libra nga botuesit kosovarë në vlerë prej 49,832.40 euro.

Mjete për blerjen e librave MKRS ka planifikuar dhe këtë vit, në kuadër të fondit për veprimtarinë botuese.

Janë 160 mijë euro që ministria ka ndarë për të mbështetur veprimtarinë botuese për 2021. Këtu përfshihet blerja, mbështetje për botimit të librave dhe revistave letrare.

Përfaqësues të Shoqatës së Botuesve shprehen të pakënaqur me shumën dhe mënyrën se si ministria ndan mjetet për blerje të librit.

Ministria ka hapur konkurs për blerjen e librave për këtë vit, por nuk e ka dhënë shumën e saktë se sa para do të ndahen për blerjen e librit.

Jehona Shyti, drejtoreshë e Departamentit të Kulturës në MKRS ka thënë se kriteret për përzgjedhjen e botimit të librave dhe revistave letrare si dhe për blerjen e librave janë të përcaktuara me Rregulloren e Punës së Këshillit të librit.

“MKRS-Departamenti i Kulturës ka ndarë buxhetin prej 160,000 euro për botimin e librave nga shtëpitë botuese, botimin e revistave letrare dhe blerjen e librave nga shtëpitë botuese”, ka thënë Shyti.

Ligjërisht i takon Këshillit të Librit që të bëjë përzgjedhjen e librave për blerje dhe ndarjen e mjeteve financiare.

Anton Berishaj, kryetar i Këshillit të Librit nuk është përgjigjur në pyetjet e Kallxo.com lidhur me kriteret që zbaton Këshilli për ndarjen e mjeteve për blerjen e librave.

Ndërkaq, Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, e ka quajtur lëmoshë shumën që MKRS ndan çdo vit për mbështetje të veprimtarisë botuese.

“Po flasim për një shumë mbi 100 mijë euro të cilat ndahen për të gjithë botuesit e Kosovës, gjë që është qesharake. Po e përsëris, për të gjithë botuesit e Kosovës ndahen rreth 160,000 euro”, ka thënë Zeneli për Kallxo.com.

Ai ka thënë se ndihma që jep ministria për veprimtarinë botuese është dukshëm më e vogël në krahasim me vendet e rajonit.

“Në njërën anë kemi bibliotekat publike në gjendje të mjerë, në anën tjetër kemi shumicën e botuesve që mezi mbijetojnë. E kjo, pa ndërhyrjen emergjente institucionale do të vazhdojë të jetë gjendje lëngate”, ka thënë Zeneli, kryerat i SHBK-së.

Sipas Rregullores për Punën e Këshilli  të Librit, neni, 17 blerja e librave nga botuesit bëhet përmes konkurseve publike.

Rregullorja specifikon se ministria nuk mund të blejë libra që nuk i takojnë fushës së letërsisë dhe përkthimit letrar.

“Mund të blihen jo më pak se 50 dhe jo më shumë se 100 ekzemplarë. Librat e blerë u shpërndahen falas të gjitha bibliotekave rajonale dhe komunale”, thuhet në pikën 2 dhe 3, të nenin 17 të Rregullores për Punën e Këshillit të Librit.