Muaji i maratonës paszgjedhore në Kosovë

Është bërë një muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ndërsa shpallja e rezultateve përfundimtare nuk ka ndodhur ende, duke shtyrë edhe më tej formimin e qeverisë së re dhe konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Pas numërimit të votave të fundit të ardhura nga jashtë vendit të martën në mbrëmje, me vendim të Gjykatës Supreme të Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se do të veprojë në përputhje me ligjin dhe në rast se nuk do të ketë ankesa, do t’i shpallë rezultatet përfundimtare gjatë ditës së enjte, me 7 nëntor.

Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), për katër javë me radhë është ballafaquar me numërime e rinumërime të votave, për shkak të mospërputhjeve kryesisht në listat me emrat e kandidatëve për deputetë dhe parregullsive të tjera.

Procesi i numërimit të votave të ardhura nga Serbia ishte përfshirë në një incident të dielën e 13 tetorit, pasi hapja e pakove u shkaktoi alergji, temperaturë, si dhe ua vështirësoi edhe frymëmarrjen mbi 20 zyrtarëve të KQZ-së. Përderisa votat nga Serbia u numëruan, hetimet e dyshimeve për helmim janë duke vazhduar.

Lidhur me këto çështje, njohës të procesit zgjedhor në Kosovë theksojnë, se megjithëse dita e zgjedhjeve ishte vlerësuar për mbarëvajtje, është luhatur besimi i qytetarëve në këtë proces për shkak të zhvillimeve të mëpasshme.

Kurse, sa i përket procedurave për shpalljen e rezultateve përfundimtare, zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi ka thënë për KALLXO.com, se Ligji për zgjedhjet e përgjithshme e lejon mundësinë që të bëhet ankesë brenda 24 orëve në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR.

“Prandaj, duke e ditur se të martën rreth mesnatës është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve sipas vendimit të Gjykatës Supreme, KQZ-ja është e obliguar që të respektojë këtë afat ligjor”, ka theksuar ai.

Sipas Elezit, KQZ-ja do të komunikojë me institucionet përkatëse për të marrë konfirmim se nuk kanë ndonjë çështje në shqyrtim dhe pastaj do të mund të shpall rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve.

“Nëse nuk do të ketë ankesa brenda këtij afati, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i shpallë rezultatet përfundimtare gjatë ditës enjte (7 nëntor)”, ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së.

Në anën tjetër, Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim (DnV) thotë për KALLXO.com se besimi i qytetarëve në procesin zgjedhor është luhatur si rezultat i problemeve të shfaqura gjatë procesit të numërimit, por edhe nga zhvillimet lidhur me procedurën e votimit jashtë vendit.

“Këta dy faktorë, paralelisht me ankesat e parashtruara lidhur me to nga ana e subjekteve politike, kanë ndikuar në prolongimin e shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja”, ka thënë ai.

“Po ashtu, diferencat e ngushta mes subjekteve politike, si dhe paqartësia për numrin e subjekteve politike që do të kalojnë pragun zgjedhor, ka ndikuar në diskursin publik të mbizotërojë një frymë deri diku e tensionuar”, ka shtuar Cakolli.

Sa i përket rezultateve, ai më tej thotë, se me numërimin e djeshëm të votave të mbetura të diasporës, dhe konsumimit të afatit për ankesa lidhur administrimin e numërimit në QNR, nuk ekziston asnjë arsye procedurale për shtyrjen e mëtutjeshme të shpalljes së rezultateve përfundimtare.

“KQZ-ja duhet që sa më shpejtë t’i shpallë këto rezultate, duke i hapur kështu rrugë ankesave apo apeleve eventuale nga ana e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre në PZAP. Ky i fundit, pastaj ka afat që brenda 72 orësh të kthejë përgjigje në ankesat eventuale. Të njëjtat mund të jenë sërish subjekt i ankesave në Gjykatën Supreme, e cila ka afat 72 orë për marrjen e një vendimi”, ka sqaruar Cakolli.

Me marrjen verdiktit nga ana e Gjykatës Supreme, shton ai, duke supozuar që nuk do të ketë rinumërime apo rivotime të reja, atëherë edhe ligjërisht mund të bëhet certifikimi i rezultateve zgjedhore.

“Kjo periudhë, ndonëse mund të zgjasë edhe më tutje procesin zgjedhor, vlerësoj që është e nevojshme, pasi që ju ofron subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre mundësinë për të adresuar shkelje të supozuara lidhur me procesin zgjedhor, duke evituar kështu në masë të madhe mundësitë e kontestimit të rezultateve nga to”, ka thënë hulumtuesi nga DnV-ja për KALLXO.com.

Cakolli ka përfunduar se beson që të gjitha problemet dhe parregullsitë e evidentuara gjatë procesit, që lidhen kryesisht me administrimin e zgjedhjeve, “duhet të jenë medoemos një nga pjesët kryesore të diskutimeve lidhur me reformën zgjedhore, e cila duhet të jetë prioritet për legjislaturën e re”.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare janë mbajtur pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj në korrik të këtij viti.

Rezultatet preliminare të KQZ-së tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje ka marr shumicën e votave të dielën e 6 tetorit.