Foto: KALLXO.com

Misteret e Eksplozivit të Sllobodan Gavriq

13 vite burg për 12 kilogram eksploziv, ishte epilogu i një prej rasteve më të përfolura gjyqësore në Kosovë në dy vitet e fundit, sidomos duke ditur rrezikun dhe vëmendjen që po marrin aktet terroriste në gjithë botën.

Gavriq u shpall fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 29 qershor për planifikim të veprave terroriste në Kosovë.

Procesi i cili filloi me arrestimin e Gavriqit më 25 dhjetor të vitit 2014 në lagjen “Arbëria”, të Prishtinës, ka lënë shumë pyetje pa përgjigje.

Zanafilla e këtij rasti ishte një informatë e pranuar nga Policia e Kosovës, se një qytetarë serb do të hynte në Kosovë nga Serbia me rreth 10 kilogramë eksplozivë dhe se destinacion i tij ishte Hoteli “Grand”, në Prishtinë.

Informata doli të jetë e saktë, dhe Gavriqit iu gjetën në veturën e tij tip Citroen, mbi 12 kilogramë eksploziv të llojit PETN – ndër eksplozivët më të fuqishëm që ekzistojnë.

Autoritetet thanë se ndërsa nuk u gjetën detonatorë bashkë me sasinë e PETN, eksplozivi ishte përzier me fragmente metali, bulona e gozhda për të rritur dëmtimet dhe numrin e viktimave.

Pavarësisht provave materiale dhe dënimit të të akuzuarit, destinacioni final i eksplozivit apo shënjestra e mundshme e sulmit nuk u identifikuan kurrë.

Çështje tjetër, ndoshta edhe më shqetësuese, ishte sesi arriti veterineri, që mbi 12 kilogram eksploziv të kombinuar me fragmente metali, bulona e gozhda të futej në Kosovë, dhe sesi qentë e trajnuar të Policisë së Kosovës, nuk e pikasën lëndën plasëse.

Brishtësi institucionale

Këta faktorë vunë në pah brishtësinë e policisë së Kosovës dhe të aparatit të sigurisë në përgjithësi.

Duke qenë se institucioneve kosovare u mungonin pajisjet e nevojshme për të identifikuar eksplozivin, ata kërkuan ndihmën e Shteteve të Bashkuara, dhe si rrjedhojë, FBI-ja e identifikoi eksplozivin si PETN.

Mungesa e raporteve fqinjësore në mes të Kosovës dhe Serbisë u reflektua edhe në hetimin e këtij rasti, siç e vuri në dukje edhe prokurorja e rastit, Drita Hajdari, në mars 2015.

“Kjo paraqet një shqetësim serioz të prokurorisë sepse personi i quajtur Slobodan Gavriq është në paraburgim por kush na garanton që sot ose nesër, ai ose ata që e kanë dërguar Gavriqin në Kosovë, nuk do të tentojnë të bëjnë diçka të tillë me ndonjë person tjetër”, tha ajo.

Muhamet Rushiti, ekspert i eksplozivëve në policinë e Kosovës, i cili dëshmoi në gjyq, tha se përzierja, qartazi ishte përgatitur për të vrarë dhe jo për qëllime të tjera.

“Vendosja e shrafave dhe bulonave ndikon që plagët të jenë vdekjeprurëse deri në 100 metra. Kjo shpjegohet pasi që pjesët metalike fluturojnë shume larg. Ky lloj eksplozivi ka një shpejtësi të shpërthimit prej 8 mijë e 400 metër për sekondë”, shpjegoi togeri i policisë.

Ai shtoi se qentë e policisë kishin pasur pengesa të nuhasnin eksplozivin për shkak të një ere që përmbante.

Eksperti i policisë së Kosovës duke dashur që të ilustrojë sa më shumë rrezikun që paraqiste eksplozivi i Gavriq, si analogji tregoi se eksplozivi i përdorur në sulmet terroriste në Madrid të Spanjës ishte shumë më i dobët se ai që ju gjet Gavriqit.

Fatura e terrorit

Arrestimi i Gavriq natën e Krishtlindjes dhe pak ditë para ndërrimit të viteve, me një sasi të madhe eksplozivi të pasuruar me fragmente metalike vrasëse, ngre dyshime shtesë.

Fakti që ai u arrestua gjatë një feste fetare të krishterë dhe duke i paraprirë zhvillimeve festive të ditëve që vinin, lë pa përgjigje pyetjen se kujt do t’i faturohej përgjegjësia e një sulmi të mundshëm.

Ndërsa në 2014 autoritetet kosovare kishin realizuar arrestimin e rreth 100 të dyshuarve për ekstremizëm të dhunshëm në lidhje me konfliktin në Siri dhe Irak, spekulimet mund të dëftonin kah “ekstremistët islamikë”.

Për më tepër, PETN është përdorur të paktën në dy raste të bujshme si mjet shpërthyes në tentativë sulmesh terroriste, për shkak të fuqisë së tij të madhe shpërthyese përkundër sasive shumë të vogla.

