Muzika në kohën e pandemisë, si menaxhuan komunat koncertet nën masat e izolimit?

Pa kaluar një muaj nga izolimi i detyrueshëm për shkak të pandemisë COVID-19, u ndje nevoja që qytetarëve tu ofrohej edhe argëtim për të kaluar më lehtë kohën me shqetësim publik.

Në tre mujorin e dytë të 2020-tës, komunat kosovare morën në dorë organizimin e argëtimit publik përmes muzikës e arteve tjera.

Pesë koncerte janë organizuar nëpër komunat kosovare që nga 13 marsi i këtij viti kur Qeveria nisi masat shtrënguese për parandalimin e përhapjes së coronavirusit.

Ndalimi i të gjitha organizimeve dhe tubimeve për shkak të COVID-19, e bëri pothuajse të pamundur  organizimin e koncerteve në salla apo ambiente të hapura.

Masat kufizuese të Qeverisë bënë që komunat të anulojnë aktivitetet kulturore, duke përfshirë edhe shumë prej koncerteve të parapara.

Megjithatë, Prishtina, Mitrovica e Vushtrria ia dolën të organizojnë koncerte në ambiente të hapura.

Në Gjakovë ky organizim mbeti në tentativë pasi policia ndaloi  koncertin e Shkelzen Jetishit, kurse në Rahovec nuk dha leje për mbajtjen e një koncerti.

Nga këto koncerte vetëm Prishtina dhe Mitrovica paguan për organizmin e tyre.

Institucionet e kanë parë si gjest për tu duartokitur faktin që shumë artistë kanë shprehur gatishmërinë për argëtim të popullatës në këtë kohë, në disa raste edhe pa pagesë.

Koncerti i madh në kryeqytet, Prishtina pagoi 6 mijë e 300 euro

Për të zbutur situatën me coronaviusin dhe zhvendosjen e vëmendjes së qytetarëve nga lajmet për COVID-19, Komuna e Prishtinës organizoi një koncert me këngëtarin e njohur Sabri Fejzullahu.

Ky koncert Komunës së Prishtinës i kushtoi 6 mijë e 300 euro.

Koncerti u mbajt më 25 prill në Stadiumin e Qytetit dhe u transmetua live në faqen zyrtare të Facebook-ut të  Komunës së Prishtinës dhe në Televizionin Klan Kosova.

Për mëse një orë, këngëtari Fejzullahu, i përcjellë në piano nga Fatjon Miftari, ka performuar në stadiumin e zbrazët të Prishtinës këngët e tij më të mira.

Zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu ka thënë për KALLXO.com se koncerti i Fejzullahut i parapriu aktiviteteve të komunës, “rriNshpi me neve”, për të cilin Komuna ndau 30.000 euro për 56 projekte kulturore, ku shumë prej tyre janë projekte muzikore.

“Komuna e Prishtinës ka paguar 6 300 euro për koncertin e Sabri Fejzullahut. Me këtë koncert kanë nisur aktivitetet e komunës ‘rriNshpi me neve’, formimin e grupin në Facebook dhe thirrjen për mbështete të projekteve”, tha ajo.

Zyrtarë të kësaj komune kanë thënë se nuk kanë planifikuar organizmin e ndonjë koncerti në të ardhmen.

Një koncert gjatë kësaj kohe ka organizuar edhe Komuna e Mitrovicës që i ka kushtuar vetëm 400 euro. Ndërsa 10 mijë euro tjera pritet të shpenzohen në organizime tjera kulturore.

Tafil Peci, drejtor për Kulturë në këtë komunë ka thënë për KALLXO.com se Drejtoria për Kulturë Rinisë dhe Sport e kësaj komune ka organizuar koncertin me grupin TNT më 8 të këtij muaji në bashkëpunim me Klan Kosovën.

“Deri me tani është organizuar vetëm një koncert, ai me rok grupin TNT. Komuna ka pagu organizimin ndërsa grupin muzikor e ka pagu Klan Kosova. Për koncertin e grupit TNT, komuna ka mbuluar shpenzimet e skenës dhe panos në vlerë rreth 400 euro, ndërsa për ndriçim ende nuk kemi marre faturën”, ka thënë Peci.

Peci ka thënë se për të gjitha aktivitetet kulturore që do të mbahen në javët në vazhdim janë planifikuar të ndahen 10.000 euro, duke u bazuar në rregulloren e MF 04-2017.

 Komunat që s’paguan për koncertet

Përkundër Prishtinës dhe Mitrovicës, dy komunat tjera Gjilani e Vushtrria nuk harxhuan asnjë cent për koncertet e organizuara apo bashkëorganizuar me artistët e grupe artistësh.

Deniza Limani, drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturës, Rini dhe Sport në Komunën e Gjilanit ka thënë për KALLXO.com se aktivitetet e organizuar nga komuna duke përfshirë edhe grup “THC band”, nga Gjilani, janë mbajtur falas.

“Përveç kësaj, ne vazhdimisht jemi duke i shpalosur në faqen e Drejtorisë aktivitetet si YOGA dhe Video LiveStream,  ku edhe gjatë kësaj jave pritet një koncert i muzikës popullore ku edhe ky koncert do të shfaqet vullnetarisht”, ka thënë ajo.

Ndërsa, Fatmire Cecelia, drejtoreshë për Kulturë në komunën e Vushtrrisë ka thënë për KALLXO.com komuna e Vushtrrisë nuk ka paguar për dy koncertet e mbajtur në këtë komunën më 12 prill dhe 1 maj me këngëtarë vushtrrias.

