Motivet e dyshimta për 32 milionëshin shtesë ndaj 'Bechtel&Enka'

 

Vendimi i Qeverisë së Kosovës në pranverë të këtij viti, që t’ia ndaj konsorciumit “Bechtel&Enka” edhe 32 milionë euro shtesë për kyçje të reja në Autostradën “Arbën Xhaferi”, po cilësohet të jetë i gabuar.

Përfaqësues të shoqërisë civile kanë thënë për Gazetën Jeta në Kosovë, se kjo ndarje shtesë e mjeteve nga buxheti i shtetit është bërë për shkak të mosplanifikimit të duhur qysh nga fillimi i punimeve dhe moskonsultimi me banorët e fshatit Gërlicë të Vitisë, të Ferizajt, si dhe fshatin Paldenicë të Hanit të Elezit.

Gazeta Jeta në Kosovë, ka raportuar se më 28 maj të këtij viti, në mbledhjen e Qeverisë me propozim të ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj, kabineti qeveritar kishte miratuar vendimin për të zgjatur kontratën për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi deri më 1 dhjetor 2020.

Vendimi për të ia dhënë edhe disa miliona euro “Bechtel&Enka”-s ishte marrë në Qeveri vetëm një ditë para se të hapej zyrtarisht autostrada “Arbën Xhaferi” dhe kishte përjashtuar mundësinë për një garë tenderimi.

Lidhur më këtë, Berat Thaqi nga Instituti GAP, ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se vazhdimisht Qeveria e Kosovës ka marrë vendime në mënyrë ad-hoc dhe që kanë pasur kosto të madhe.

“Pra, nuk është planifikuar as nga fillimi kur është ndërtuar autostrada, pse nuk është planifikuar buxheti edhe për këto dalje. Tjetra është se pse ne kemi ndërtuar autostradë nëse është e nevojshme që këto fshatra të kyçen për arsye ekonomike, apo çfarëdo arsye tjetër, atëherë pse nuk kanë ndërtuar rrugë magjistrale ku këto lokalitete do të kyçeshin më lehtë në rrugë”, ka shtuar ai.

Thaqi ka konsideruar se problemi në këtë çështje është mungesa e transparencës.

“Kontrata nuk është publikuar, as opinioni i kompanive të cilat e kanë këshilluar edhe qeverinë e Kosovës apo e ka mbikëqyrë projektin dhe tash nuk ka asnjë studim të fizibilitetit që tregon se pse këto kyçje duhet të ndërtohen”, vlerëson analisti i politikave nga GAP.

Sipas Thaqit, këto vendime ngjallin dyshime për një marrëveshje të fshehtë mes qeverisë dhe kompanisë “Bechtel & Enka”.

“Motivet tashmë janë bërë të dyshimta, flitet se arsyeja për dhënien e këtyre zgjatjeve të projekteve është edhe mbajtja e kësaj kompanie në Kosovë derisa të fillojë ndërtimi i autostradës Prishtinë-Dukagjin, mirëpo këto janë të pa verifikuara”, ka shtuar ai për Gazetën JnK.

Ndërkaq, Diana Metushi – Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka vlerësuar se  ndërtimi i dy kyçjeve të reja dhe një mbikalim, do të duhej të ishin bërë me procedurë të hapur të negociuar dhe jo një burimore.

“Punët për ndërtimin e dy kyçjeve të reja, dhe një mbikalimi në autostradën ‘Arbën Xhaferi’ nuk bien në asnjërën nga kategoritë e radhitura nën nenin 35.2.4 të ligjit të prokurimit publik, andaj edhe kjo procedurë do të ishte dashur të bëhej me procedurë të hapur të negociuar dhe jo një burimore”, ka thënë ajo për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Për më shumë, këto punë shtesë nuk bien brenda vlerës së 10% të kontratës e cila mund të shfrytëzohet për ndryshime kundrejt kontratës origjinale, duke pasur parasysh se sipas raportit të kompanisë mbikëqyrëse Hill International për muajin shtator 2018, vlera e variacioneve veçse ishte afër 60 milionë euro (59,994,426.36€)”, ka shtuar ajo.

