Mungesa e dezinfektuesve, shenjëzimeve dhe letrave higjienike në Universitetin e Mitrovicës

Përhapja e COVID-19 në vend ka bërë që institucionet të shtojnë kujdesin sa i përket respektimit të masave anti-COVID, mbajtjen e distancës, mbajtjen e maskës dhe higjienës të vendosura nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë.

Disa prej masave anti-COVID nuk janë duke u respektuar nga Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”.

Mungesë e dezinfektuesit, shenjëzimeve dhe letrave higjienike është vërejtur në fakultetet e monitoruara në këtë universitet nga KALLXO.com.

Në klasat dhe në amfiteatrin e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore nuk kishte të vendosur shenjëzime për mbajtjen e distancës dhe numrin e studentëve nëpër salla. Mungesë e shenjëzimit është parë edhe në sallat e Fakultetit Juridik.

Ligjëratat janë duke u mbajtur online në fakultetet e Universitetit të Mitrovicës dhe në përgjigjet e Universitetit për KALLXO.com thuhet se është i përcaktuar personi përgjegjës për monitorim të masave.

“Personi përgjegjës për monitorimin e implementimit të masave është caktuar Driton Presheva – zyrtar për infrastrukturë. Në ditën kur ishin në vizitë në fakultet masat kanë qenë duke u respektuar nga stafi prezent”, theksohet në përgjigje.

Institucionet janë të obliguara të pajisen me termometra për matjen e temperaturës ndërsa në përgjigjet e Universitetit të Mitrovicës thuhet se janë të pajisura me tre termometra.

Dezinfektuesit mungojnë në hapësirat e universitetit

Dezinfektimi i shpeshtë i duarve është njëri ndër udhëzimet për parandalim të përhapjes së COVID-19.

Mirëpo, studentët e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicën Jugore nuk kanë dezinfektues nëpër hapësirat e fakulteteve.

“Dezinfektues për duar” shkruan në njërën nga hapësirat e Fakultetit të Gjeoshkencave në Universitetin e Mitrovicës edhe pse aty nuk është i vendosur asnjë dezinfektues.

Për dy muaj radhazi, gjatë monitorimit më 16 shkurt dhe 17 mars 2021 në Fakultetin e Gjeoshkencave, ekipi i KALLXO.com ka vërejtur mungesë të dezinfektuesit.

Sipas Universitetit të Mitrovicës, dezinfektimi i hapësirave të objektit është bërë dy herë në javë ndërsa tani pastrimi i hapësirave bëhet çdo ditë dhe më nuk është dezinfektuar.

Po ashtu, Universiteti ka thënë se nuk ka evidencë të stafit apo studentëve të infektuar me coronavirus.

Letrat higjienike “nuk kanë vend” në tualetet e Universitetit të Mitrovicës

Tualetet në Universitetin e Mitrovicës Jugore janë të furnizuar me sapun të lëngshëm por jo edhe me letra higjienike.

Studentët të cilët janë duke shkuar fizikisht në fakultet do të hasin në mungesë të letrave higjienike nëpër tualetet e Fakultetit të Edukimit dhe Fakultetin Ekonomik.

Në muajin janar KALLXO.com pati raportuar dhe për mos mbajtjen e maskave nga studentët e Universitetit të Mitrovicës.

Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” ka thënë për KALLXO.com, se kanë rezerva të mjaftueshme të materialeve mbrojtëse.

Shuma totale që ky Universitet ka shpenzuar për blerjen e këtyre materialeve është afër 3 mijë euro.

Në korrik të vitit 2020, Universiteti i Mitrovicës është furnizuar me 800 maska dy-shtresore nga pambuku, 4 mijë dorëza për një përdorim, 335 dezinfektues për duar të sasisë 1 litër, 100 litra dezinfektues për hapësira (1 litër me 20 litra ujë), 20 komplete të uniformave për punëtorë gjatë dezinfektimit dhe 2 pompa për dezinfektim të hapësirave.

Në përgjigjen e Universitetit të Mitrovicës për KALLXO.com, thuhet se varësisht prej situatës do të reagohet për blerjen e mjeteve shtesë.

KALLXO.com që nga muaji nëntor është duke monitoruar respektimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19 nëpër 7 universitetet publike të Kosovës.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit 2019.

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.