'Ndarja e kulaçit', problemet në proceset e rekrutimit

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) ka publikuar raportin e monitorimit të rekrutimit të titulluar “Ndarja e Kulaçit”.

Ky raport përmban të dhëna të grumbulluara brenda periudhës qershor 2018 – mars 2019 nga monitorimi direkt i 32 konkurseve: 14 janë zhvilluar me asistencë të kompanisë angleze të rekrutimit, BDO, dhe 18 të tjera jashtë listës së BDO-së.

Këto monitorime janë pjesë e projektit për monitorimin e proceseve të rekrutimit të pozitave të larta drejtuese që BIRN është duke e implementuar në bashkëpunim me Ambasadën Britanike në Kosovë.

Raporti konstaton se institucionet e Kosovës kanë dështuar në implementimin e marrëveshjes  së nënshkruar me Ambasadën Britanike duke emëruar nëpër pozita të larta persona që nuk i plotësonin kushtet sipas vlerësimeve të ekspertëve britanikë.

Nga 6 rastet e monitoruara, vetëm në një rast kandidatët e suksesshëm sipas vlerësimit të BDO-së janë votuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Në total, prej fillimit të përkrahjes së Ambasadës Britanike për institucionet e Kosovës në rekrutim, janë 10 konkurse që kanë përfunduar duke emëruar nëpër pozita persona të pa-emërueshëm.

Raporti i Monitorimit përmban detaje për konkurse specifike që tregojnë për shkeljet dhe ndërhyrjet që janë bërë për të emëruar persona që nuk i plotësonin kriteret. Në raport mund të lexohen prapaskenat e disa prej proceseve të rekrutimit të cilat janë përcjellë me probleme të cilat janë: zgjedhja e drejtorit të Agjencisë për Krahasimin dhe Verifikimin e Pronave, zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, selektimi i anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, zgjedhja e drejtorit të Agjencisë Tatimore të Kosovës (ATK), përzgjedhja e anëtarëve të Bordit të KOSTT-it,  zgjedhja e kryeshefit të Ndërmarrjes së Re Energjetike të Kosovës (NKEC), zgjedhja e Sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës.

Kurse sa i përket pozitave të monitoruara në nivel lokal që janë përcjellë me probleme janë, përzgjedhja e Bordit të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), procesi i rekrutimit të anëtarëve të Bordit të Prishtina Parking, zgjedhja e kryeshefit ekzekutiv të Stacionit të Autobusëve të Prishtinës, procesi i rekrutimit në Hortikulturë etj.

Në disa raste, BIRN nuk është lejuar të monitorojë konkurse të rëndësishme që janë iniciuar nga institucionet e Kosovës. Qeveria e Kosovës nuk ka pranuar që BIRN ta monitorojë konkursin për bordet e 14 ndërmarrjeve publike. Gjithashtu është refuzuar monitorimi i konkursit për Drejtor dhe Zëvendës Drejtor të Policisë së Kosovës, por edhe disa pozitave të larta që janë iniciuar nga Zyra e Presidentit të Kosovës.

Përjashtimi i rekomandimit të BDO-së për zgjedhjen e njeriut të politikës

Raportet e hulumtimit të BIRN kanë identifikuar punësime partiake dhe avancime të njerëzve të lidhur me strukturat politike në pushtet. Në raport është evidentuar se institucionet e Kosovës kanë dështuar t’i implementojnë rekomandimet e Ambasadës Britanike për të zgjedhur në pozitat kyçe njerëz meritorë, të vlerësuar dhe të cilët i plotësojnë kriteret.

“Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur persona që nuk i kanë plotësuar kushtet për emërim në pozita të rëndësishme”, thuhet në raportin e BIRN.

Kjo është konstatuar gjatë zgjedhjes së drejtorit të Agjencisë për Krahasimin dhe Verifikimin e Pronave dhe anëtarëve të bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Në proceset e nisura nga EULEX, disa prej njerëzve të politikës përfshirë ish-deputetin Azem Syla akuzohen se kishin falsifikuar të dhëna kadastrale. Konkursi i parë i shpallur në shkurt të vitit 2018 ishte anuluar, pasi asnjë nga kandidatët e propozuar nuk kishin marrë votat e mjaftueshme nga Kuvendi i Kosovës. Konkursi i dytë ishte hapur më 27 qershor 2018. Në mesin e kandidatëve për Drejtor të Sekretarisë Ekzekutive të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës ishte Naser Shala.