Sipas Metushi-Krasniqit, këto punë shtesë kanë ardhur si rrjedhojë e kërkesës nga banorët e këtyre rajoneve, të cilët nuk ishin konsultuar paraprakisht rreth nevojave të tyre.

“Sikur Ministria e Infrastrukturës në fazën e studimit të parafizibilitetit të kishte komunikuar me udhëheqësit komunal, dhe përmes tyre me banorët e këtyre rajoneve, një gjë e tillë do të ishte e mundur të ishte pjesë e projektit bazë, apo do të mund të bëhej një planifikim më i mirë rreth kyçjeve/daljeve nga autostrada për të qenë më e favorshme për rrethinën duke rishikuar lokacionet dhe jo numrin e kyçjeve”, ka theksuar hulumtuesja nga KDI.

Ajo ka shtuar, se kjo do të kishte një kosto më të ulët të ndërtimit dhe gjithashtu më pak do të rrezikonte trafikun nga kyçjet/daljet e shpeshta në një rrugë me shpejtësi të lartë.

Në anën tjetër, kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se vendimin për ndërtimin e dy kyçjeve të reja në autostradën “Arbën Xhaferi” dhe ndërtimin e një mbikalimi, e ka marrë qeveria e tij, por se ndarja e mjeteve do të mund të caktohet nga ekzekutivi i ardhshëm.

“Vendimi për kyçje po, a çmimin nuk po di ku po e gjeni. Vetëm një gjë, kur të vendos Qeveria me u kyçë Gërlica edhe dy të tjera, ne nuk kemi qitë çmim. Nëse dikush ta bën një çmim t`i vendos a me shqyrtu a jo. Mujnë me u nda ma pak ose ma shumë. Një qeveri tash kur të vjen e di çka bën, por ne kemi marrë vendim me u kyçë në tre vende në auto rrugë”, ka thënë Haradinaj në TV Dukagjini.

Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës tashmë kanë nisur hetimet për ndarjen e këtyre mjeteve.

Historiku i autostradës

Kontrata fillestare për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit është nënshkruar nga ish kryeministri Hashim Thaçi, më 1 korrik 2014 me vlerë prej 599 milionë e 944 mijë e 263 euro e 55 cent (599,944,263.55 euro), mirëpo pas 1 shtatorit të 2015 ky çmim ishte rritur për mbi 8 milionë euro për shkak të ndryshimit të TVSH-së nga 16% në 18%.

Kështu kontrata finale kishe kapur shifrën e 608 milionë eurove.

Kjo kontratë ishte nënshkruar pas zgjedhjeve të qershorit 2014, kur Hashim Thaçi ishte kryeministër në detyrë.

Pas zgjedhjeve të 2014, në krye të Qeverisë kishte ardhur Isa Mustafa. Mirëpo, jo e gjithë autostrada u ndërtua me kontratën fillestare me vlerë 608 milionë euro. Qeveria e Kosovës i ka paguar “Bechtel&Enka”-s edhe 53 milionë euro shtesë.

Kjo pasi që, pak ditë pas ardhjes në pushtet të Qeverisë Haradinaj, Ministria e Infrastrukturës kishte nënshkruar aneks-kontratën që i kushtonte buxhetit të shtetit 53 milionë euro.

Kjo aneks-kontratë ishte nënshkruar më 27 shtator 2017, vetëm 18 ditë pas votimit të Qeverisë së PAN-it.

Në dokumentin që e kishte siguruar Gazeta Jeta në Kosovë për arsyen e gjobës prej 53 milionë euro, thuhej se burimi i saj vjen për shkak të zvarritjes së pagesave për punët që konsorciumi i kishte kryer në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit.

Gjatësia totale e autostradës “Arbën Xhaferi” është 65.56 kilometra. Kjo autostradë numëron edhe 19 ura. Kontrata për autostradën 608 milionëshe, që me pagesat shtesë, fillimisht me 53 milionët dhe tani me 32 milionët, pritet të kap shifrën e rreth 690 milionë eurove nuk është bërë kurrë publike nga institucionet e vendit.

Transaksionet dhe burimi i gjobës prej 53 milionë euro për Autostradën (Dokument)

Transaksionet dhe burimi i gjobës prej 53 milionë euro për Autostradën (Dokument)