Në vitin 2001, Richard Reid, tentoi të shpërthente një bombë të vogël me eksploziv PETN, të fshehur në këpucën e tij në një fluturim nga Parisi në Majami.

Eksplozivi u kishte shpëtuar kontrolleve të sigurisë në aeroport.

Gjithashtu, një tentativë për akt terrorist me të njëjtin eksploziv ndodhi në vitin 2009.

Umar Farouk Abdulmutallab tentoi të rrëzonte një aeroplan me gati 300 pasagjerë mes një bombe me PETN të fshehur në të brendshmet e tij.

“Nëse arrin të kesh një burim të besueshëm, do të ishte eksplozivi ideal”, Hans Michels, një ekspert eksplozivësh, shpjegoi për britaniken The Guardian.

Michels tha se pak më shumë se 100 gramë PETN mjaftojnë për të shkatërruar një veturë. Eksplozivi në fjalë është aq i fuqishëm sa përdoret si lëndë plasëse për të detonuar bombat bërthamore.

Çka do të thotë se dëmi i shkaktuar nga 12 kilogramë të pasuruar me pjesë metalike mund të kishte qenë i pallogaritshëm përballë faturimit të lehtë ndaj “islamit radikal”.

Eksplozivi i tipit PETN që u përdor për një sulm të dështuar të Al Kaedas, nga Umar Farouk Abdulmutallab, në vitin 2009 | Foto: Spatula Tzar, Wikicommons

Gavriqi ‘vetëm transportues’?

Hetimet që filluan me arrestimin e Gavriqit, u finalizuan në aktakuzën e korrikut 2015, gjatë gjithë kësaj kohë ndaj Gavriqit, për shkak të rrezikut të arratisjes si dhe seriozitetit të veprës që dyshohej u aplikua masa e paraburgimit.

Për t’u përballur me akuzën që rëndonte ndaj tij, Gavriq angazhoi dy avokatë të kombësisë serbe.

Përgjatë të gjitha fazave të procedurës, Gavriq nuk ndaloi të deklarohej se ishte i pafajshëm, duke treguar para trupit gjykues versionin e tij.

Orvatjet e mbrojtjes së Gavriqit, fillimisht ishin duke kundërshtuar kualifikimin juridik të veprës së Gavriqit.

Avokatët pretendonin se një shpërblim prej 5000 eurosh ishte motivi i Gavriq, ndërsa roli i tij ishte vetëm transporti i eksplozivit.

Madje për të përforcuar këtë pretendim, avokatët thanë se për qëllime tregtie, veterineri kishte ardhur edhe dy herë më parë në Kosovë, para se të arrestohej, duke kaluar kontrollet kufitare të Kosovës dhe Serbisë.

Sipas avokatëve, Gavriq, eksplozivin e kishte pranuar nga një ish-polic serb, tani i pensionuar me qëllim të transportit në këmbim të 5,000 eurove.

Nga ky version i paraqitur mbeti e paqartë se kush ishte blerësi i eksplozivit në Kosovë.

Duke dhënë mbrojtjen e tij, Gavriq tha se qëllimi i ti ishte të ndihmonte mikun e tij Zhelko Todoroviq, për ta shitur eksplozivin në Kosovë dhe se ai ishte vetëm transportues.

Pas dhënies së mbrojtjes nga i akuzuari rendi i kishte ardhur edhe fjalës përfundimtare në këtë shqyrtim gjyqësor.

Për dallim nga prokurorja, avokatët e Gavriqit, evoluuan mbrojtjen e tyre duke thënë se Gavriq ishte i detyruar ta sillte eksplozivin në Kosovë gjatë fjalës përfundimtare më 24 qershor.

“Në seancën e kaluar me fjalë spontane ka thënë kam qenë në situatë që ta pranoj atë ofertë apo të bëj vetëvrasje, ju lutem të besoni në fjalët që ai i ka thënë në seancën e kaluar. Nga gjithë kjo mbrojtja bie konkludim se veprimi i të akuzuarit edhe pse i dënueshëm ka qenë i detyruar nga nevoja e ngushtë e tij për të bërë një gjë të tillë,” tha Jokanoviq.

Mbrojtësit e Gavriqit nuk e kontestuan asnjëherë gjatë procesit fajësinë e tij, por kontestuan kualifikimin juridik të veprës, duke pretenduar se i pandehuri mund të ishte përgjegjës vetëm për transport të eksplozivit por jo edhe për përgatitje të sulmeve terroriste. Por këto pretendime nuk ndikuan në gjetjen fajtor dhe dënimin e Gavriqit.

Pyetje pa përgjigje

Por, vendimi i gjykatës në shkallë të parë për gjetjen e Gavriqit fajtor dhe dënimin e tij, nuk u ka dhënë përgjie disa pyetjeve.

Cili ishte caku i Gavriqit, a kishte ai ndonjë bashkëpunëtor apo veproi i vetëm – nëse ishte ashtu siç pretendonte Gavriq – kush ishte blerësi apo shitësi në Kosovë? Gjithashtu, cili ishte tregu që pretendohej të shitej? Dhe nëse Gavriq vërtet u detyrua, nga kush? – e shumë pyetje tjera mbeten pa përgjigje.