Shala i njohur me nofkën “Ftyra”, i afërt me politikën, portretizohet si njeriu që u qëndronte afër liderëve Fatmir Limaj e Hashim Thaçi gjatë një konference për media të krerëve të UÇK-së në kohën e luftës. Ai ishte i akuzuar së bashku me Fatmir Limajn në një proces për krimet e luftës ku të dy dolën të pafajshëm.

Njëri prej dëshmitarëve kryesorë në këtë rast, Agim Zogaj, i njohur si Dëshmitari X, kishte bërë vetëvrasje.

Pas intervistimit të kandidatëve, BDO-ja kishte vlerësuar se vetëm Florije Kika ishte e emërueshme, ndërsa kandidati Naser Shala (Ftyra), sipas BDO-së, nuk i përmbushte kushtet për emërim në këtë pozitë.

Por, ishte Komisioni vendor që përveç Florije Kikës kishte propozuar edhe Naser Shalën si kandidat të suksesshëm. Në procesin e votimit në Kuvend, Shala që sipas britanikëve nuk i plotësonte kushtet për t’u bërë drejtor, arriti të marrë votat e 50 deputetëve, ndërsa Florije Kika mori vetëm 22 vota.

Skandali me Bordin e ZRrE-së

Ndërhyrjet e dyshimta të politikës janë konstatuar edhe në konkurset për zgjedhjen e dy anëtarëve dhe kryesuesit të bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Në vitin 2017, Qeverisa së bashku me BDO kishin realizuar procesin e intervistimit të kandidatëve për këtë bord. Atëkohë BIRN nuk ishte i përfshirë në procesin e monitorimit të intervistave, megjithatë për shkak të interesit publik, BIRN ka hulumtuar dhe raportuar për këtë proces.

BIRN ka gjetur se në konkursin e parë të vitit 2017, BDO-ja kishte rekomanduar dy kandidatët: Bekim Jakupin i lidhur me PDK-në dhe Fadil Ismajlin, ish-nënkryetar i AKR-së.

Në muajin mars, qeveria kishte vendosur që Kuvendit t’ia propozojë katër anëtarë, duke i futur në listë edhe dy kandidatë Izet Rushitin dhe Selman Hotin. Për këta kandidatë, BDO kishte arritur në konstatimin se ishin të pa emërueshëm për këtë pozitë. BIRN hulumtoi dhe gjeti se Rushiti ishte kandidat i AAK-së për kuvendin komunal në Ferizaj në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.

Përkundër që BDO rekomandoi dy kandidatë tjerë (Fadil Ismajlin dhe Bekim Jakupin), Kuvendi kishte vendosur që t’i zgjedhë si anëtarë të bordit Hotin dhe Rushitin, që nuk kanë qenë të emërueshëm për BDO-në.

Konkursi i dytë për zgjedhjen e kryesuesit të ZRrE ishte hapur në vitin 2018. BIRN nuk ishte pjesë e monitorimit të këtij procesi në intervistat direkte, ndërsa pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë më 24 korrik 2018, Kryeministri ka proceduar në Kuvend 4 emra për kryesuesin e bordit te ZRrE-së: Fadil Ismajli, Petrit Pepaj, Përparim Kabashi dhe Bekim Jakupi.

Gjatë monitorimit, BIRN ka zbuluar se dokumenti qeveritar ishte falsifikuar duke u hequr nga i njëjti dy emra: Përparim Kabashi dhe Fadil Ismajli. Vetëm pas hulumtimit të BIRN-it dhe reagimit të deputetëve, Qeveria e Kosovës e kishte përmirësuar gabimin duke i dërguar më vonë katër emra. Kryesuesi i Bordit të ZRrE-së ende nuk është zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës.

Përjashtimi i britanikëve nga Bordi i AKP-së

Në raport është potencuar rasti kur Qeveria e Kosovës e ka përjashtuar tërësisht BDO-në nga selektimi i anëtarëve të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), e cila ka në menaxhim pronat shoqërore.

