MPB kontrakton 500 katalogë për 65 mijë euro

Ministria e Punëve të Brendshme do të paguajë 65 mijë euro për t’u furnizuar me 500 katalogë me ngjyra. Çmimi për një të tillë Ministria ka pranuar ta paguajë deri në 130 euro.

Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur ky çmim është pjesë e kontratës në vlerë prej 19.8 milionë euro për furnizimin me pasaporta, letërnjoftime, patentë shoferë dhe mirëmbajtje të sistemeve të tyre.

Në kontratën e lidhur në korrik 2016 parashihet shtypja e 500 katalogëve.

Nëse gjithçka shkon sipas kontratës, Ministria e Punëve të Brendshme do të paguajë deri 65 mijë euro për t’u pajisur me këta katalogë.

Në kontratë katalogët përshkruhen si katalogë deri 40 faqesh me ngjyra të formatit A4.

“Katalog me ngjyra deri 40 faqe formati A4”, thuhet në kontratë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar MPB-në për ta pyetur në lidhje me qëllimin dhe me aryeshmërinë e çmimit të katalogut me ngjyra.

Zyra për Komunikim e MPB-së ka bërë të ditur se katalogët nuk janë shtypur.

Ndërsa, e pyetur se a mund të shtypet në Kosovë, MPB është përgjigjur se “nuk prodhohet në Kosovë për shkak se kontraktori për furnizim është kompania gjermane “Veridos”, e cila është e mandatuar sipas kontratës  që të bëjë prodhimin e këtyre katalogëve”.

Po ashtu, në pyetjen rreth arsyeshmërisë së çmimit dhe qëllimit të shtypje së katalogut MPB, nuk është përgjigjur qartë por ka dhënë një arsye tjetër për shtypjen e katalogëve në Gjermani.

“Meqenëse katalogu do të përmbajë dokumente, si dhe përshkrimin dhe përmbajtjen e tyre (që përmban informacion të klasifikuar), kjo na kushtëzon që edhe katalogu të shtypet nga ana e kompanisë kontraktuese, ku edhe janë llogaritur së bashku shpenzimet për krijimin e një katalogu, gjatë procedurës së arritjes së kontratës”, është përgjigjur ministria.