“Deri më tani në Komunën e Vushtrrisë janë organizuar dy koncerte. Të dyja koncertet ishin  bashkëorganizim me këngëtarë  të mirënjohur vushtrrias. Komuna nuk ka paguar asgjë për këto koncerte”, ka thënë Cecelia.

 

 Rahovecit i anulohet koncerti

Një koncert  ishte planifikuar të organizohet edhe nga komuna e Rahovecit, por policia nuk kishte dhënë leje për mbajtjen e tij në qytet.

Muharem Morina, zyrtar për Rini në këtë komuna ka thënë për KALLXO.com se me kërkesë të disa artistëve të qytetit  kanë planifikuar të mbajnë një Koncert me datë 29/04/2020, por nuk është lejuar nga policia.

“Me kërkesë të disa artistëve të qytetit  kanë planifikuar të mbajnë një koncert me datë 29/04/2020 ,por pasi kemi bërë kërkesën në polici është anuluar”, ka thënë Morina.

Ai ka thënë se Komuna e Rahovecit, për shkak të COVID-19, sipas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, është detyruar që ti anulojnë  shumë prej aktiviteteve sipas rekomandimeve të IKSHPK.

“Nuk kemi organizuar koncerte. Kemi realizuar  një projekt virtual  për  Javën e Dëshmorëve të komunës së Rahovecit.  Kemi realizuar një ekspozitë virtuale kushtuar Javës së Dëshmorëve të komunës së Rahovecit . Në si drejtori kemi angazhuar një person profesional për incizimin dhe montazhin profesional të këtyre aktiviteteve  virtuale dhe shuma në total e shpenzimeve është 120 Euro”, ka thënë Morina.

Edhe  Komuna e Ferizajt është detyruar të anulojë apo shtyjë koncertet e planifikuara të mbahen gjatë muajve mars, prill dhe maj.

Xhemile Murati-Shaban, Drejtoreshë për Kulturë në Komunën e Ferizajt ka thënë se për shkak të coronavirusit komuna është detyruar të anulojë apo të shtyjë koncertin për Ditën e Europës, të shtyjë Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, “Ferfilm”  dhe 5 koncerte të vogla (after party), planifikuar për 2 deri më 6 prill dhe po ashtu të shtyjë  koncertin jubilar për “45 vjetorin e rock grupit- Tonick”, i planifikuar të mbahet më 20 maj.

Komunat që presin fundin e COVID-19

Një ndër komunat më të mëdha në vend,  Komuna e Prizrenit, nuk ka organizuar asnjë koncert.  Edhe ato aktivitetet të planifikuara është detyruar t’i anulojë.

Lis Dorambari, zëdhënës i Komunës së Prizrenin ka thënë për KALLXO.com se Komuna e Prizrenit deri me tani nuk ka organizuar asnjë koncert.

“Arsyeja është sepse duke parë që në Gjakovë dështoi ngjarja për shkak të grumbullimit të njerëzve, edhe ne menduam që njëherë për njëherë te mos organizojmë koncerte. Por, nëpërmjet aktivitetin “Doku n’ballkon” në bashkëpunim me Dokufest, do të shfaqen filmat nëpërmjet kinemasë solare pas iftarit në disa lagje të qytetit”, ka thënë ai.

As Peja nuk ka organizuar apo planifikon të organizojë ndonjë aktivitet gjatë kohës së pandemisë.

Engelbert Zefaj, drejtor për Kulturë në këtë komunë ka thënë për KALLXO.com se nuk është planifikuar mbajtja e ndonjë koncerti.

“Nuk e kemi realizuar asnjë koncert deri tani dhe nuk e kemi shpenzuar dhe nuk kemi planifikuar mjete për organizime te koncerteve ne kohe pandemie!”, ka thënë drejtori Zefaj

Për  shkak të COVID-19 edhe Komuna e Drenasit është detyruar të anulojë aktivitetet e planifikuara dhe nuk ka organizuar ndonjë koncert gjatë kohës së pandemisë.

Shqipe Zogaj, drejtoreshë për Kulturë në këtë komuna ka thënë për KALLXO.com se për shkaka të coronavirusit nuk kanë zhvilluar asnjë procedurë për financim publikë të ndonjë aktiviteti të OJQ-ve.

“Aktualisht për shkak të gjendjes emergjente shkaktuar nga pandemia COVID-19 nuk kemi zhvilluar ende procedurat për financim publik/subvencionim të OJQ-ve, thirrjen publike për mbështetje financiare të OJQ-ve pritet ta bëjmë së shpejti”, ka thënë ajo.

KALLXO.com nuk ka marrë përgjigje nga Komunat tjera rreth aktiviteteve që kanë organizuar apo planifikojnë të organizojnë gjatë situatës me coronavirus.

Përveç organizieve komunale, këngëtarë të ndryshëm kanë mbajtur koncerte në sheshe të qyteteve, siç ishte rasti me koncertin Shkëlzen Jetishit-Xenit në Gjakovë, i cili u detyrua ta ndërpresë koncertin me grupin tij pas ndërhyrjes së policisë.

Këngëtari së bashku me grupin e tij, kishin organizuar falas një koncert për qytetarët e Gjakovës më 26 prill, por koncerti u ndërpre për shkak të mos respektimit të distancës nga qytetarët.

“Gjakova ime, Faleminderit! Jo ashtu sikur ishte planifikuar, ndodhi me të drejtë të anulohet eventi për shkak të rrezikut të përhapjes. Shpresojmë të keni kaluar mirë ashtu sikur i gjithë ekipi jonë”, pat shkruar Xeni në Facebook për koncertin.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 955 të infektuar me COVID-19, nga ta 691 të shëruar dhe 29 të vdekur.

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).