Monitorimi i BIRN ka gjetur parregullsi edhe gjatë përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të AKP-së. Por monitorimi i BIRN ka zbuluar se britanikët nuk ishin njoftuar fare nga Qeveria e Kosovës për përzgjedhjen e dy anëtarëve të këtij bordi.

Qeveria në mbledhjen e 77-të të mbajtur më 4 dhjetor 2014 ka vendosur që për kryesues të bordit të AKP-së të propozonte Bajram Zejnullahun (atëkohë anëtar i bordit të AKP-së) dhe Hajzer Salihun.

Ambasada Britanike kishte tentuar që ta parandalonte përzgjedhjen duke i dërguar letër Komisionit për Zhvillim Ekonomi ku e kishte njoftuar për përjashtimin e Ambasadës nga ky proces, por letra ishte injoruar.

Kuvendi, përfshirë edhe deputetët e partisë opozitare PSD, kanë vendosur t’i votojnë kandidatët e propozuar nga qeveria edhe përkundër përjashtimit të ambasadës.

‘Shifti’ i koordinuar për zgjedhjen e drejtorit të ATK-së

Monitoruesit e BIRN kanë gjetur probleme dhe lëshime në konkursin për përzgjedhjen e drejtorin e ATK-së, njëri nga postet më të larta që zgjidhet përmes konkursit.

Në nisje të procesit të monitorimit, BIRN ka gjetur se përbërja e komisionit nuk ishte në rregull. Përfaqësuese e shoqërisë civile, Shkëndije Krasniqi e punësuar në Odën Ekonomike Amerikane të Kosovës (OEAK) mban pozitën Zyrtare e Anëtarësisë dhe Protokollit në Qeverinë e Kosovës. BIRN ka gjetur se caktimi i saj në komision bie ndesh me përcaktimet e rregullores nr. 17/2018 për Procedurat e emërimit në pozitat e larta drejtuese në shërbimin civil të Republikës së Kosovës.

Paragrafi 2 i nenit 8 të kësaj rregulloreje përcakton se nga pesë anëtarët e komisionit për vlerësimin e kritereve, një anëtar duhet të jetë nga shoqëria civile, ndërsa pika 1.3 e paragrafit 1 të nenit 9 të kësaj rregulloreje përcakton se “përfaqësuesi i shoqërisë civile duhet të jetë person me pozitë udhëheqëse në një organizatë të shoqërisë civile dhe të njihet për integritetin e tij/saj”.

Në rastin konkret, pozita e mbajtur nga Shkëndije Krasniqi në OEAK bie ndesh me rregulloren e lartpërmendur pasi që pozita Zyrtare e Anëtarësisë dhe Protokollit është pozitë e lartë drejtuese në një OJQ.

Monitoruesi i BIRN i angazhuar në proces ka konstatuar se Komisioni vendor dhe ai britanik, gjatë pesë ditëve të intervistimit ka bërë ndryshime të vazhdueshme të pikëve, duke i zvogëluar apo rritur pikët kandidatëve që kanë qenë në garë.

Për shkak të këtyre ndryshimeve, kishte ndryshim të personit më të poentuar në listën e komisionit vendor. Kandidatit Isen Lipovica i janë zbritur 5 pikë, nga 35.4 pikë sa i kishte në fillim i janë zbritur në 30.4 në fund të procesit, ndërsa kandidatit tjetër, Ilir Murtezaj i janë ngritur 1.4 pikë, pasi në fillim i kishte 29.2 pikë, ndërsa pas ndryshimeve në fund i kishte 30.6 pikë, duke kaluar i pari në renditje.

Ndryshime në poentim ka pasur edhe nga komisioni britanik, e më me ndikim ishte ngritja e pikëve për kandidatin Ilir Murtezaj në atë mënyrë që ai nga një prej kandidatëve me më së paku pikë ka arritur të hyjë në mesin e kandidatëve të emërueshëm. Murtezaj është zgjedhur drejtor i ATK-së me propozim të ministrit të Financave, Bedri Hamza.

BIRN ka monitoruar disa konkurse në të cilët kompania britanike nuk ka marrë pjesë.

“Ajo që vlen të përmendet si trend pozitiv është që disa institucione ia kanë mundësuar BIRN-it monitorimin e konkurseve edhe në ato pozita që nuk janë paraparë nga kompania britanike të përfshihen në projektin e tyre të rekrutimit”, vazhdon raporti.

Mirëpo, në këto procese të monitoruara jashtë syve të britanikëve, BIRN ka hasur në shumë shkelje që pamundësojnë zgjedhjen e kandidatëve bazuar në meritokraci.

BIRN ka gjetur se institucionet nuk kanë një standard të ndërtuar mbi të cilin e organizojnë procesin e rekrutimit të stafit. Gjithashtu mënyrat e përzgjedhjes, vlerësimit dhe pikësimit dallojnë nga ministria në ministri.

Është gjetur se proceset e vlerësimit të kandidatëve dallojnë edhe në ndërmarrjet publike.

“Janë hasur shkelje në procesin e testimit dhe në mënyrën se si vlerësohen testet me shkrim”, potencon raporti i BIRN.

Monitoruesit kanë gjetur se intervistat për pozita zhvillohen pa standarde dhe nuk zgjasin më shumë se 10 minuta. Është vërejtur se gjatë procesit të vlerësimit, anëtarët e komisionit diskutojnë paraprakisht se sa pikë do t’u japin kandidatëve.

Përveç monitorimit të drejtpërdrejtë të proceseve të rekrutimit, BIRN ka raportuar për shumë punësime të njerëzve të lidhur me politikën. Këto punësime janë bërë nëpër institucionet që udhëhiqen nga njerëz që janë zgjedhur në mënyrë jo-meritore, siç është rasti i Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) i cili nuk kishte qenë i emërueshëm sipas vlerësimeve të BDO- së.

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli kishin nënshkruar memorandume të bashkëpunimit me Ambasadën Britanike në Prishtinë për t’i ofruar asistencë institucioneve në rekrutimin e pozitave të larta drejtuese. Qëllimi i Memorandumit të Mirëkuptimit është që, në pajtim me legjislacionin në fuqi, të mbështeten përpjekjet e përbashkëta për të siguruar fuqizimin, pavarësinë, meritokracinë dhe profesionalizmin në procesin e rekrutimit të pozitave të larta drejtuese në shërbimin civil dhe bordeve të ndërmarrjeve publike. Palët nënshkruese, kryeministri dhe kryeparlamentari, në memorandum zotohen se do të zbatojnë rekomandimet që do t’i japin ekspertët britanikë.

Sa i përket nivelit qendror, Memorandumi i parë i Mirëkuptimit mes Qeverisë së Kosovës dhe Ambasadës Britanike në Kosovës ishte nënshkruar më 11 tetor 2017 me kohëzgjatje deri më 31 mars 2018. Më pas, memorandumi i dytë ishte nënshkruar më 24 gusht. Kohëzgjatja e këtij memorandumi është deri më 31 mars të vitit 2020. Me memorandumin e parë janë zgjedhur 21 pozita drejtuese kurse me të dytin janë paraparë të zgjidheshin 22 pozita të tjera.

Monitorimi i BIRN është fokusuar edhe në pozitat e rekrutimit në nivel komunal e ku Ambasada Britanike në Kosovë u ka ofruar asistencë në rekrutim. Aktualisht, partneri britanik BDO është i kyçur në disa pozita të larta në Komunën e Prishtinës dhe në atë të Pejës.

Ambasada Britanike ka angazhuar një partner të jashtëm zbatues (Kompani e specializuar nga Britania) për të ndihmuar në proceset teknike të rekrutimit për pozitat e lira të larta të identifikuara. Përveç kësaj, partneri zbatues do të monitorojë dhe këshillojë institucionet vendore dhe do të ofrojë rekomandime për komisionet e rekrutimit dhe praktikat më të mira të rekrutimit. Deri më tani janë finalizuar 30 procese të rekrutimit, të cilat janë zhvilluar me asistencë të BDO-së.

Raportin e plotë të Monitorimit mund ta lexoni duke klikuar KËTU.